Feronikeli me rikthim dramatik ndaj TNS rrit seriozisht shpresat për kalim në rundin tjetër të Champions


Gazeta Express
9 Korrik 2019 22:02

Feronikeli ka bërë një rikthim sensacional tejet dramatik duke e barazuar rezultatin në 2:2 ndaj The New Saints në ndeshjen e parë mes tyre në rrethin e parë kualifikues për Ligën e Kampionëve, duke i rritur seriozisht shpresat për kalim në rundin e dytë kualifikues.

Kampioni i Kosovës po humbiste 2:0 nga TNS deri në minutën e fundit të ndeshjes pas golave nga Greg Draper dhe Aeron Edwards, por dy gola të vonshëm por të shpejtë nga Mevlan Zeka dhe Astrit Fazliu e kompletuan rikthimin sensacional të Niklit të martën në Park Hall në Uells, raporton Gazeta Express.

Barazimi 2:2 në një garë të këtij karakteri është shumë i favorshëm për Niklin, pasi çfarëdo barazimi më me pak se dy gola e dërgon skuadrën nga Drenasi në rundin e dytë kualifikues në tentim për ta siguruar pjesëmarrjen në edicionin 2019/20 të Ligës së Kampionëve.

Një pjesë e parë e amullt mes kampionit të Uellsit dhe atij të Kosovës u mbyll baras pa gola, në mungesë të rasteve dhe lojës së rrjedhshme.

Me kujdes të shtuar kampioni të dy skuadrat u treguan shumë të rezervuara duke zhvilluar lojë kryesisht në mesfushë.

Megjithatë, 45 minutat e dytë nisen me tjetër qasje, sidomos nga vendasit, që kaluan në epërsi herët. Labidar Lladrovci shkaktoi penallti, nga e cila nuk gaboi Greg Draper, që ia dha epërsinë vendasve në minutën e 49-të.

Aeron Edwards e dyfishoi epërsinë në minutën e 77-të. Ai shfrytëzoi një harkim në zonë dhe hutinë në zonën e Niklit për të shënuar gol nga afërsia.

Por, kjo nuk e bëri kampionin e Kosovës të dorëzohet.

Në minutën e 89-të, Zeka shënoi një gol të bukur me kokë dhe e ktheu në lojë skuadrën vizitore.

Ndërsa rikthimin e kompletoi Fazliu që ruajti nervat duke shënuar nga penalltia në minutën e tretë të kohës shtesë.

Feronikeli e pret TNS-në në stadiumin Fadil Vokrri në Prishtinë pas një jave, dhe ka shumë gjasa të mira të kalojë në rundin e dytë kualifikues. Niklit i kryen punë fitorja me çfarëdo rezultati por edhe një barazim pa gola ose të paktën 1:1. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart