Fati i “administratorëve”, në duart e Ministrisë për Sistem Politikë


Gazeta Express
14 Maj 2019 15:09

Ministria e re për sistem politik do të përpiqet t’i aktivizojë nëpunësit që marrin paga ndërsa nuk shkojnë në punë.

Pasi Ministria e Shoqërisë Informatike dhe Administratës dy vite nuk arriti t’i sistemojë administratorët e punësuar përmes Sekretariatit për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, tani përgjegjësinë ia hedh një dikasteri tjetër.

Ministri Damjan Mançevski pohon se pas 10 viteve, më në fund problemi do të zgjidhet dhe këto nëpunës do të angazhohen në institucione publike dhe shtetërore.

“Për qindra persona tashmë ka përfunduar procedura ndërsa pjesa tjetër pasi përfunduan zgjedhjet presidenciale dhe tashmë nuk ka kufizime, së shpejti pritet të përfundojë kjo çështje” tha Damjan Mançevski, ministër i shoqërisë informatike dhe administratës.

Megjithatë, Mançevski shton se në ministrinë e re për Sistem Politik që pritet të fillojë me punë nga 1 qershori, nuk parashihen punësime të reja. Nëpunësit për këtë institucion do të transferohen nga Sekretariati për Marrëveshjen e Ohrit, por nuk saktësoi sa persona do të jenë gjithsej.

Mançevski nuk tregoi as sa është numri i nëpunësve që marrin paga ndërsa nuk shkojnë në punë ndërsa pritet që numërimin ta bëjë ministria e re.

Sistemimi i grupit të parë prej 958 nëpunës u premtua se do të realizohet më së voni në qershor të vitit të kaluar, por edhe krahas premtimeve të Qeverisë, kjo nuk u bë.

Në ndërkohë, vendin e punës e kanë refuzuar rreth 200 nëpunës.

Para disa muajve, ministri Mançevski pranoi se ka ngecje në këtë proces. Çështja se si duhet të punojnë 1600 nëpunës po zvarritet me vite. Ata tashmë 15 vite marrin paga ndërsa nuk punojnë askund.

Te fundit


Kthehu lart