Federer – Nadal: Rikthehet rivaliteti


Gazeta Express
11 Korrik 2019 9:25

Pasi që Roger Federer dhe Rafael Nadal do të takohen në gjysmëfinale të Wimbledonit, Sky Sports i ka listuar momentet më kyçe të këtij rivaliteti.

Rafael Nadal e kryeson listën për më shumë fitore në betejat e drejtpërdrejta me Roger Federerin (24:15), por zvicerani e ka mundësinë ta përmirësojë këtë statistikë në takimin e tyre të parë në bar që nga finalja e Wimbledonit para 11 vjetëve, transmeton Gazeta Express.

Këto janë disa ndër takimet e tyre më të paharrueshme gjatë vjetëve të para të rivalitetit mes tyre:

Finalja e Miami Masters, 2005

Në takimin e tyre të dytë, Federeri u kthye për ta mposhtur 18-vjeçarin Nadal, pasi i kishte humbur dy setet e para. Federeri kishte qenë duke e humbur edhe setin e tretë 5-3, mirëpo u kthye fuqishëm për ta marrë titullin. Nadali e fitoi titullin e tij të parë të French Open dy muaj më vonë.

Federeri fitoi 2-6 6-7 (4-7) 7-6 (7-5) 6-3 6-1

Finalja e Rome Masters, 2006

Nadali i kishte fituar 52 ndeshjet paraprake në rërë dhe ai ishte favoriti edhe për përballjen me Federerin. Megjithatë, ndeshja nuk i shkoi spanjollit aq lehtë sa e kishte parashikuar. Federeri i kishte fituar tre Grand Slams paraprake dhe i shkoi afër asaj në Romë, mirëpo Nadali në fund doli triumfues.

Nadali fitoi 6-7 (0-7) 7-6 (7-5) 6-4 2-6 7-6 (7-5)

Wimbledon, 2007

Në një përsëritje të finales së vitit 2006, Nadali e shtyu katër-herë kampionin Federer deri në setin e pestë për herë të parë në ecurinë e 34 fitoreve radhazi të tij në Angli. Federer, i cili nuk e kishte humbur asnjë ndeshje pasi e kishte fituar setin e parë, ishte në rrezik, por në fund arriti të triumfojë përkundër tentimeve të Nadalit.

Federeri fitoi 7-6 (9-7) 4-6 7-6 (7-3) 2-6 6-2

Finalja e Wimbledonit, 2008

Federeri synon ta siguronte titullin e tij të 13-të të Grand Slams në karrierë dhe trofeun e gjashtë radhazi të Wimbledonit në njërën prej ndeshjeve të pritura me më së shumti entuziazëm në rivalitetin me Nadalin. Mirëpo, spanjolli arriti ta mposhtë Federerin.

Nadali e nisi ndeshjen duke i fituar dy setet e para, mirëpo Federeri iu përgjigj duke i fituar dy setet e radhës dhe gjithçka u vendos në setin e pestë. Shiu bëri që ndeshja të pezullohej për pak kohë, por, kur tenistët u kthyen në fushë, ishte Nadali ai që triumfoi, duke e siguruar titullin e tij të parë të Wimbledonit. Kjo konsiderohet nga shumë njerëz si ndeshja më e mirë në histori të tenisit.

Nadali fitoi 6-4 6-4 6-7 (5-7) 6-7(8-10) 9-7

Finalja e Australian Open, 2009

Federeri ishte në rrugëtim për ta fituar titullin e tij të 14-të të Grand Slams dhe ta barazojë rekordin e Pete Sampras, mirëpo Nadali ishte ranguar i pari në botë. Ai e dëshmoi pse është i pari duke e mposhtur Federerin në ndeshjen që zgjati pesë sete.

Federeri ishte mjaft i mërzitur pas kësaj disfate dhe Nadali shkoi për ta ngushëlluar. Ky titull mbetet i vetmi titull i Australian Open në karrierën e Nadalit.

Nadali fitoi 7-5 3-6 7-6 (7-3) 3-6 6-2

French Open, 2011

Kjo ishte ndeshja e tetë dhe e fundit e Nadalit dhe Federerit në një finale të Grand Slams. Pasi i dha fund ecurisë së Novak Djokovicit prej 41 ndeshjeve pa disfatë, zvicerani shpresonte se forma e tij e mirë do të mjaftonte për t’ia marrë Nadalit fronin.

Megjithatë, Nadali e nisi më mirë ndeshjen, duke i fituar dy sete. Përkundër tentimeve të Federerit për ta marrë ndeshjen në kontroll, duke e fituar setin e tretë, Nadali e dominoi plotësisht zviceranin në setin e katërt dhe e mori titullin.

Nadali fitoi 7-5 7-6 (7-3) 5-7 6-1 /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart