Përkitazi me mini-serinë satirike “The Philosophers’ Football Match” nga Monty Python.
Dritan Dragusha
Monty Python janë të njohur në botë për humorin, ironinë satirën tipike angleze. Ata për gjatë shumë viteve kanë zhvilluar një lloj të hollë të humorit që sot njihet si humori i Monty Python-ave’. Në mini-serinë e tyre “Philosophers football” të realizuar më 1972, Monty Python paraqesin ekipin e përbër nga filozofët e Greqisë antike dhe filozofët e Gjermanisë, që ndeshën në një lojë futboll, në finalen për kupën e botës. Në këtë ndeshje fiton Greqia dhe bëhet kampion i botës në futboll. Ndër pjesmarrësit në fushë janë Arkimedi – golashënuesi i vetëm që i solli fitore ekipit grek, Sokrati, Kanti, Hegeli, Niçe, Marx-i i paknaqur, i cili me t’u futur në lojë ndëshkohet me kartonin e kuq.
Mirëpo, ajo çka në të vërtetë na paraqesin Monty Python me këtë lojë të pazakont futbolli dhe veçanarisht me këtë përzgjedhje të ekipeve është pikërisht edhe esenca e kësja mini-serie. Duke marrë parasysh që futbolli është një nga lojrat me popullore në Angli, Monty Python dëshirojnë që nëpërmes kësaj loje, duke ironizuar, ta paraqesin filozofinë greke dhe gjermane. Të luash futboll është praktikë e thjeshtë, nuk ka nëvojë që të thellohesh në mendime, mirëpo, për filozofët grek dhe gjerman, sipas Monty Python, para se të fillosh llojën duhet përsijatur mbi atë se si mund të arrihet deri tek ideja për ta goditur topin.
Pra, Monty Python ironizojnë me atë se si për gjëra mjaft të thjeshta, siç është edhe një lojë futbolli, filozofët antik grek dhe filozofët gjerman ndjejn nevojën që ta komplikojnë. Sipas Monty Python, filozofët e këtyre dy ekipeve janë ata të cilët përgjatë historisë së filozofisë pothuajse çdo gjë e kanë komplikuar. Jo rastësisht në këtë fushë të futbollit janë shumica e filozofëve përfaqësues të idealizmit, të cilët me filozofinë e tyre kanë bërë që njerëzimi të arrij deri tek totalitarizmat e shekullit XX. Monty Python, mbase, këtë llojë të filozofisë e zbërthejn nëpërmes kësaj mini-serie satirike, duke e shpërfaqur si filozofi që komplikon pa nevojë gjërat që janë mjaft të qarta dhe të thjeshta njëkohësisht.
/Gazeta Express