FFK: Agim Ademi kërkon nga UEFA e FIFA të mos nguten për ndërhyrje në Kosovë - Gazeta Express
string(75) "ffk-agim-ademi-kerkon-nga-uefa-e-fifa-te-mos-nguten-per-nderhyrje-ne-kosove"

FFK: Agim Ademi kërkon nga UEFA e FIFA të mos nguten për ndërhyrje në Kosovë

Gazeta Express

07/12/2019 17:33

Federata e Futbollit e Kosovës ka njoftuar se presidenti Agim Ademi, gjatë takimeve që po i zhvillon në Varshavë, u ka kërkuar UEFA-s e FIFA-së të mos nguten me ndërhyrje në Kosovë, pasi që Federata është duke e menaxhuar vetë situatën e krijuar.

Federata e Futbollit e Kosovës është trazuar gjatë ditëve të fundit pasi që grupit opozitar të saj i është bashkuar edhe njëri ndër zyrtarët më të lartë të vetë Federatës, zëvendëssekretari tashmë i shkarkuar, Arianit Ahmeti, shkruan Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Ahmeti pretendon se Agim Ademi nuk ka mandat katërvjeçar deri në vitin 2022,  por vetëm deri ne vitin 2020, duke e konfirmuar vendosmërinë e tij për ta marrë postin e kryetarit në FFK.

Arianit Ahmeti thotë se e ka mbështetjen e 41 prej gjithsej 59 delegatëve në FFK për ta rrëzuar Ademin nga posti i presidentit të FFK-së.

Pretendimin e Ahmetit fillimisht e mbështeti edhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, e cila doli me një interpretim ligjor, me 17 muaj vonesë, se kuvendi në të cilin Ademi ishte zgjedhur kryetar ishte i parregullt. Nga ky interpretim u distancua ministri në detyrë, Kujtim Gashi, i cili tha se ai s’ishte qëndrim i Ministrisë dhe se personi që e kishte publikuar atë e kishte bërë pa dijeninë e të tjerëve.

Ndërkohë, për Ahmetin u mor vendim nga Komiteti Ekzekutiv i FFK-së për ta shkarkuar, pasi që u tha se ai po e shfrytëzonte postin e tij për ta dëmtuar Federatën e për ta promovuar veten.

“Presidenti Agim Ademi dhe nënkryetari Bakir Burri gjatë qëndrimit në Varshavë kanë zhvilluar takime me shumicën e delegacioneve të federatave anëtare të UEFA-s, ku morën përkrahje për tejkalimin e situatës së krijuar së fundmi, si dhe u përgëzuan për punën dhe sukseset e arritura për një kohë kaq të shkurtër pas anëtarësimit në UEFA e FIFA”, thuhet në njoftimin e FFK-së.

“Ndërkohë, në takimin me zyrtarët ligjor të UEFA-s e FIFA-s si dhe me zëvendëssekretarin e përgjithshëm të FIFA-s për çështje të futbollit, Mattias Grafstrom, presidenti Ademi ua sqaroi situatën e krijuar dhe kërkoi që të mos ketë hapa të ngutshëm nga këto dy institucione që do ta dëmtonin Kosovën, pasi KE i FFK-së dhe organet tjera të FFK-së janë duke e menaxhuar mirë situatën dhe nuk do të lejojnë ndërhyrjen e grupeve të interesit për të prishur gjithçka që është krijuar për një kohë të shkurtër dhe sidomos jo tani kur ende jemi në ndjekje të ëndrrës për kualifikim në Euro 2020”. /Gazeta Express/