Filmreview / Frika nga harrimi - Gazeta Express
string(28) "filmreview-frika-nga-harrimi"

Filmreview / Frika nga harrimi

Arte

Gazeta Express

24/03/2023 17:16

Duhet të fillojmë, seriozisht, që ta ndërtojmë një muze, një memorie kolektive ku do ta vendosnim kujtesën e gjithsecilit, në mënyrë që ata që nuk e dinë këtë histori, të njoftohen me të, ata që nuk kanë dëgjuar, ta dëgjojnë, ata që nuk e pranojnë, ta lexojnë dhe ata që ende nuk kanë lindur ta mësojnë. Vetëm kështu do të mund të ketë pajtim, sepse vetëm kështu do të mund të mësohet e vërteta

Dritan Dragusha

Lexo Edhe:

“Rrëfimet e vërteta shkruhen vetëm me lot.”, kështu shprehej dikur shkrimtari rumun, Emil Cioran, kur fliste për raportin e tij me harresën. Duket sikur kjo sentencë është përtej tij, përtej secilit madje, sepse ky nuk është një varg që përshkruan një individ, apo një kombi. Jo! Është varg që përshkruan një gjendje, një ndjenjë që në terma etikë i përket metafizikës së pafajësisë, e asaj pafajësie që nuk ka kujt t’i drejtohet dhe mbetet sikur një ishull që përbrenda ka një vullkan i cili vazhdimisht vjell zjarr. Ky varg duket se është shkruar për ata që nuk duan të harrojnë dhe për ata që s’mund të harrohen (megjithatë, Cioran këtu flet se si ai dëshiron të harrohet). Harresa është më e keqe se vdekja. Luftojmë me çdo kusht që të kujtojmë, e t֝ë kujtohemi. Edhepse shpeshherë kujtesa na shkakton dhimbje. “Rrëfimet e vërteta shkruhen vetëm me lot”, duket se është shkruar për ata që i mbijetuan Holokaustit, të cilët besonin se harresa e asaj katrahure ishte më e tmerrshme sesa dhomat e gazit. Pse? Sepse, nëse harresa triumfonte mbi kujtesën, atëherë, si do të mund të përshkruhen përjetimet e tmerrit të miliona hebrenjve që i detyronin drejt vdekjes. Ata që i mbijetuan krimeve të nazizmit ishin shumë të ndërgjegjshëm për atë që ju ndodhi dhe morën përgjegjësi që mos ta harrojnë, por ta kujtojnë.

“Në komunitetin tonë na është dhënë një detyrë e veçantë…, t’i kujtojmë emrat e të vdekurve. Këta emra i ruajtëm në kujtesë, përmes një kënge. Meqenëse kishte shumë emra, u zgjodhën dhjetë të moshuar si grupi i kujtesës. (…) I kthyen emrat në këngë që zgjaste pesë ditë, për t’i mbajtur në mend më lehtë dhe pesë rabinë (sepse pesë rabinët tjerë u vranë, e me ta shkuan edhe emrat që ata i kishin në kujtesë), me radhë çdo vit e këndojnë këtë këngë”, kjo është një pjesë nga filmi The Song of Names, i regjisorit François Girard, kur flet për Treblinkën, kampin e përqendrimit gjatë Luftës së Dytë Botërore. Nëpërmes këngës i shpallet luftë harresës. Askund dhe askush nuk e ka shkruar me mirë se sa populli hebre historinë e të mundurve, historinë e të vdekurve. Jo të heronjve, por të viktimave. Thuhet se historinë e shkruan i forti, ama me gjakun e viktimave. Edhe manipulatori bëhet pjesë e asaj historie po me gjakun e viktimave. Po kush e shkruan historinë e viktimave? Normalisht që i forti (sic!), vetëm se i shndërron të gjithë në numra. Viktimat nuk llogariten si njerëz, si cilësi, por si numra, si sasi. Merrni dhe shikoni librat e historisë, aty do t’i gjeni ‘heronjtë’ që kanë emra dhe mbiemra, madje të gravuar edhe në gur e bronze. Mirëpo, shkoni te viktimat, nuk do ta gjeni as një emër për bé. Të gjithjanë numra.  Me qindra, mijëra e miliona numra që shënjojnë viktimat e pafajshëm. Njerëz të shndërruar në numra vdekjeje, kurse hebrenjtë ishin njerëz të gjallë që i kishin shndërruar në numra. Por, jo. Ata si të gjallë e si të vdekur ishin viktima. Ata që nuk i shpëtuan vdekjes, nuk mbetën në numra nga ata që mbijetuan. Të mbijetuarit ua rikthyen emrat të vdekurve, ua hoqën numrat, pra ua dhanë dinjitetin që e kishin para se vrasësi t’i shndërronte në numra.

