FIFA i rekomandoi FFK-së ta lejojë Crvena Zvezdës të hyjë në Kosovë


load
Gazeta Express
18 Tetor 2019 21:22

Ndalja e Crvena Zvezdës në kufirin e Jarinës bëri jehonë të madhe në Kosovë e kryetari i FFK-së, Agim Ademi, ka zbuluar se FIFA u kishte rekomanduar të mos e ndalte futbollin.

I ftuar në emision sportiv në T7, “Favorit”, sonte është presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, për të diskutuar për gjasat e Kosovës për kualifikim në EURO 2020, dyshimet për keqpërdorime me biletat e Kosovës, pozitën e tij si kryetar i FFK-së dhe gjendjen brenda Federatës, shkruan Gazeta Express.

Ndeshja e planifikuar të zhvillohet në Kosovë mes klubit serb Crvena Zvezda dhe klubit serb nga Kosova, Trepçës – në kuadër të Kupës së Serbisë – u pamundësua nga FFK-ja Policia e Kosovës, që i ndaloi futbollistët, stafin dhe tifozët e Zvezdës në kufi.

Vendimi për të mos e lejuar Zvezdën të hyjë në Kosovë u mor pasi që Federata kosovare insistonte se ajo është e vetmja që mund të organizojë ndeshje zyrtare në territorin e Kosovës.

Megjithatë, tani presidenti i FFK-së, Agim Ademi, ka bërë të ditur se FIFA u kishte dërguar letër ku rekomandohej të mos ndalohej futbolli, rrjedhimisht ta lejonte zhvillimin e ndeshjes në fjalë.

“E falënderoj këtu Policinë e shtetit që e kanë zbatuar vendimin tonë dhe nuk do ta lejoj asnjëherë një klub serb të zhvillojë gara zyrtare në territorin e Republikës së Kosovës”, ka thënë Ademi në “Favorit”.

“Mund të vijnë klubet serbe në Federatën tonë, mund të vijnë cilido klub nga bota për të zhvilluar ndeshje miqësore apo humanitare. Ne japim leje për këtë punë, mirëpo jo në këtë mënyrë”.

“FIFA na ka inkurajuar neve që nëse keni mundësi mos e ndaloni futbollin. Kjo ka qenë sepse është parimi i FIFA-s, “Të gjithë për futbollin”, ndërsa UEFA s’ka pasur asnjë lloj dokumenti apo kërkesë. Madje s’kemi pasur kërkesë as nga Federata Serbe për ta zhvilluar këtë ndeshje”.

Zvezda ishte nisur në Kosovë duke thënë se kishte marrë leje nga FIFA dhe liderët e saj, por edhe ata politikë të Serbisë, e kërkuan përjashtimin e Kosovës nga UEFA e FIFA pas kësaj ngjarjeje. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart