Florim Ejupi e ndërmerr një veprim në Gjermani kundër Aleksandar Vuçiqit


load
Gazeta Express
4 Korrik 2019 16:28

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, dje para gazetarëve ka folur edhe për rastin e vrasjes së politikanit serb, Oliver Ivanoviq. Ai e ka marrë në mbrojtje Milan Radojicicin, personin që është në kërkim nga drejtësia kosovare si i dyshuar për vrasjen e Ivanoviqit duke thënë se ai nuk ka lidhje me rastin, ndërkohë në anën tjetër ka shtuar se e di kush ka gisht në vrasje.

Kreu i shtetit serb e ka ndërlidhur me vrasjen biznesmenin Florim Ejupi, duke thënë se ai ka gisht në eliminimin fizik të Ivanoviqit. Pas këtyre deklaratave të presidentit serb, Ejupi i është drejtuar organeve të drejtësisë në Gjermani, ku e ka denoncuar Vuçiqin për deklarimet e bëra.

Ish-avokati i Florim Ejupit, Mahmut Halimi, në një prononcim për gazetën inFokus, i tregoi këto detaje duke thënë që kjo është krejt një propagandë e rrezikshme e Serbisë me në krye Presidentin Aleksandër Vuçic.

“Po, Florim Ejupi, e ka njoftu Policinë Gjermane, se mediat serbe e kanë implikuar atë në vrasjen e Oliver Ivanoviçit, gjë që nuk ka asgjë të vërtetë. Unë, si avokat jam i bindur që sa herë që përmendet tanimë i akuzuari për këtë vrasje, Milan Radojçic, aktivizohet Presidenti Serb, duke u munduar që t’ia pastroj emrin, e këtë radhë e ka gjetë një person që nuk ka lidhje me këtë punë. Sipas Vuçicit, BIA dhe punët e brendshme serbe e kanë vërtetu se Radojçici është i pastër, e kinse këtë punë e paska bërë Florim Ejupi. Po, kjo propagandë nuk po shitet më, këtë e kanë mësuar edhe vet qytetarët e Serbisë”, ka deklaruar Mahmut Halimi.

Por, kush është Florim Ejupi që çuditërisht pas sa kohe doli si emër potencial nga serbët, që qëndron prapa vrasjes së politikanit?

Emri i Florim Ejupit është i njohur që nga paslufta. Ai ishte i dyshuari kryesor i një rasti të cilësuar si sulm terrorist, në të cilin rast një autobus civil i mbushur me serbë, u sulmua më 16 shkurt të vitit 2001.

Nga ajo bombë, u vranë 12 civilë serbë dhe u plagosën 40 të tjerë. Të gjithë këta po udhëtonin drejt manastirit të Graçanicës nga Nishi i Serbisë.

Pamje – Viti 2001

Ejupi ishte arrestuar nga policia e UNMIK-ut në atëkohë derisa ishte arratisur nga burgu ushtarak në kampin e Bondsteelit, për t’u arrestuar përsëri në Tiranë, ndërkaq, në vitin 2009 ai u lirua në mungesë të provave.

Florim Ejupi ishte dënuar me 40 vjet burgim, derisa është liruar nga Burgu i Dubravës pas tetë vjetëve që kishte qëndruar në qeli.

Kolegji i Gjykatës Supreme, në përbërje të të cilit ishin tre gjykatës ndërkombëtarë dhe dy vendorë, ka urdhëruar lirimin e Florim Ejupit në mungesë provash.

“Kolegji i Gjyqtarëve nga Gjykate Supreme, i përbërë prej pesë gjykatësve – tre gjykatësve nga EULEX-i dhe dy gjykatësve vendorë – urdhëroi lirimin e tij të menjëhershëm nga Burgu i Dubravës, pasditen e datës 12 mars. Ai u lirua nga çdo akuzë në mungesë provash”, shkruhej në një komunikatë shtypi, të lëshuar nga EULEX-i në vitin 2009.

Një ditë pas lirimit nga burgu, Ejupi pati thënë se ndihej mirë që drejtësia është vënë në vend.

“Në Gjykatën Supreme më liruan nga të gjitha akuzat dhe unë jam i lirë tani. Gjithmonë e kam ditur që do të lirohem, pasi ai dënim ka qenë i padrejtë, me dëshmitarë të montuar dhe i gjithë rasti ka qenë i montuar”, kishte thënë ai.

Ejupi është i martuar dhe ka fëmijë derisa pas lirimit nga burgu kishte deklaruar se do të kërkonte kompensim për vitet e kaluara në qeli.

Florim Ejupi

I njejti tash është 40 vjet, derisa vjen nga fshati Sekiraqë i Komunës së Podujevës.

Ejupi ishte dënuar për 11 vrasje, dhjetëra të plagosur, për terrorizëm, shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, diskriminim racial dhe mbajtje të paligjshme të eksplozivit.

Sipas presidentit serb, Florim Ejupi pas kryerjes së vrasjes ka ikur nga Kosova përmes aeroportit të Rinasit.

Ai përmendi, gjithashtu, një emër tjetër lidhur me ekzekutimin e Ivanoviqit. Bëhet fjalë për Edmond Zekaj, i cili e ndërroi emrin e tij në Lira Zekaj dhe i cili ishte në Mitrovicë në ditën kur u ekzekutua Ivanoviqi. Sipas Vuçiqit ai tashmë është duke u strehuar në Gjermani.

Florimi ishte arrestuar edhe në vitin 2014 pas dëshmisë së të burgosurit Shkumbin Mehmeti, që i ngarkonte atë dhe Bajram Kiçmarin për vrasjen e dy policëve: një polici të UNMIK-ut dhe një polici të Kosovës.

Florim Ejupi ishte liruar nga akuza për vrasje të dyfishtë duke u lënë i lirë./GazetaExpress/

Te fundit


Kthehu lart