Feronikeli favorit ndaj The New Saints, sipas bastoreve botërore


Gazeta Express
16 Korrik 2019 11:02

Feronikeli është favorit për të fituar ndaj The New Saints në ndeshjen e kthimit në rundin e parë kualifikues në Ligën e Kampionëve sonte në Prishtinë, sipas bastoreve botërore.

Kampioni i Kosovës e pret sonte në orën 20:45, kampionin e Uellsit TNS, në stadiumin Fadil Vokrri, në ndeshjen e kthimit të rundit të parë kualifikues, duke ditur se ka një rezultat të favorshëm falë barazimit 2:2 më rikthim dramatik nga ndeshja e parë në Uells javën e kaluar, shkruan Gazeta Express.

Klubi nga Drenasi mund të kalojë në rundin e dytë kualifikues me çfarëdo fitore dhe madje edhe me barazim pa gola dhe 1:1. Barazimi 2:2 e çon ndeshjen në kohën shtesë dhe penallti potencialisht, ndërsa çfarëdo humbje apo çfarëdo barazimi 3:3 dhe më lart e eliminon Niklin.

Njëra prej shtëpive më të mëdha të basteve, Unibet, e sheh kampionin e Kosovës Feronikelin si favorit pasi i ka vënë kuotën 2.2 për të fituar, derisa fitores së mysafireve nga Uellsi, TNS, i vë kuotë më të lartë, 3. Barazimi vlerësohet me kuotën 3.4, shkruan Gazeta Express.

Ndërkohë, Sky bet i vë kuotë 2.1 Niklit për të fituar, barazimin e vlerëson me kuotën 3.2, ndërsa TNS-së i vë kuotën 3.4 për të fituar.

Fitues i dyfishtë në Kosovë, i ligës dhe kupës, Nikli mund ta shkruajë historinë nëse e kalon këtë rund, duke u bërë klubi i parë kosovar që arrin kaq larg në kualifikime për Ligën e Kampionëve, garën më prestigjioze evropiane për klube.

Drita e Gjilanit shkroi historinë vitin e kaluar kur e arriti rundin e parë kualifikues por u eliminua pas humbjes nga Malmo.

Në rast kalimi në rundin e dytë kualifikues, Feronikeli do të përballet me klubin danez Kobenvahn.

Por as eliminimi nuk është fundi për kampionin e Kosovës, pasi humbësi i këtij dueli do të ketë mundësi ta vazhdojë ëndrrën për kualifikim në garat evropiane.

Humbësi do të takohet me fituesin e duelit mes Slovan Bratislava dhe Sutjeska në kualifikime për garën dytësore evropiane, Ligën e Evropës. /Gazeta Express/

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart