Më 7 maj, nga ora 19:00, në ‘Open Art Gallery’ në Prishtinë u hap ekspozita e artistit Esat Valla, kuruar nga Zeni Ballazhi, titulluar “Arti pamor si rezistencë (1990-1999)
Në ekspozitën e fundit të sjellë me punën e artistit Valla, në hapësirën e Galerisë Open Art, na prezantohen kujtimet dhe arkivi i Esat Valles, i koleksionuar së fundmi, por në të cilin ishte punuar ndër vite, respektivisht gjatë viteve 1990 deri më 1999.
Demi i Valles
Në pikturat e Esat Valles, të cilat janë të punuara në tekniken vaj në pëlhurë, na paraqitet më së shumti figura e demit. Ose figurën e demit e perceptojmë më së lehti, kur futemi brenda galerisë, ama detajet e tjera pastaj sqarojnë mesazhin, qëllimin dhe punën artistike më saktë dhe qartazi. Duke u nisur nga ngjyrat e përdorura, rrethanat në të cilat u realizuan këto piktura dhe vetë titujt që mbajnë ato, na e përforcojnë imazhin e asaj që e mendojmë fillimisht.
Thënë edhe në tekstin kuratorial në pikturat e tij, në këtë cikël punimesh, Valla ka punuar me ngjyrën e kuqe, të zezë, të kaltër. Përtej kombinimeve artistike, guxojmë të ngjitemi pas shpjegimeve të këtyre ngjyrave në rrafshin social e politik, në Kosovë, gjatë periudhës së vështirë të vendit, në vitet 1990-1999. Njëjtë si më ngjyrat janë edhe titujt e veprave, disa nga to: “Sulmi i kokëboshëve’, ‘Pranverë e ngushtuar’, ‘Dashi kurban’, ‘Demi i lënduar’ etj.
Parë në të gjithë prizmin e teknikës së punimeve, Valla përmes punës së tij, arriti ta përcjellë mesazhin personal, i cili ishte njëherit edhe kolektiv, duke ndarë fatin e vet dhe të tjerëve në pëlhurat e pikturave. Duke sjellë në pah vështirësitë e Kosovës nën okupim, padrejtësitë dhe shtypjen e vendit dhe njerëzve të tij, përmes ngjyrave, figurave dhe krijimit artistik.
Mes artit dhe dokumentimit
Po, arti i Esat Valles është tërheqës për t’u parë, bashkon harmoninë e ngjyrave me figurat brenda kornizave te pikturave, por, po, arti i Valles ruan një pjesë të rëndësishme historike të vendit duke dokumentuar në pikturë njërën ndër periudhat më të rëndësishme të Kosovës.
Në njërin nga punimet, titulluar “Kokat” punuar në vitin 1995, ka një material të bollshëm për interpretim, por kornizat e hapura brenda pikturës, që mbajnë kafka të kokave, megjithatë fokusohen tek tjetri, tek demi, tek keqbërësi, njëjtë siç e thotë vetë artisti, demi personifikon armikun. Punimet e tjera, përfshirë edhe “Fluturat dhe demonët” përçojnë një mesazh edhe përmes ngjyrave, mesazhin e shpresës. E kaltra personifikon shpresën në punimet e Valles. Ani pse kaotikja dhe lufta mes demonëve e fluturave detektohet lehtë në pikturë, e kaltra fokusohet tek e ardhmja, e kaltra është shpresë. Prandaj arti i Valles dokumenton, duke i kaluar shijet artistike për tu kapur tek rëndësia e ruajtjes se identitetit.
Fluturat përballë demit – personifikimet e një epoke të tmerrit dhe shpresës
Vetë Valla tregon për qëllimet e këtyre punimeve, nostalgjinë dhe vështirësitë e asaj periudhe e cila do ta determinoj një pjesë të rëndësishme të krijimit artistik të tij.
Në natën e hapjes së ekspozitës ai u shpreh:
“Përmes, kafkës ose kokës së demit personifikoj armikun, ndërsa përmes fluturave personifikoj pafuqinë tonë, si një shpirt i butë…atëherë ishte kohë tjetër, megjithëse kishte edhe kohë të mira, nuk kishim kurrfarë kushte as studentet as profesorët. Jemi futur në shtëpi private që të arsimohemi, tash është tjetër kohë, më e mirë.”
Duke treguar për kohen dhe vështirësitë e saj, Valla përmend edhe njërën nga punimet më të dashura të tij, e që është punimi për xhamat e thyer në Fakultetin Teknik, një ngjarje që ai e mbanë mend edhe sot.
Kuratori i ekspozitës, Zeni Ballazhi ka përcjellë punën e Valles dhe tregon për arsyen pse u zgjodh ajo periudhë kohore të ekspozohet në këtë cikël punimesh, cila është rëndësia e saj dhe si e interpreton ai punën e artistit, në një intervistë ai u shpreh:
“Ekspozitën e kemi realizuar duke caktuar një temë, tema ka të bëjë me periudhën e para luftës në Kosovë, (artistin Valla e njohim neper ekspozita qofshin kolektive ose personale) kemi bërë një koncept të veçantë sepse vitet e tranzicionit ose vitet 90-99 janë vitet më të vështira të Kosovës. Është një krijimtari që gjeneratat e ardhshme të shohin atë që nuk e kanë përjetuar më përpara. Veprat që i kemi përzgjedhur janë gjithsej 17 vepra që i përkasin kësaj periudhe me tematika kryesore, me personazhet që profesori Valla i zgjedh apo i paraqet në këto tablo në këto piktura, janë ato personazhe që në atë kohë nuk kanë mundur të prezantohen, qoftë si individ apo emra e mbiemra, prandaj artisti ka përdorur kafshën ose demin”, thotë nder tjerash Ballazhi.
Bartësi i gjendjeve dhe rrëfimeve
Arti si kreativitet dhe artisti si bartës i tij, përpos kreativitetit dhe elementeve tjera të rëndësishme në mediume të ndryshme, shpesh herë kanë ditur të jenë edhe dokumentues të ngjarjeve të ndryshme e periudhave historike, të njëjtën e ka bërë nder vite Esat Valla me artin e tij.
Ekspozita “Arti pamor si rezistencë 1990-1999” i sjell publikut dhe artdashësve një krijimtari të veçantë, e cila i ka mbijetuar kohës dhe kujtimeve, qoftë si prezantim fizik qoftë si prezantim emocional. Më të drejtë secili punim i kësaj ekspozite llogaritet si një mbajtës, madje edhe i gjendjeve emocionale, pos rrëfimeve politike e sociale që ato reflektojnë.
Arti i Valles, i ka rezistuar kohës duke ngjitur pikturën dhe artistin në një paralele të rëndësishme identitare, për tu bartur tek brezat e rinj si udhërrëfyes i dy anshëm.
Bio e artistit:
Esat Valla, lindi më 22 prill 1944 në Gjakovë. Shkollën fillore e kreu ne vendlindje, ndërsa shkollën e mesme të artit në Pejë ne 1965. U diplomua në Akademin e Arteve Figurative në Beograd në 1971 në drejtimin e pikturës me profesor Zoran Petroviqin. Studimet pasuniversitare i kreu në Akademinë e Arteve Figurative ne Beograd me te njejtin profesor, ku edhe mori titullin Magjistër i pikturës në vitin 1981. Mes viteve 1972-1976 punoi si profesor i lëndës së artit figurativ ne gjimnazin “Hajdar Dushi” në Gjakovë. Në vitin 1976 vazhdoi si ligjërues në Fakultetin e Arteve si bartës i lëndës së pikturës dhe studimeve pasdiplomike me titullin profesor ordinar ne Universitetin e Prishtinës. Eshtë pjesëmarrës në shume ekspozita personale dhe kolektive me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Veprat e tii gienden ne galeri, muze dhe shume koleksione private. Eshtë anëtar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës prej vitit 1974, ndërkaq nga viti 1982-1984 ka qenë kryetar i Shoqatës se Artisteve Figurativë të Gjakovës, si dhe nga viti 1990-1996 ka qenë kryetar i Shoqatës së Artistëve Figurativë të Kosovës. Ка realizuar udhëtime studimore në botën e jashtme si në: Itali, Francë, Spanjë, Portugali, Cekosllovaki, Poloni, Turqi, Greqi, Shqipëri etj.
Ekspozita do të vazhdoj të jetë e hapur për publikun në ‘Open Art Gallery’ deri më 20 maj.
/Gazeta Express