Edhe ne këtu në Kosovë patëm një luftë me mijëra viktima, dhe shumë heronjë. Pllaka e gurë mermeri me lloj-lloj formash, emra të gravuar me lloj-lloj fontesh, nëpër libra të historisë, madje këtu bëhet garë mes të gjallëve për ta futur secili heroin e vet brenda kopertinave të historisë (sic!). Kurse viktimat e tjera disa janë të vdekur (afro 13000), disa të dhunuara seksualisht (flitet për rreth 20000 gra), disa të dhunuar seksualisht (flitet për rreth 1000 burra), shumë të zhdukur, e shumë të sakatuar. Gjithë këtyre viktimave askush emrin nuk ua di (përveç të afërmve të tyre). Për ta nuk flitet si për të parët, por flitet si për të vdekurit, pra, si numra. Kur njeriun e shndërrojmë në numër, krijon një distancim emocional me të, sepse numri nuk ngjall emocion dhe kjo ishte një nga mënyrat që regjimi nazist kishte krijuar distancim më njerëzoren kur hebreve u shlyente emrat dhe u vendoste numrat. Është ndryshe të thuash ma sillni filan fishekun para skuadrës së pushkatimit, e ndryshe të thuash se sot në turnin e natës në krematorium i futëm numrat nga 1209 deri te numri 2358. Ndryshe është kur dikush të thotë se ma kanë vrarë çikën, djalin, nënën apo babanë, e ndryshe është kur themi se në luftën e fundit në Kosovë okupatori serb la të vdekur afro 13mijë viktima. E para të ngjallë emocion, kurse e dyta të informon.

Pra, ka ardhur koha që t’u japim të vdekurve mundësinë, që mos të vdesin përjetësisht nga harrimi. Nëse jetën ua mori armiku, ne po ua mohojmë të drejtën që të kujtohen. Armiku i vrau fizikisht, ndërsa ne, duke mos i kujtuar, po i vrasim edhe metafizikisht. Që nga paslufta, kush më pak e kush më shumë, e të gjithë tepër, jemi mburrur me lavdin prej fitimtarit. Me tonelata mermer, beton e bronz e kemi rënduar tokën, duke piskatur sikur këndesi mbi pleh, se sa të fortë ishim, a në fakt të gjithë, i madh e i vogël, luftëtarë dhe refugjatë, të rënë me pushkë, e të vrarë në fushë, që të gjithë ishim viktima. Ata që vdiqën, e ne që shpëtuam, apo na shpëtuan, ishim dhe jemi viktima dhe kjo nuk duhet të na bëjë të ndihemi keq para askujt, e as para vetës. Në fakt, atyre që na bënë një gjë të tillë duhet t’u vijë turp. Neve nuk na ndihmuan për shkak se ishim të fortë, por sepse ishim viktima të një dhune të çmendur.

Prandaj, sikurse te filmi i lartcekur, The Song of Names, që përmes këngës kujton emrat e viktimave, edhe ne duhet të fillojmë, seriozisht, që ta ndërtojmë një muze, një memorie kolektive ku do ta vendosnim kujtesën e gjithsecilit, në mënyrë që ata që nuk e dinë këtë histori, të njoftohen me të, ata që nuk kanë dëgjuar, ta dëgjojnë, ata që nuk e pranojnë, ta lexojnë dhe ata që ende nuk kanë lindur ta mësojnë. Vetëm kështu do të mund të ketë pajtim, sepse vetëm kështu do të mund të mësohet e vërteta.