“Familjarët më morën të tmerruar!” Ish Presidenti tregon sesi helikopteri ushtarak u ul në oborrin e shtëpisë së tij


Gazeta Express
22 Maj 2019 12:54

Pas mbylljes së mandatit si President i Republikës, Bamir Topi vendosi t’i rikthehej politikës, por tanimë jo më në Partinë Demokratike, por në krye të një force të re, që quhej Fryma e Re Demokratike (FRD).

Siç shprehet vetë Bamir Topi në librin e tij Nocturn “Aksioni dhe fokusi i betejës politike ishte qartazi kundër pushtetit despotik të Sali Berishës”. Në kulmin e fushatës elektorale ndodh një ngjarje e paprecedent.

Një helikopter ushtarak i bazës së Farkës ishte ulur mes ullishtave, në oborrin e shtëpisë së ish-Presidentit, çka kishte ngjallur panik te familjarët dhe banorët përreth. Sipas rrëfimit të Topit, kjo ngjarje e ndodhur në vitin 2013 u zbardh 5 vjet më vonë.

Në librin e tij, Topi tregon ç’kishte ngjarë, nga kishin ardhur urdhrat, si kishin vepruar pilotët dhe thyerja e rregulloreve ushtarake, duke futur civilë në helikopter, mes të cilëve një biznesmen dhe një këngëtare e njohur.

BAMIR TOPI

INCIDENTI I RËNDË I ULJES SË HELIKOPTERIT TË USHTRISË NË OBORRIN E SHTËPISË SIME Në vjeshtën e vitit 2012, pak muaj pas dorëzimit të detyrës si Presidenti i Republikës, u ftova të drejtoj një parti të re politike, Fryma e Re Demokratike (FRD), e cila brenda një periudhe të shkurtër të ekzistencës së saj, vendosi të marrë pjesë në zgjedhjet e politike të 23 qershorit të vitit 2013.

Dalja në skenë e këtij grupi politik ngjalli besim te njerëzit dhe një shqetësim të natyrshëm te partitë e vjetra politike, në mënyrë të veçantë te Partia Demokratike. Sali Berisha po e përjetonte keq rifutjen time në politikë, për më tepër në vitin e fundit të mandatit të dytë të qeverisjes së tij dhe në vitin kur gara elektorale do të ishte tepër e vështirë për pushtetin e tij të diskretituar rëndë në publik.

FRD-ja po merrte jetë në të gjithë Shqipërinë. Zyrat e saj gumëzhinin nga njerëz të të gjitha moshave, intelektualë, të rinj e të reja, kryesisht me bindje politike të djathta, të cilët ndiheshin thellësisht të zhgënjyer dhe pa shpresë se Berisha dhe klani i tij do të ndreqeshin.

Aksioni dhe fokusi i betejës politike ishte qartazi kundër pushtetit despotik të Sali Berishës, i cili, përveçse i përfshirë në korrupsion masiv, kishte tradhtuar përfundimisht interesat e qytetarëve, për më tepër që kishte mashtruar rëndë pronarët, të përndjekurit politikë dhe aspiruesit e shumtë të së djathtës në Shqipëri. Në daljen e parë publike pas rikthimit në politikë, e quajta misionin e Kryeministrit të kohës si “Kalë Troje” brenda së djathtës, duke artikuluar akuza të rënda politike në adresë të tij, madje, në numrin e parë të gazetës sonë politike, ekspozuam në të gjithë faqen e parë të saj fotografinë kur Sali Berisha kishte dalë me familjarët e Enver Hoxhës në një varkë buzë liqenit të Pogradecit në vitet kur shqiptarët vuanin të izoluar pushtetin e tij.

