Formacionet zyrtare: Feronikeli synon të shkruajë historinë në Champions kundër TNS


Gazeta Express
16 Korrik 2019 19:32

Me vetëm rreth një orë të mbetur deri në fillim të ndeshjes mes Feronikelit dhe kampionit të Uellsit, The New Saints, UEFA i ka publikuar formacionet zyrtare të të dy skuadrave për këtë përballje në rrethin e parë kualifikues të Ligës së Kampionëve.

Kampioni i Kosovës e pret sonte në orën 20:45, kampionin e Uellsit TNS në stadiumin Fadil Vokrri, në ndeshjen e kthimit të rundit të parë kualifikues, duke ditur se ka një rezultat të favorshëm falë barazimit 2:2 më rikthim dramatik nga ndeshja e parë në Uells javën e kaluar, shkruan Gazeta Express.

Nikli po humbiste 2:0 nga TNS deri në minutën e fundit të ndeshjes pas golave nga Greg Draper dhe Aeron Edwards, por dy gola të vonshëm ama të shpejtë nga Mevlan Zeka dhe Astrit Fazliu e kompletuan rikthimin sensacional të klubit kosovar të martën në Park Hall.

Klubi nga Drenasi mund të kalojë në rundin e dytë kualifikues me çfarëdo fitore dhe madje edhe me barazim pa gola dhe 1:1. Barazimi 2:2 e çon ndeshjen në kohën shtesë dhe penallti potencialisht, ndërsa çfarëdo humbje apo çfarëdo barazimi 3:3 dhe më lart e eliminon Niklin.

Fitues i dyfishtë në Kosovë, i ligës dhe kupës, Nikli mund ta shkruajë historinë nëse e kalon këtë rund, duke u bërë klubi i parë kosovar që arrin kaq larg në kualifikime për Ligën e Kampionëve, garën më prestigjioze evropiane për klube. Për ta arritur këtë sukses, trajneri Zekirija Ramdani e ka vendosur besimin në 11-shen e tij startuese.

Feronikeli nuk tregoi shpirt luftarak dhe mentalitet fitues vetëm në ndeshjen e parë ndaj TNS-së, por edhe kur e fitoi rundin preliminar. Sepse e mundi Santa Coloma në finale të këtij miniturneu me rikthim 2:1 edhe pse për pjesën më të madhe të pjesës së dytë luajti më një futbollist më pak.

Drita e Gjilanit shkroi historinë vitin e kaluar kur e arriti rundin e parë kualifikues por u eliminua pas humbjes nga Malmo.

Në rast kalimi në rundin e dytë kualifikues, Feronikeli do të përballet me klubin danez Kobenvahn.

Por as eliminimi nuk është fundi për kampionin e Kosovës, pasi humbësi i këtij dueli do të ketë mundësi ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në garat evropiane.

Humbësi do të takohet me fituesin e duelit mes  Slovan Bratislava dhe Sutjeska në kualifikime për garën dytësore evropiane, Ligën e Evropës. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart