Feronikeli një hap larg titullit, pas fitores në derbi ndaj Llapit


Gazeta Express
15 Maj 2019 17:54

Feronikeli e ka mundur bindshëm 3:1 Llapin në një ndeshje derbi, duke iu ofruar shumë pranë titullit kampion në Superligë një javë para përfundimit të sezonit.

Arbër Prekazi, Mendurim Hoti dhe Kastriot Rexha shënuan golat në fitoren e Niklit ndaj Llapit në javën e parafundit të Superligës të mërkurën pasdite në stadiumin Zahir Pajaziti në Podujevë, raporton Gazeta Express.

Fitorja e skuadrës së Zekria Ramadanit nënkupton se Feronikeli do të shpallet kampion i Kosovës nëse e mund apo të paktën barazon me rivalin për titull, Prishtinën, në javën e fundit të sezonit.

Kjo për shkak se edhe Prishtina ka fituar në javën e parafundit 2:0 ndaj Trepçës ’89 dhe ngel dy pikë prapa liderit.

Për Llapin, ndërkohë, shpresat për ta zënë të paktën pozitën e dytë në renditje shuhen pas kësaj ndeshje, pasi tani ngel gjashtë pikë prapa Prishtinës.

Lideri i Superligës Feronikeli e nisi takimin furishëm dhe më mirë, dhe pas disa rasteve të mira e gjeti golin e epërsinë me Arbër Prekazi që shënoi me kokë në minutën e 18-të

Megjithatë, gëzimi i vizitorëve nga Drenasi zgjati shkurt, pasi Llapi e barazoi rezultatin pas vetëm tre minutave falë një penalltie.

Festim Alidema shënoi nga pika e bardhë në minutën e 21-të.

Skuadra vizitore e nisi edhe më bindshëm pjesën e dytë, duke i shënuar dy gola të shpejtë që e vulosen fitoren e 24-të të Niklit këtë sezon.

Mendurim Hoti me një solo aksion fantastik, e ktheu epërsinë e klubit nga Drenasi në minutën e 55-të. Vetëm shtatë minua më vonë, Kastriot Rexha e dyfishoi epërsinë e vizitorëve me një gol të bukur me kokë. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart