Flet Agim Ademi, pas takimeve në UEFA e FIFA - Gazeta Express
string(43) "flet-agim-ademi-pas-takimeve-ne-uefa-e-fifa"

Flet Agim Ademi, pas takimeve në UEFA e FIFA

Gazeta Express

07/12/2019 19:28

Presidenti Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri gjatë qëndrimit në Varshavë kanë zhvilluar takime me shumicën e delegacioneve të federatave anëtare të UEFA-s

Pas këtyre takimeve, Agim Ademi e ka publikuar një mesazh, ku ka sqaruar se çfarë është diskutuar gjatë takimeve me ekzekutivët kryesorë të futbollit, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Mesazhi i kryetarit të FFK-së, Agim Ademi

Gjatë qëndrimit në Varshavë së bashku me nënkryetarin Bakir Burri zhvilluam takime të shumta me krerët e federatave të shteteve anëtare të UEFA-s, por edhe me vetë krerët e FIFA-s e UEFA-s, Gianni Infantino dhe Aleksander Çeferin. Gjatë këtyre takimeve fatkeqësisht kohën më të madhe ishim të detyruar t’ia kushtonim situatës së fundit rreth FFK-së, ku e sqaruam gjithçka në mënyrën më të drejtë dhe reale. Sqarimi deri në detaje i gjithë situatës ishte më se i nevojshëm, duke pasur parasysh faktin se Komisionet e UEFA-s e FIFA-s veprojnë sipas raporteve dhe dokumenteve që i dërgojnë zyrtarët e tyre dhe FFK. Anëtarët e këtyre Komisioneve nuk lëshohen në raporte njerëzore, shoqërore apo në mëshirë. Ata kanë vetëm ligje dhe veprojnë ashtu siç e parashohin ligjet dhe rregulloret për situata të tilla, prandaj nuk është një situatë e lehtë as për ne kur kemi parasysh se kush i dha zjarr gjithë kësaj situate dhe kush është i interesuar që Kosova të mbetet sërish jashtë institucioneve të futbollit evropian dhe atij botëror. Jemi në një periudhë kur kundërshtarët tanë vazhdimisht e kanë atakuar shtetin tonë, duke kërkuar heqjen e njohjeve dhe duke penguar institucionet tona sportive dhe kulturore në drejtim të depërtimit në arenën ndërkombëtare. Andaj, të gjithë ne duhet të kemi kujdes, ngase krijimi i situatave të tilla çon deri të më e keqja apo thënë ndryshe i ndihmon ata që i kemi pasur vazhdimisht kundër dhe pengesë në realizimin e ëndrrave tona. Pra, na duhet kujdes i madh sepse kanë kaluar kohërat kur mund të vendoset diçka me shantazhe e militarizëm dhe interesa grupore e klanore, e aq më pak individuale. Futbolli e ka marrë rrugën e drejt, të pastër e transparente në sytë e UEFA-s, FIFA-s dhe popullit tonë, për çka falënderojmë të gjithë ata që janë kujdestarë të mbrojtjes dhe ruajtjes së pastërtisë dhe vlerave të futbollit e sidomos Kombëtaren tonë. Federata e Futbollit dhe rezultatet që i kemi arritur deri më tash janë pjesë dhe kontribut i të gjithëve, e sidomos e lojtarëve Dardanë, tifozëve Dardanë, por edhe e gjithë Diasporës dhe popullatës tonë. Në takimet me Infantinon dhe Çeferinin, i bëra lutje atyre në emër të KE të FFK-së, të institucioneve tona dhe më së shumti në emër të tifozëve Dardanët që të mos marrin masa, sepse do të vazhdojmë të palëkundur të punojmë ashtu sikurse deri tash në realizimin e ëndrrës sonë të përbashkët.