FFK-ja nënshkruan marrëveshje bashkëpunimi me federatën gjermane


load
Gazeta Express
14 Tetor 2019 14:45

Federata e Futbollit e Kosovës (FFK) ka nënshkruar një marrëveshje gjithëpërfshirëse bashkëpunimi me Federatën e Futbollit të Gjermanisë të hënën në Prishtinë, e cila përfshinë shkuarjen e ekipeve kombëtare të grupmoshave të reja në kampet e Gjermanisë, si dhe edukimin e gjyqtarëve, trajnerëve dhe administratorëve të FFK-së.

Marrëveshja u nënshkrua nga presidenti Agim Ademi dhe në emër të DFB-së nga presidenti i Federatës së Futbollit të Sachsenit, Hermann Winkler.

Me këtë rast presidenti Ademi u shpreh tejet i lumtur me nënshkrimin e kësaj marrëveshje, teksa theksoi se marrëdhëniet ndërmjet FFK-së dhe DFB-së janë shumë të mira.

“E falënderoj shumë delegacionin gjerman sepse është një marrëveshje dhe një përkrahje e pa rezervë e Federatës së Futbollit të Gjermanisë që po na e jep tash e sa vjet. E falënderoj edhe ambasadorin e nderit të Kosovës dhe njëherësh nënkryetarin e nderit të DFB-së, Rainer Milkoreit, për punën që e ka bërë për ne. Kjo marrëveshje është përgatitur tash e 6 muaj dhe nga e cila futbolli ynë do të përfitojë shumë”, theksoi Ademi.

Ndërkohë, presidenti i Federatës së Futbollit të Sachsenit, federatë në kuadër të Federatës Gjermane, Herman Winkler u shpreh se kjo marrëveshje do t’i ndihmojë shumë Kosovës dhe ata do të vazhdojnë ta përkrahin FFK-në.

“Unë kam respekt të jashtëzakonshëm për të arriturat e juaja, në veçanti në futboll dhe në sport, kur e dimë të gjithë se nëpër çfarë periudhe të vështirë keni kaluar. Një popull i dalë nga lufta, një popull i cili i ka pasur një mijë telashe tjera dhe sot me futboll jeni duke e bërë të lumtur jo vetëm popullin e juaj, por jeni duke na bërë krenar edhe neve që po bashkëpunojmë me ju”, tha Winkler.

Ndërkaq, nënkryetari i nderit i Federatës gjermane të Futbollit, Rainer Milkoreit theksoi se Gjermania gjithmonë do të jetë partner i Kosovës.

“Federata e Futbollit të Gjermanisë ka qenë dhe do të mbetet një ndër partnerët më të sinqertë dhe me të besueshëm të Federatës së Futbollit të Kosovës. Si në kohën e të ndjerit Fadil Vokrrit, po ashtu edhe tek Agim Ademi çdo gjë është duke funksionuar në mënyrën më të mirë të mundshme dhe ne do të vazhdojmë t’iu përkrahim pasi që vërtetë është duke u bërë një punë e mirë në FFK”, tha Milkoreit.

“Është kënaqësi shumë e madhe për punën që është bërë brenda këtyre tri viteve në FFK. Para katër viteve nuk keni mundur të dilni në arenën ndërkombëtare, keni ëndërruar për të qenë pjesë e garave evropiane, ndërsa në tri vitet e fundit ju keni arritur suksese shumë të mëdha dhe keni arritur t’i mblidhni edhe yjet më të mëdha të futbollit që luajnë në Evropë, e që edhe në të ardhmen do të jenë pjesë e Kombëtares së Kosovës, prandaj në emër të Federatës së Futbollit të Gjermanisë ju them se FFK ka një mbështetje shumë të madhe nga Federata e Futbollit të Gjermanisë”, u shpreh ai. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart