Feronikeli e Trepça ’89, më afër finales së Digitalb Kupës


Gazeta Express
17 Prill 2019 16:52

Të mërkurën janë zhvilluar ndeshjet e para gjysmëfinale të Digitalb Kupës së Kosovës

Feronikeli dhe Trepça ’89 e kanë bërë nga një hap të madh drejt finales së Digitalb Kupës së Kosovës në futboll, shkruan Gazeta Express.

Të dyja skuadrat kanë krijuar kapital para ndeshjeve të kthimit gjysmëfinale të këtij evenimenti.

Lideri i IPKO Superligës u këndell pas humbjes në shtëpi nga Ferizaj për ta mposhtur Ballkanin në Therandë me rezultat 2:1.

Mendurim Hoti e kaloi në epërsi ekipin nga Drenasi me golin e shënuar në minutën e 30-të pasi e mori një top nga Mevlan Zeka.

E sulmuesi gjakovar e gjeti edhe vetë rrjetën në fillim të pjesës së dytë, duke shënuar me lehtësi nga afërsia.

Nga ana tjetër, skuadra e re e trajnerit Gani Sejdiu arriti ta zbuste rezultatin me golin e shënuar me kokë nga kapiteni Visar Berisha në minutën e 87-të të ndeshjes.

E “Xehetarët” në duelin tjetër gjysmëfinal triumfuan në Gjakovë ndaj Vëllaznimit me rezultat të thellë, 4:0.

Engjëll Hoti ka vazhduar me formë të shkëlqyer duke e shënuar golin e avantazhit të parë në minutën e 22-të.

Kurse, golin e dytë për mitrovicasit e ka shënuar Arb Manaj në minutën e fundit të pjesës së parë.

Golin e tretë për mysafirët e ka shënoi Arbnor Muja në minutën e 83-të të takimit.

Kurse, vulë këtij takimi i dha Traore, me golin e katërt të mitrovicasve, të shënuar në minutën e 89-të të takimit.

Gjakovarët nga ana e tyre janë treguar të pafuqishëm ndaj skuadrës gjelbër e bardhë.

Ndeshjet e kthimit do të luhen më 1 maj dhe “Nikli” e 89-shi shihen favoritë për të luajtur në mes vete në finale.

Siç dihet, fituesi i Digitalb Kupës së Kosovës luan në Europa League. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart