FFK: “Do të bisedojmë me FIFA-n dhe UEFA-n për ndërhyrjen e prokurorisë për shitjen e biletave”


Gazeta Express
17 Tetor 2019 17:44

Është bërë rutinë që biletat e ndeshjeve të përfaqësueses së Kosovës të shiten brenda pak minutave. Për këtë kanë nisur hetimet nga Prokuroria e Shtetit por deri tani nuk është njoftuar Federata e Futbollit të Kosovës, të cilët thonë se interesimi i madh i tifozëve është krenari por në anën tjetër ka filluar t’i bezdisë dhe t’ia ‘nxin jetën’.

Siç dihet, prej se Kosova ka nisur të zhvillojë ndeshje miqësore, e edhe më shumë pas pranimit në UEFA e FIFA, në çdo ndeshje të zhvilluar ka pasur telashe dhe ankesa me shitjen e biletave.

Shumë dashamirë të futbollit ankohen se po mbesin pa bileta në prag të ndeshjeve kur Kosova po luan si vendas në stadiumin “Fadil Vokrri”, në Prishtinë.

Një pjesë e madhe të qytetarëve të Kosovës janë ankuar për mënyrën e shitjes të këtyre biletave nëpërmjet sistemit online “tiks.app”, bileta këto të cilat pas një kohe të shkurtër kanë përfunduar në tregun e zi me çmime marramendëse.

Pas të gjitha këtyre ankesave, prokurori i shteti ka nisur hetimet rreth mënyrës se si po shiten këto bileta. Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Prokurorisë së Shtetit, Ekrem Lutfiu, i thotë për KosovaPress, se tanimë informatat e para janë mbledhur dhe janë përcjellur tek Gjykata Themelore e Prishtinës për të vazhduar tutje me procedurat.

Lutfiu: Kemi nisur hetimet për çështjen e biletave

“Ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit, bazuar në lajmet e publikuar në media, ka filluar grumbullimin e informatave në mënyrë që të verifikohen dyshimet e ngritura për shitjen e biletave për ndeshjen e zhvilluar nga kombëtarja e Kosovës. Të gjitha informatat të cilat i kemi marrë, i kemi dërguar në Prokurorin Themelore në Prishtinë, pasi që është kompetencë e Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe atje do të vazhdohet procedura hetimore lidhur me këtë çështje. Për momentin është vetëm fillimi apo saktë, kemi filluar me grumbullimin e informatave, ende nuk kemi diçka konkrete por është çështje shumë më rëndësi që është marrë iniciativa nga Prokurori i Shtetit për t’i filluar hetime duke pasur parasysh, të gjitha ankesat e vazhdueshme të qytetarëve për mos krijimin e mundësisë për t’u pajisur me bileta”, tha Lutfiu.

Mirëpo Federata e Futbollit të Kosovës nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtare nga ky prokuroria. Një gjë të tillë për KosovaPress e thotë sekretari i përgjithshëm i Federatës së Futbollit të Kosovës, Eroll Salihu.

Ai ndër tjerash pohon se deri më tani ky institucion nuk ka pranuar asnjë shkresë zyrtarë. Sipas tij, kjo ndërhyrje e organeve të drejtësisë nuk i shërben fare mirë sportit të futbollit të Kosovës, e lërë më tani, ku Kosova është duke kaluar në një formë jashtëzakonisht të mirë.

Salihu: Nuk kemi kurrfarë shkrese zyrtare nga Prokuroria e Shtetit

“Nëse ka indicie për keqpërdorim duhet me qenë e bazuar në fakte shumë të rëndësishme. Kjo është ndërhyrje dhe ne sigurisht që do të bisedojmë edhe me FIFA edhe UEFA, ia kemi çelur këtë temë sepse po e shpjegoj shkurt mënyrën e shpërndarjes. Unë nuk merrna me këtë, është “ticket oficer”, komiteti ekzekutiv e tjerë, dy tre persona që merren po iu them kështu, biletat ia kemi dhënë një kompanie, biletat që janë për shitje, janë me kontraktuesin, ai bënë shitjen online, përgjegjësia e tyre është ekskluzive. Ne e kemi marrë vendim, komitetit ekzekutiv, jo ne që me i shit më së shumti tri bileta për një person. A mbushet sistemi, ne kemi informata që rreth 130 mijë persona kanë aplikuar për 10-11 mijë bileta. Kjo i bie që çdo i 13-i blen biletë. Kjo është një krenari që kemi kaq shumë tifozë por në anën tjetër ka filluar të na bezdisë edhe të na nxin jetën, për arsye se ne nuk mundemi me krijuar një s tadium me 100 mijë shikues që do të ishte e mrekullueshme, pra ka filluar kjo me na nxi jetën çdoherë e më shumë “, tha fillimisht Salihu.

Salihu shtoi se nëse prokuroria ka nis të merret me një gjë të tillë, atëherë le të shkojë deri në fund dhe të sqarohet mirë e gjërë kjo çështje e shitjes së biletave.

Salihu: Nëse prokuroria ka filluar hetimet, le të shkojnë deri në fund

“Nuk jemi përgjegjës a stërshet dikush bileta në rrugë. Kjo është punë  e policisë. Ne e kemi kontraktuesin, i shet aq sa janë edhe po e përmendi janë 13 persona për një biletë, 12 janë të pakënaqur… Po them edhe njëherë është gjë shqetësuese. Sigurisht është mirë, le të vjen edhe prokuroria le të shikon, nëse ka keqpërdorim të detyrës zyrtare, nëse dikush nga Federata ka shit bileta që janë me zero, atëherë po. Por jo vetëm nëse dëshirojnë tash një grup i kujtdo qoftë, thotë Federata nuk na shet, sa bileta po i keqpërdorë, ai nuk po e kupton se për 12 persona është një biletë dhe kështu nuk bënë. Mendoj që është tejkaluar. Është mirë që veç nëse ka marrë hetime le të shkojnë deri në fund dhe të sqarohet por jo prej lojës në lojë me shku kështu”, shtoi Salihu

Ndërkohë që njohësi dhe analisti i futbollit kosovar, Arsim Prepolli tha se për këtë problem nuk mund të fajësohet Federata e Futbollit të Kosovës. Sipas tij, më së miri këtë çështje duhet ta sqarojë vet kompania që po merret me shitjen e këtyre biletave.

Prepolli: Nuk mund të fajësohet FFK

“Unë mendoj që përgjegjësin kryesore e ka agjencioni i shitjes që e merr.  Ata duhet mi pyet se ku është problemi dhe pse po shiten kaq shpejtë, apo nuk po munden me ardhë deri tek biletat shumë dashamirë të futbollit që po klikojnë. Unë edhe vet me të thënë të drejtën kam mbetur pa biletë sepse kam klikuar por për 11 minuta u shitën të gjitha ato bileta, po më duket pak absurde, po më duket e pakuptimtë të shitën biletat kaq shpejtë… Kam dëgjuar se edhe prokuroria është duke u marrë me ta, kështu që kishte me qenë mirë me shiku se çka dhe si është puna se me të vërtet që publiku janë të mllefosur”, tha Prepolli.

KosovaPress ka tentuar gjatë ditës të marrë një përgjigje edhe nga shefi i sistemit të shitjes online të biletave “tiks.app”, Ardian Kelmendi, por ai nuk ka dashur të flas për këtë çështje.

Sipas tij, në bazë të kontratës që ka me Federatën e Futbollit të Kosovës, nuk i lejohet të jap ndonjë raport të veçantë për mediat.

Ditë më parë edhe kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati nëpërmjet një postimi në rrjetin social “Facebook” kishte reaguar duke treguar dy mënyrat se si prokuroria do ta kishte shumë të lehtë për të zgjidhur këtë çështje.

Sipas tij, e gjitha se çfarë duhet të kërkojë kompania që e ka marrë përsipër shitjen e biletave janë listën me “timestamp” për të gjithë personat që kanë arritur të blejnë biletat dhe pasqyrën e llogarisë “Merchant account”, të kompanisë.

Me këto dyja thotë se do të vërtetohej nëse është e vërtetë se biletat po shiten për një kohë të shkurtër apo këtu ka ndonjë parregullsi në shitjen e këtyre biletave.

Mbetet të shihet se si do të vazhdohet me shitjen e biletave në të ardhmen, e sidomos për ndeshjen që Kosova e zhvillon ndaj Anglisë në shtëpi, ku pritet të jetë tejet e vështirë të sigurohet një biletë.

Te fundit


Kthehu lart