Orët e fundit të negociatave për ndryshimin e vendit të Finalissima 2026, që fillimisht ishte planifikuar të luhej më 27 mars në Doha, kanë rezultuar me vendimin që ndeshja të zhvendoset në Spanjë, konkretisht në “Santiago Bernabéu”, i cili aktualisht është favoriti kryesor për të pritur përballjen.
Sipas informacionit të mediumit spanjoll “AS”, stadiumi i Real Madridit është zgjedhur për ta pritur sfidën mes Argjentinës dhe Spanjës, një duel që e përbën përballjen midis kampionit të Amerikës së Jugut dhe kampionit të Evropës, përcjell “Gazeta Express”.
Një ndeshje me rëndësi globale që do të zhvillohet në skenarin më të mirë të mundshëm, në kryeqytetin e Spanjës, dhe në impiantin ku gjithashtu mund të pritet finalja e Kupa e Botës 2030.
Ngjarjet e fundit në Doha, e cila rrezikohet nga dronët dhe raketat balistike, e bënë të pamundur zhvillimin e Finalissimas dhe pesë ndeshjeve të tjera të përfshira në Qatar Football Festival, përfshirë edhe miqësoren Spanjë ‑ Egjipt.
Për këtë arsye u aktivizua klauzola e anulimit.
Megjithëse ishin përmendur edhe alternativa të tjera si Roma apo Lisbona, por UEFA dhe CONMEBOL e konsiderojnë Madridin dhe “Bernabéun” si zgjidhjen më të mirë për një event të këtij niveli.
Vendimi është marrë plotësisht, duke mbetur vetëm disa detaje të vogla lidhur me sigurinë dhe logjistikën.
Po ashtu, janë gjetur hapësira dhe mundësi edhe për zhvillimin e ndeshjeve të tjera.
Siguria mbetet prioritet
Faktori që njëkohësisht më datë 27 mars, në Madrid, zhvillohet edhe ndeshja Marok ‑ Ekuador në “Metropolitano”, bën që masat e sigurisë dhe të policisë të konsultohen dhe miratohen me autoritetet kompetente.
Kryeqyteti i Spanjës ka kapacitetin për t’i përballuar dy evente të këtij dimensioni në të njëjtin ditë, por planifikimi i dislokimit të forcave duhet të jetë i organizuar dhe i detajuar.
“Bernabéu” e kishte pritur më parë finalen urgjente të Copa Libertadores 2018, pas incidenteve në Buenos Aires gjatë ndeshjes së kthimit midis River Plate dhe Boca Juniors.
Atëherë, pa shumë kohë për përgatitje, organizimi rezultoi një sukses i plotë, që konsiderohet një garanci e fortë për organizatat.
Sa për informatë, Spanja ka luajtur herën e fundit në “Bernabéu” më 2024 në një miqësore kundër Brazilit (3‑3), ndërsa ndeshja e fundit e Argjentinës ndaj “La Roja” ishte po në Madrid, në stadiumin “Metropolitano”, më 2018 (6‑1). /Gazeta Express