Faqja e zezë


Gazeta Express
17 Maj 2019 13:04

Akti i publikimit të fotografisë në Kuvendin e Kosovës ua ka mbytë zërin viktimave të dhunës seksuale, i ka dhunuar ato për së dyti. E nëse vërtetohet të jetë e rrejshme, siç janë të gjitha gjasat, atëherë kjo është faqja e zezë. Për ata që kanë manipuluar me fotografinë dhe për të tjerë që do të manipulojnë me të vërtetën. Kurse e vërteta është e pamohueshme: Serbia ka kryer krime të tmerrshme në Kosovë.

Shkruan: Imer Mushkolaj

Vetëm mund të supozojmë se si janë ndjerë viktimat e dhunës seksuale dhe familjarët e tyre kur kanë parë në televizor se si një deputete e Kuvendit të Kosovës kishte ngritur lart një fotografi, në të cilën pretendonte se shihej dhunimi i një gruaje kosovare nga forcat serbe gjatë luftës. Bazuar në atë çfarë tha udhëheqësja e një organizate që merret me këto viktima, ato ishin të tronditura.

Në fakt, Flora Brovina tronditi të gjithë me fotografinë që e tregoi para gazetarëve. Fotografinë që pretendonte se përmban aktin e rëndë të dhunimit seksual, si krim lufte që nuk ka nevojë të shfaqet me fotografi, për ta kuptuar sa i tmerrshëm është.

Ajo kishte zgjedhur që, në këtë mënyrë, t’i kontribuonte kauzës që së fundi është ndërmarrë nga shefi i partisë së saj, Kadri Veseli, për themelimin e një tribunali ndërkombëtar që do të procedojë krimet e kryera nga forcat serbe në Kosovë.

Njëzet vjet pas luftës, atij “iu kujtua” se kishte ardhur koha që të inicojë procesin e ndëshkimit të krimeve të Serbisë nëpërmjet themelimit të një gjykate. Thua se gjithë këto vite ai dhe të tjerë që kanë udhëhequr këtë vend kanë jetuar në ndonjë tjetër planet, e jo në të njëjtin vend me viktimat e dhunës seksuale, me familjarët e të vrarëve e të të pagjeturve. Thua se ai dhe të tjerët nuk i kanë dhënë mbështetje të pa rezervë dhe të pakushtëzuar dialogut me Serbinë në funksion të normalizimit të marrëdhënieve, thua se nuk e kanë ditur se nuk mund të ketë normalizim raportesh e as pajtim pa marrjen e përgjegjësisë nga Beogradi për gjithë çfarë ka bërë në Kosovë, pa vendosjen e drejtësisë për viktimat, thua se të njëjtët nuk e kanë votuar Gjykatën Speciale.

* * *

Pak orë pasi fotografia e tmerrshme e dhunimit të pretenduar mori dhënë, u vu në dyshim vërtetësia e saj. Gjasat janë tepër të mëdha që ajo të jetë pjesë e shkëputur nga një film pornografik. Nëse kjo del të jetë plotësisht e vërtetë, atëherë kemi të bëjmë me diskreditim të kauzës për vendosjen e drejtësisë për viktimat. Kemi të bëjmë me një manipulim, me një skandal të madh që ia qet faqen e zezë gjithë procesit. Që fyen të vdekurit, e përdhunon të gjallët.

Serbia ka kryer krime të tmerrshme në Kosovë dhe këtë nuk mund ta mohojë askush. Ka dëshmi të bollshme që gjithçka të vërtetohet para secilës gjykatë në botë. Por, pse u desh që nëpërmjet një fotografie, sipas të gjitha gjasave të manipuluar, të goditen në radhë të parë viktimat, t’iu mbytet zëri atyre dhe të dhunohen për së dyti? Pse u desh që nëpërmjet asaj fotografie t’i bëhet një shërbim i madh Serbisë dhe një dëm edhe më i madh Kosovës? Kujt iu desh një gjë e tillë dhe për çfarë arsye?

Viktimat që e kanë pasur ndërmend të flasin për atë që iu ka ndodhur, tash e kanë shumë më të vështirë. Kanë drojë se akti i tyre i dhunimit mund të shfaqet një ditë në fotografi, në video. Kanë drojë se kauza e tyre për të denoncuar krimet serbe dhe për të vënë drejtësinë në vend do të përmbyllet pa lavd, me fotografinë e tyre në dorën e dikujt, me videon e aktit të tmerrshëm në ndonjë media online.

Akti tronditës i dhunimit nuk përshkruhet askund. Kush pati interes që ai të bëhet publik nëpërmjet një fotografie të dyshimtë? Shumë pyetje që kërkojnë përgjigje të shpejta dhe të drejta. Shumë dilema që duhet të sqarohen nga organet përkatëse. Më e rëndësishmja nga to: ku e mori deputetja fotografinë?

* * *

Është fakt i pamohueshëm se Serbia ka kryer krime të tmerrshme në Kosovë. Siç është fakt, fatkeqësisht, se institucionet shtetërore, klasa politike dhe shoqëria në përgjithësi kanë bërë fare pak që këto krime të zbardhen, që autorët e tyre të ndëshkohen. Ashtu siç është fakt edhe se ata që e kanë udhëhequr vendin kanë pranuar t’i nënshtrohen Serbisë dhe të pranojnë të dialogojnë me zyrtarë të saj madje pa as një kërkim falje. Të dialogojnë edhe me njerëz që kanë përgjegjësi direkte për krimet. Me njerëz, të cilëve të enjten iu është dhënë një shkak më shumë që të vazhdojnë mohimin e krimeve. Për më tepër, të shfrytëzojnë një fotografi, sipas të gjitha gjasave të manipuluar, për të thënë se krimet në Kosovë janë shpikur nga shqiptarët. Nga shqiptarët, udhëheqësve të të cilëve iu ka rënë ndërmend 20 vjet pas luftës të merren me to.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart