Feronikeli e nis sezonin me fitore të thellë kundër Gjilanit, shkëlqen Greca - Gazeta Express
string(75) "feronikeli-e-nis-sezonin-me-fitore-te-thelle-kunder-gjilanit-shkelqen-greca"

Gazeta Express

20/09/2020 15:34

Feronikeli e nis sezonin me fitore të thellë kundër Gjilanit, shkëlqen Greca

Gazeta Express

20/09/2020 15:34

Ish-kampioni i Kosovës Feronikeli e ka nisur sezonin e ri në Superligë në mënyrë mbresëlënëse, duke e turpëruar 4:0 Gjilanin të dielën në Drenas.

Bedri Greca shkëlqeu dhe e frymëzoi skuadrën e Afrim Tovërlanit drejt tri pikëve të para në ndeshjen e parë të sezonit, duke shënuar het-trik në stadiumin Rexhep Rexhepi, raporton Gazeta Express.

Lexo Edhe:

Sulmuesi nga Tirana, i cili iu bashkua Feronikeli nga Laçi këtë verë, shkëlqeu në debutimin për klubin nga Drenasi pikërisht kundër ish-skuadrës së vet.

Ai kishte qenë pjesë e Gjilanit më 2019.

Nikli, i cili pasi e fitoi titullin para dy sezoneve pati një fushatë zhgënjyese edicionin pasues duke përfunduar në mesin e tabelës, ka synime shumë më të mëdha këtë fushatë dhe këtë e tregoi kundër nënkampionit.

Klubi nga Drenasi tregoi shenja rritjeje dhe rikthimi me ardhjen e Tovërlanit në pozitën e trajnerit në fund të sezonit të kaluar.

Greca e hapi serinë e golave pas vetëm 13 minutave lojë në Drenas, kur shënoi me kokë nga një harkim i Mendurim Hotit prej kornerit.

Ai i pati edhe dy mundësi të mira, përfshirë goditjen e shtyllës, para se ta dyfishonte epërsinë e Niklit në minutën e 43-të.

Greca e kompletoi het-trikun në minutën e 54-të, para se Cezar Santos t’ia jepte goditjen e fundit Gjilanit në minutën e 90+4.

Në javën e ardhshme, Feronikeli do të udhëtojë drejt Suharekës për t’u përballur me Ballkanin, ndërsa Gjilani luan sërish në udhëtim, në Podujevë kundër Llapit. /Gazeta Express/