Foda 11 ndeshje me Kosovën – çka kishin arritur paraardhësit e tij për kaq kohë? - Gazeta Express
string(77) "foda-11-ndeshje-me-kosoven-cka-kishin-arritur-paraardhesit-e-tij-per-kaq-kohe"

Sport

Blerian Dushica

24/03/2025 19:58

Foda 11 ndeshje me Kosovën – çka kishin arritur paraardhësit e tij për kaq kohë?

Sport

Blerian Dushica

24/03/2025 19:58

Që nga pranimi në shtëpitë e futbollit FIFA dhe UEFA, kombëtarja e Kosova është drejtuar nga gjashtë trajnerë të ndryshëm – të përhershëm e të përkohshëm.

Disa prej tyre patën rezultate të mira e disa më pak, disa qëndruan më shumë në krye të shtabit teknik të “Dardanëve”, e disa mezi arritën numër dyshifror të ndeshjeve me kombëtaren e Kosovës.

Më së shumti që ishte në stolin e Kosovës, ishte zvicerani Bernard Challandes, që udhëhoqi “Dardanët” në 37 ndeshje.

Gjatë udhëheqjes së tij, Kosova arriti disa rezultate të mira, derisa kishte shkuar edhe 15 ndeshje pa humbje në të gjitha garat.

I suksesshëm deri më tash po del të jetë edhe selektori, Franco Foda, i cili para dy ditësh i bëri një vjet qëkur drejtoi për herë të parë verdhekaltërit.

Mbrëmë, me fitoren prej 3-1 ndaj Islandës dhe 5-2 me rezultat të përgjithshëm, Kosova e Fodës siguroi ngjitjen në Ligën B të Ligës së Kombeve, për herë të parë në histori.

Tekniku gjerman ka 11 ndeshje në krye të Kosovës deri më tash, prej të cilave i ka tetë ndeshje zyrtare e tri sosh miqësore.

Në ndeshje zyrtare, Foda me Kosovën ka gjashtë fitore e dy humbje (një me rezultat zyrtar nga Rumania), ndërsa në miqësore ka një fitore e dy humbje (nga Norvegjia e Hungaria).

“Gazeta Express” ju sjellë statistikat e trajnerëve të tjerë, që së paku kishin arritur 11 ndeshje në krye të “Dardanëve”.

11 sosh i kishte arritur selektori i parë i Kosovës, pas pranimit në FIFA e UEFA, Albert Bunjaki. Në fakt ai pas 11 ndeshjeve edhe kishte dhënë dorëheqje nga Kosova.

Ai kishte 10 ndeshje zyrtare – të gjitha për kualifikimet e Botërorit të vitit 2018 – dhe një tjetër miqësore.

Në 10 takimet e kampanjës kualifikuese, ai kishte arritur një barazim me Finlandën, derisa ishte mposhtur në nëntë ndeshjet tjera, në një grup me Kroacinë, Islandën, Turqinë, Ukrainën e Finlandën.

Fitoren e vetme e kishte arritur ndaj Ishujve Faroe në miqësoren e parë pas pranimit në FIFA e UEFA, në qershor të vitit 2016.

Por, nuk duhet harruar se në kohën e Bunjakit, Kosova vetëm sa ishte pranuar në UEFA e FIFA. Ai ishte angazhuar për të sjellë disa futbollistë, dhe ishte përballur me shumë sfida.

Në shumë raste, deri në fillim të ndeshjes nuk dihej nëse lojtari do të lejohej të luante nga FIFA.

Duhet përmendur edhe një fakt se në ndeshjen me Islandën në Prishtinë, gjashtë lojtarë titullar kishin luajtur edhe në kohën e Bunjakit, para nëntë vitesh.

Kundërshtarët e vështirë po ashtu ishte një faktor në rezultatet e Bunjakit, sepse ishin kualifikueset e para të Kosovës dhe ato ishin në kuadër të Botërorit 2018, dhe dihet se ato janë më të vështira se të Europianit.

I dyti në këtë listë është pasardhësi i Albert Bunjakit, Bernard Challandes.

Ai në 11 ndeshjet e para te Kosova kishte një rekord mbresëlënës, duke mos pësuar asnjë humbje, e duke marrë shtatë fitore e katër barazime.

Në katër ndeshje miqësore, ai kishte marrë tri fitore e një barazim – atë ndaj Danimarkës.

Në shtatë ndeshjet zyrtare, Kosova nën drejtimin e Challandesit kishte tri barazime e katër fitore.

11 ndeshje në stolin e “Dardanëve” kishte edhe Alain Giresse, i cili shkarkohej pas ndeshjes së 14-të.

Prej atyre 11 ndeshjeve, shtatë ishin zyrtare e katër të tjera miqësore, duke arritur katër fitore, katër barazime e tri humbje.

Në shtatë ndeshje zyrtare, legjenda franceze me Kosovën kishte arritur tri fitore, tri humbje e një barazim.

Kosova gjatë periudhës 2016 – 2025 kishte edhe dy selektorë të përkohshëm: Muharrem Sahitin e Primoz Glihan (dy ndeshje) e pastaj edhe si pasardhës i Alain Giresse).

Sahiti kishte drejtuar Kosovën në vetëm një ndeshje, në fitoren prej 4-3 ndaj Letonisë, në një takim miqësor të luajtur në “Adem Jashari” në Mitrovicë.

This image has an empty alt attribute; its file name is sahiti-780x439-1.png

Ndërkohë, Primoz Gliha e kishte udhëhequr Kosovën në dy periudha të ndryshme.

Të parën herë ishte mes nëntorit të vitit 2021 deri më shkurt të vitit 2022, kur e kishte udhëhequr Kosovën në dy ndeshje. Ai kishte pësuar një humbje nga Jordania në takim miqësor dhe kishte barazuar me Greqinë.

Në periudhën e dytë (shtator 2023 – nëntor 2023), Gliha e udhëhoqi Kosovën në gjashtë ndeshje tjera, të gjitha në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Europian “Gjermania 2024”.

Ai kishte marrë dy fitore, dy barazime e dy humbje në këtë kampanjë kualifikuese./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement