Fitim Selimi rikthehet te PDK’ja pasi ishte transferuar në AAK e NISMA


Gazeta Express
24 Mars 2019 13:25

Fitim Selimi, i cili ka ndërruar edhe dy parti tjera, po kërkon besimin për ta marrë udhëheqjen e PDK’së në Lipjan. Përsëri është rikthyer në Partinë e themeluar nga Hashim Thaçi. Selimi i ka thur elozhe Kryetarit të ri të PDK’së, Kadri Veseli, për të cilin ka thënë se është reformator i madh

Fitim Selimi për pak kohë ka vendosur të ndërrojë edhe shefin e tretë partiak. Ka ikur nga Ramush Haradinaj dhe AAK’ja pasi fillimisht ishte transferuar te NISMA e Fatmir Limajt.

Tash, ka vendosur ta ketë Shef Kadri Veselin.

Selimi ka shfaqur synimin të marrë udhëheqjen e PDK’së në Lipjan që dikur e kishin Familja e Shukri e Ramë Bujës, të cilët janë transferuar në Partinë e Fatmir Limajt.

Ish-anëtari i AAK’së e NSIMA’s i rikthyer në PDK ka nisur t’i thur elozhe Kadri Veselit. Ka thënë se i njëjti po e ribën PDK’në që e ka marrë nga Hashim Thaçi.

“Prijësi që ka marrë obligimin për ta bërë e ribërë PDK- në duke e ruajtur atë në esencën burimore të saj, një ushtar i guximshëm e një krijues e ndertues i përkushtuar i lirisë dhe vendit, udheheqësi i saj Kadri Veseli, me angazhimin e tij reformues meriton përkrahjen për realizimin e këtij projekti”, ka shkruar Selimi në Fb posa ka shfaqur ambicien për ta marrë Degën e Lipjanit.

“…kam gatishmërinë ti qasem këtij angazhimi dhe bashkë me njerëzit e rinj e të shkolluar të komunes sonë ta rikthejmë dhe fuqishëm ta theksojmë dëshminë për të mundshmën. Të argumentojmë me punën tonë që është e mundur të punohet drejtë dhe me qasje të barabartë ndaj çdo qytetari të këtij vendi”, ka shtuar ai.

PDK e ka humbur pushtetin në Lipjan. Në dy mandatet e fundit Komunën e udhëheq Imri Ahmeti i LDK’së. Dega e PDK’së në këtë komunë ishte përçare pas humbjes. Një pjesë e kësaj dege kanë ikur në NISMA e disa të tjerë në AAK.

Por, Fitim Selimi beson se mund t’i rikthejë të ikurit.

“Jam i sigurtë që kështu do të rikthejmë besimin e luhatur të qytetarëve te njeriu ynë dhe shpresën e venitur për një të ardhme çfarë e duam të gjithë”, ka shkruar Selimi.

Selimi përpos për Veselin ka folur mirë edhe për PDK’në të cilën e kishte braktisur dikur.

“Gjasën, materjen, bazamentin dhe guximin për të synuar një zhvillim të tillë aktualisht e ka vetëm Partia Demokratike e Kosovës”, ka shtuar ai.

Te fundit


Kthehu lart