Flet për Express i shëruari nga COVID-19: Nuk kisha simptoma, një grip në janar më mundoi më shumë - Gazeta Express
string(96) "flet-per-express-i-sheruari-nga-covid-19-nuk-kisha-simptoma-nje-grip-ne-janar-me-mundoi-me-shume"

Flet për Express i shëruari nga COVID-19: Nuk kisha simptoma, një grip në janar më mundoi më shumë

Liridonë Çeta

26/05/2020 18:03

Një nënë nga Suhareka bashkë me dy djemtë e saj kishin rezultuar pozitivë në testimet për COVID-19. Ata ishin infektuar me koronavirus pas një vizite që kishin bërë tek disa familjarë. Djemtë pa asnjë simptomë, e nëna me gjendje shëndetësore të rënduar, megjithatë ia dolën ta fitojnë betejën me sëmundjen. Express ju sjell rrëfimin e njërit prej anëtarëve të kësaj familjeje

Kishte shkuar tek daja i babait për një ceremoni mortore. Por, Besniku nga atje u kthye i infektuar me virusin COVID-19. Bashkë me të, virusin e morën edhe nëna dhe vëllai.

Lexo Edhe:

Pa asnjë simptomë, ata kishin rezultuar pozitivë në testimet për COVID-19. Besniku 30-vjeçar, nëna 52 vjeç dhe vëllai 26.

Besniku nga Suhareka ka treguar për Gazetën Express se nëna e tij kishte qenë në gjendje më të rëndë shëndetësore, ndërkaq ai me vëllain nuk kishin pasur asnjë komplikim as gjatë kohës kur kishin qenë të infektuar.

“Fillimisht kemi qenë te daja i babait, e kemi pasur një rast vdekje, aty ka qenë dikush i infektuar dhe e kemi marrë edhe ne. Unë, nëna dhe vëllai. As pasi kemi rezultuar pozitivë nuk kemi pasur simptoma, përveç nënës, ka qenë tri javë në Klinikën Infektive, ne të tjerët kemi qenë pa simptoma dhe kemi qëndruar në shtëpi”, ka thënë Besniku.

Madje, ai thotë se gjatë muajit janar kishte pasur një grip sezonal, për të cilin thotë se e ka munduar më shumë se koronavirusi.

“Unë dhe vëllai nuk kemi pasur asnjë simptomë, as si grip s’ka qenë, në janar e kemi pasur një grip, na ka munduar më shumë se virusi, vetëm që kemi rezultuar pozitivë se asnjë simptomë nuk e kemi pasur”, ka deklaruar ai.

Besniku tregoi se nëna e tij ka pasur ethe, kollë dhe ënjtje të mushkërive. Ajo ishte trajtuar në Klinikën Infektive të QKUK’së për tri javë.

“Nëna ka pasur ethe, kollë, veshkat, analizat i kanë dalë diçka keq, i kanë thënë që i pa pasur të ënjtura, dy javë ka qenë në Klinikën Infektive në gjendje goxha të rëndë, nuk ka pasur sëmundje tjera shoqëruese”, ka thënë Besniku për Gazetën Express.

Ai theksoi se pas testimeve të dyta kur kishin rezultuar negativë, kanë qëndruar të izoluar edhe për disa ditë tjera.

“Pas rezultateve të dyta kemi qëndruar të izoluar edhe për disa ditë tjera. Kemi marrë të gjitha masat mbrojtëse”, deklaroi ai.

Ndërkohë Besniku bëri të ditur se pas shërimit nga COVID-19, në familjen e tij është kthyer normaliteti.

“Tani jemi të gjithë mirë me shëndet, po vazhdojmë jetën normalisht si më herët. Kam filluar edhe punën”, tha ai.

Ndërkohë, 38 persona nga Suhareka janë konfirmuar deri më tani me virusin COVID-19. Nga ta janë shëruar 35, një ka vdekur ndërkaq kanë mbetur edhe dy raste aktive me koronavirus.

Ndryshe, që nga konfirmimi i dy rasteve të para me koronavirus më 13 mars e deri tani janë konfirmuar 1 mijë e 38 raste. Nga këto raste, 791 pacientë janë shëruar, derisa 30 kanë vdekur./Gazeta Express