Filmreview / Të indinjuarit - Gazeta Express
string(25) "filmreview-te-indinjuarit"

Filmreview / Të indinjuarit

Arte

Gazeta Express

06/05/2022 17:36

Rreth filmit ‘Indignation’, të James Schamus, bazuar në romanin e Philip Rot-it, ‘Inati’

Nga: Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

Letërsia është zhgënjimi i njeriut i shprehur si art. Ajo na jep mundësi që të çlirohemi nga komplekset. Ajo nuk na lë të na mbuloj pluhuri i harresës, prandaj, është britma kundër harresës. Letërsia është e sotmja e cila rrëfen për të nesërmen, për të cilën jemi brengosur dje. Ajo insiston rrëfimin, në estetikën e rrëfimit, në makthin e tij. Letërsia përshkon skutave të errëta të ndërgjegjes njerëzore, të brishtësisë, të zemërimit, dashurisë, fajit etj. Pra, ndërgjegjja e njeriut është përherë në ankth dhe letërsia insiston të jetë skriba e këtij ankthi. Një formë të re, një zhbirim të tillë e bën edhe regjisori James Schamus në filmi Indignation, që është i bazuar në librin me po të njejtin emër të shkrimtarit amerikan Philip Roth (ky roman është përkthyer në gjuhën shqipe me titullin; Inati). Regjisori James Schamus në një mënyrë sa të thellë po aq estetike e shtrin në shiritin filmik indinjatën e Roth-it. Për më tepër mendoj se Schamus duke e ekranizuar librin e Roth-it, ai do të krijoj po ashtu diçka që gjithsesi do t’mbartë me vete një origjinalitet.  

Ishin vitet e ’50-ta, ku shoqëria amerikane po kalonte një krizë të thellë. I riu Marcus Messner, është biri i një kasapi hebre. Ai është i rritur në një familje me rregulla strikte. Gjithçka është nën kontrollë…, sidomos Marcus-i. Nga frika se do ta humb, babai i tij gjatë gjithë kohës Marcus-in e mban nën survejim. Një kontroll kaq i rreptë djaloshin e irriton. Pasi që lufta kishte filluar dhe kërkoheshin që të rinjtë të angazhoheshin në të, ‘kasapi’ vendos që Marcus-in ta dërgojë në universitet. Meqenëse, ishin një familje hebreje, vendosin që djalin ta regjistrojnë në një universitet ku rregullat janë shumë rigoroze. Marcus shpejt do të ballafaqohet me pakënaqësitë kulturore dhe shtypjen seksuale. Me të mbërritur në dhomën ku i’u ishte caktuar paraprakisht, Marcus gjen edhe dy student, po ashtu hebre (jo rastësisht), me të cilët nuk gjen mirëkuptim dhe shumë shpejt detyrohet që ta gjejë një dhomë tjetër. Që në ditën e parë e kupton se duhet të shkojë në faltore për ta dëgjuar fjalimin e Dekanit të kolegjit, gjë e cila e habit. Madje, nga kolegët e tij i bëhet me dije se pjesëmarrja në këtë ngjarje është kushti për t’u diplomuar. Mirëpo, si karakter sa i ndrojtur po aq kundërshtues që ishte, Marcus nuk pranon t’i nënshtrohet një forme të tillë. Studimi i pandërprerë e bën sa kokëfortë po aq edhe rebel. Edhepse është nga një familje hebreje, e përkushtuar ndaj hyjnores, i riu Messner është një ateist i vetëshpallur. Ateizmin e tij, Marcus e mbështet në teorinë e Bertrand Russell, pikërisht tek eseu i tij, Pse unë nuk jam një i krishterë?.   

Mbase një ndër skenat më të fuqishme në film është debati me Dekanin e kolegjit, Dean Caudëell, i cili kërkonte nga Marcus që t’i ndjek lutjet e mëngjesit. Mirëpo, si ateist që ishte, Marcus kundërshton fuqishëm pjesëmarrjen e tij në shërbesën e kapelës. Për Dekanin edhe përkundër se Marcus është ndër më të shkëlqyeshmit në mësime dhe po ashtu i sjellshëm, këto nuk përbëjn ndonjë rëndësi, karrëshi faktit që Marcus nuk i ndjek ritet fetare që i kërkon kolegji i Dekanit. Debati tensionohet kur Dekani insiston të ‘dijë’ se për ç’arsye Markus nuk e praktikon fenë dhe përgjigjja e këtij të fundit pa asnjë hamendësim është: …sepse nuk kam preferenca që ta praktikoj asnjë besim. Mbase në këtë pikë Dekani si me një dashamirësi prej Jezusit (sic!), kërkon ta dijë se kujt i lutet Marcus? Prej nga e merr ai ushqimin shpirtëror, sepse, ta kemi të qartë, pushteti, në këtë rast shkolla, çdoherë brengoset për ne. Ajo brengose nëse kemi deficite në mëlmesat për ta ushqyer shpirtin në mënyrën që ajo insiston?! Siç shprehet Foucault se: Shkolla ka funksione sociale të njëjta si burgjet dhe institucionet mendore që shërben për të përcaktuar, klasifikuar, kontrolluar dhe rregulluar njerëzit. Pra, shkolla është një nga levat për mirëmbajtjen e pushtetit. Dekanin e shqetëson fakti, pra jashtë mase e shqetëson ‘izolimi’ i Marcus-it dhe ai është këmbëngulës që atë ta “socializojë”, d.m.th., ta bëjë të dëgjueshëm, pse jo edhe të besojë. Mirëpo, pozicionet argumentative të Marcus-it nuk janë vegime të një të riu aventurier. Argumentet e tij janë shpirti i karakterit të tij, janë bota e tij, janë vet ai.

Po ashtu, filmi trajton edhe marrëdhënien e Marcus-it me Olivia Hutton, ndaj së cilës ushqen sa një dashuri të fuqishme, po aq edhe një pasiguri të madhe. Dashuri, sepse ishte hera e parë që po krijonte marrëdhënie me një vajzë, dhe pasiguri, sepse në të njëjtën kohë ndihej i vetmuar në kolegj dhe në anën tjetër sjelljet e Olivias e friksonin se do ta humbiste. Duke marrë parasysh se Marcus kishte dashuruar vetëm njëherë dhe ajo ishte Olivia, raporti i tij me atë u bë shumë sensitiv. Marcus çdoherë kishte një ndjenjë se Olivia nuk është vetëm e dashura e tij. Ai mendon se ajo është një e përdalë, në të cilën ky është dashuruar marrëzisht. Dhe çuditërisht ky moment sa i çuditshëm, po aq paradoksal e përshkon pastaj tërë marrëdhënien e tyre. Kur Marcus i kërkon Olivias që të rrëfej për babanë e saj, ajo acarohet përnjëherë. Një acarim të tillë ai nuk e kuptonte fillimisht, sepse nuk e dinte se po ia kërkonte që të rrëfej për një gjendje incestuale. Më vonë këtë Marcus filloi ta kuptonte, bile-bile edhe duart e prera në kyçe që transmetojnë një tentimvrasjeje në të kaluar filloi ta mirëkuptoj. Por, e ëma e Marcus-it e kupton ndryshe. Të prerat të tilla asaj ja kujtojnë një veprim të lig, e që mbrapa këtij veprimi fshihet një ngjarje e ndyrë. Kaq është horizonti i së ëmës, sepse kaq ishte dhe është horizonti i të kuptuarit edhe i shoqërisë. Nuk ka lidhje se si dhe çfarë drame të ka ngjarë ty. Ajo që ka lidhje janë filtrat e shoqërisë se si e nxjerrin këtë. Përshtypja e shoqërisë bëhet gjykimi për ty. Rregulli që ajo ka ndërtuar bëhet burgu yt, vdekja jote. Pasiqë e ëma i kërkon që të ndahet nga Olivia, ose në të kundërtën ajo do të divorcohej nga babai i tij, Marcus pothuajse e humbë vullnetin për të jetuar.

I gjendur në situata paradoksale, përballë një shoqërie e cila për hir të mosprishjes së rregullave shoqërore, për hir të ruajtjes së nderit të familjes tanimë të çnderuar, shkatërron çdo marrëdhënie individuale. I përballur me mediokritetin të veshur me moral dhe pushtet, Marcus vendosë që të shkoj në luftë. Ai nuk dëshiron të shkoj të luftoj, sepse ai nuk e dëshironte luftën. Është shoqëria, ap hipokrizia e saj që ia kishte zgjedhur këtë rrugë, shoqëria më idiotësitë e saj që e vendosë në një pozicion të tillë. Prandaj, lufta për të nuk ishte në Kore (atje edhe ku zhvillohej realisht), sepse atje nuk ishin armiqtë e tij, madje as këtu (në kolegj) nuk kishte armiq, për më tepër nuk kishte armiq fare. Për këtë ai nuk do të shkoj në luftë për të vrarë. Ai vendosë të shkoj në luftë që të vdiste, pasi që rrethi ku jetonte tanimë e kishte vrarë. Ç’kuptimsimi i ekzistencës së tij e bën të pakuptimtë jetesën, andaj dhe duhej dhënë fund.

Filmi Indignation na tregon fuqinë që mbartin me vete rregullat shoqërore dhe se kur këto rregulla apo këto zakone kur i qëndrojnë besnike rendit arkaik bëhen vrastare për individin. Mbingarkesat morale, për hire të ruajtjes së pushtetit shpeshherë bëhen varri i tyre. 

/Gazeta Express