Fikja e zjarrit për lëvizjet kulturore - Gazeta Express
string(38) "fikja-e-zjarrit-per-levizjet-kulturore"

Arte

Gazeta Express

11/05/2023 15:08

Fikja e zjarrit për lëvizjet kulturore

Arte

Gazeta Express

11/05/2023 15:08

Sipas doktrinës komuniste, çdo veprimtari krijuese duhet të ketë mesazh konstruktiv, mision edukativ, ideologjikisht utilitar

Arbën XHAFERI

Lexo Edhe:

Lëvizjet kulturore fitojnë peshë nëse pas tyre qëndron një mekanizëm i fuqishëm financiar dhe politik, pra shteti. Në botën perëndimore këtë çështje i rregullon tregu, sistemi kompleks i menaxherëve, mecenëve, producentëve dhe krijuesve. Në shtetet e kampit socialist, lëvizjet e ndryshme kulturore organizoheshin, financoheshin dhe kontrolloheshin prej shtetit. Kjo lëvizje në Bashkimin Sovjetik mori emrin Proletkult (Organizata Proletare Kulturore dhe Iluministe). Kjo lëvizje do të duhej të krijonte Njeriun e Ri, të virtytshëm sovjetik. Sipas doktrinës komuniste, çdo veprimtari krijuese duhet të ketë mesazh konstruktiv, mision edukativ, ideologjikisht utilitar. Një mori krijuesish të mëdhenj, duke filluar prej regjisorit antologjik Ajnzejshtajnit, letrarëve, Gorkit, Sholohovit, Aragonit, kompozitorit Hans Eisleri, e deri te piktori B. Vladimirov u vënë në shërbim të formësimit të lëvizjes kulturore që mori emrin “Realizëm socialist” e cila përcaktoi standardin që vepra artistike nuk mund të jetë në funksion të vetvetes (L’art pour l’artisme), por në shërbim të popullit, pra të ketë funksion edukativ shoqëror. Në skulpturë, madje u përurua vlera e pestë estetike-heroikja: çdo luftëtar, punëtor merrte dimensione markante, ashtu si i ka hije Njeriut të Ri Sovjetik.

Por, problemi nuk qëndron këtu, ngaqë edhe në SHBA shkruhen romane edukative, xhirohen një varg filmash edukativë që, pa dyshim, kanë ndikim pozitiv shoqëror. Problemi qëndron te doktrina, dogma e NJËSHIT, të parit në shtet: një ideologji, një udhëheqës, një stil, një shkrimtar, një kompozitor, një poet, një skulptor shtetëror, i cili në mënyrë të denjë i mishëron në krijimtarinë e tij përcaktimet e artit socialist. Pra, dallimi ndërmjet sistemit komunist të vlerave dhe atij demokratik, variacionesh të ndryshme, qëndron te parimi i diversitetit: i pari atë e percepton si rrezik, ndërkaq i dyti si kusht, pa të cilin nuk mund të funksionojë liria, sistemi në tërësi.

Dy luftërat botërore, tragjedinë që shkaktuan ato, zbulimi i krimeve masive të ndodhura në sistemet komuniste, terrorizmi, zgjerimi i vlerave të shoqërisë së konsumit, shkatërrimi i ambientit dhe përfundimisht globalizmi disi e ngulfatën optimizmin e mendimtarëve të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX. Dëshpërimi e zëvendësoi utopinë. Kjo dukuri, ky dyshim në progresin e pandalshëm u përhap sidomos në sistemet, u thënçim komuniste. Këtë klimë dëshpëruese, defetiste dhe të pashpresë e përshkruan në mënyrë gjeniale shkrimtari polak, nobelisti Çesllav Millosh në veprën “Mendja e robëruar” (1962).

Sidomos globalizmi instaloi rregullat në tregun e përgjithshëm që përfundimisht i rrënoi, jo vetëm ëndrrat romantike, por edhe konceptet mbi artin. Në këtë treg të përbindshëm që vlon nga ofertat, nivelesh kulmore, pjesa dërmuese e krijuesve të ish-kampit socialist nuk dinë si të sillen, si të adaptohen. Ata jo vetëm që humbën statusin shoqëror, integritetin dhe autoritetin, por edhe besimin në krijimtarinë e tyre. Në këtë klimë u fik edhe zjarri për lëvizjet kulturore./Hejza