Përkitazi me filmin “V për Vendetta” të regjisorit James McTeigue, i realizuar në vitin 2005
Dritan Dragusha
Filmi V për Vendetta* paraqe një shoqëri dystopike. Një parti e vetme politike, Partia Norsefire, është forca e vetme politike e pakontestueshme. Pasi u zgjodh në mënyrë demokratike, regjimi i Norsefire, orkestroi një dhunë dhe kontroll të rrept që dërgoi në forcimin e pushtetit të presidentit të sapozgjedhur në rolin e Kancelarit të Lartë (luajtur nga aktori John Hurt), në një diktator. Në këtë shoqëri dystopiane, Anglia ka përjetuar shpërthime të virusit, dështime në kulturë, si dhe terror nga regjimi. Nëpërmes aparatit të dhunës realizohet uniteti, e që gradualisht ky unitet arrihet dhe shëndrrohet në bindje. Duke rritur patriotizmin e zbrazët dhe fundamentalizmin fetar në nivele të reja, qeveria e re kontrollon qytetarët përmes frikës dhe konformitetit. Regjimi i Norsefire i ka suprimuar liritë qytetare, ka eliminuar diversitetin kulturor dhe atë fetar. Kritikët politikë u arrestuan ose u vranë.
Përballë terrorit dhe frikës në rritje, qeveria u premton mbrojtje qytetarët në këmbim të bindjes së tyre ndaj saj. Sigurimin e kontrollit absolut qeveria e bën nëpërmjet përdorimit të pesë degëve kryesore të saj. Syri dhe veshi janë dy degë të qeverisë, përgjegjëse për spiunimin e qytetarëve. Goja simbolizon makinën e propagandës, që vepron nën Rrjetin Televiziv Britanik (BTN). Finger dhe Fingermen përfaqësojnë aspektin e qeverisë që është përgjegjëse për arrestimet, torturimin dhe asgjësimin e individëve problematikë. Kurse, hunda është përgjegjëse për hetimin e armiqve të shtetit dhe kryerjen e punëve të tjera detektive. E gjithë kjo makineri ka bërë që qytetarët të kenë frikë nga qeveria, por, gjithashtu, edhe regjimi i Norsefire ka frikë nga kollapsi dhe korrupsioni i brendshëm.
Heroi i filmit, V (luajtur nga aktori Hugo Weaving), nëpërmes akteve të tij anti-estabilishment mundohet t’i iluminojë masat, t’i nxjerr ata nga kapërthimi që u ka bërë qeveria. I fshehur mbrapa një maske, V, përveç akteve kamikaze, ai shfaqet edhe përmes ekraneve gjigante, ku iu bën thirrje qytetarëve të çlirohen nga frika dhe ta luftojnë të keqën. Iluminizmi i shfaqur përmes këtyre fjalimeve jep të nënkuptoj se V, ka një projekt që i tejkalon egot personal, dhe shpërfaqë dëshirën e një përmbysje revolucionare. Ai thotë se: Njerëzit nuk duhet të kenë frikë nga qeveritë e tyre, por qeveritë duhet të kenë frikë nga qytetarët e tyre. Pra, V luan rolin e protagonistit revolucionar, e njeriut iluminist, që lufton për t’i nxjerrë njerëzit nga errësira e frikës që i ka futur qeveria diktatoriale. Në emër të çlirimit të njerëzve nga diktatura, V kërkon hakmarrje, po ashtu, në emër të lirisë dhe lirisë së shprehjes, V si një prototip i iliministit, kërkon nga qytetarë bindje. Madje edhe vet skena e fundi në filmit tregon se si qytetarët e përmbysin regjimin e Norsefire, por krejt kjo është nën uniformitetin e maskës që gjatë gjithë kohës e mbanë protagonisti i filmit V. Prandaj, filmi V for Vendetta, na tregon se si ata të cilët në emër të përndritjes sonë, të çlirimit nga pushtetet represive, na fusin nën mekanizmat e uniformitetit dhe të bindjes rrobotike. V for Vendetta paraqet të dy anët e së njejtës medale, sepse aty na paraqitet se edhe diktatori – pra, ai që përmes dhunës i nënshtron njerëzit edhe revolucionari – i cili po ashtu përmes dhunës u premton çlirimin e tyre. Pra ky film na tregon se si edhe diktatori edhe revulucionari ndajnë të njëjtin shtrat.
/Gazeta Express