Qëllimi i betejës sonë politike ishte konkurrimi dinjitoz i FRD-së në zgjedhje dhe rrëzimi i Sali Berishës nga pushteti. Ditë pas dite, shqetësimi për të po rritej, duke bërë që përveç betejës së hapur në publik, Sali Berisha të fuste në lojë spiunët e tij në Shërbimin Informativ, që pas gushtit të vitit 2012 drejtohej nga një ushtar besnik i tij, Visho Ajazi, ishzëvendës i Gazidedes, kur shteti ishte marrë në dorë nga shërbimet sekrete, aq sa edhe njerëzit me pushtet në qeveri ndiheshin të intimiduar.

Me urdhër të tij filluan të bëheshin pjesë e strukturave politike të FRD-së, “me dëshirë” disa njerëz të Shërbimit Sekret, të cilët jepnin informacion mbi anëtarësinë dhe mbillnin përçarje te njerëzit, por pa munduar të realizonin plotësisht qëllimin e tyre diabolik. Automjete të Shërbimit, që kishin mision kushtetues të merreshin me sigurinë kombëtare, po angazhoheshin posaçërisht me “ruajtjen” e godinës ku ishin vendosur zyrat qendrore të partisë së re politike. Informacioni që vinte nga njerëz që punonin në SHISH ishte tronditës.

Në të gjitha takimet mbështetësit tanë filmoheshin e fotografoheshin për t’iu nënshtruar presionit për t’u larguar me “dëshirë” ose për t’u përballur me heqjen nga puna pa motiv të të gjithë njerëzve të afërt. Sipas meje, ndonëse Sali Berisha e kishte ndierë rrëshqitjen e pushtetit të tij drejt humnerës, madje ishte i sigurt në ecjen e tij drejt humbjes, i druhej pjesëmarrjes në Parlament të një force alternative të së djathtës, për më tepër të disa figurave politike publike që do ta “kryqëzonin” në betejat e ardhshme politike.

Duke parë efektin e pashmangshëm të FRD-së në zgjedhje, një ditë përpara se të formoheshin zyrtarisht koalicionet parazgjedhore, Sami Gjergji ishte kontaktuar nga njerëz të Berishës për të pranuar një koalicion me Partinë Demokratike. I njëjti informacion u prezantua nga nënkryetari i FRDsë, Aleksandër Biberaj, me të cilin kishin biseduar njerëz të rrethit familjar të Kryeministrit.

Diskutimet mes anëtarëve të Kryesisë së FRD-së çuan përfundimisht në rrëzimin e ftesës për të lidhur koalicion me njeriun që donin ta shihnin të rrëzuar nga pushteti. Marrëdhëniet me të diktonin një vendimmarrje morale, mbi interesin për të pasur disa vende të sigurta në Parlament. Përgjigjja “Jo”, ishte paralajmërimi i një beteje të ashpër publike në vazhdimësi. Vendimi për të dalë vetëm në zgjedhje ishte i vështirë në kushtet e një sistemi që nuk garanton zgjedhje të ndershme.

Vërtet ne kishim ngjallur besim, por në të njëjtën kohë kishim stimuluar më tej egërsinë e kundërshtarëve politikë, që së pari lidhej me Sali Berishën, por nuk përjashtohej Edi Rama, i cili, përveçse po shfrytëzonte këtë koniunkturë politike të favorshme për të, nuk garantonte asgjë të ligjshme për ruajtjen e votave të FRDsë, në komisionet zgjedhore të kontrolluara nga PD-PS. Ndërsa dita e zgjedhjeve afronte dhe beteja politike ishte ashpërsuar ndjeshëm, unë po zhvilloja një tur intensiv në të gjithë Shqipërinë.

Për hir të së vërtetës, ne po tregoheshim më të ashpër se socialistët kundër mënyrës sesi kishte qeverisur Berisha, ai që po bëhej gati të dilte në opozitë. Një ditë të diele, dy javë para zgjedhjeve, u nisëm drejt Skraparit, ku ishte parashikuar së pari një takim në Çorovodë dhe më pas, rreth mesditës, një takim elektoral në Poliçan. Gjithçka kishte shkuar mirë dhe ndërkohë që po freskoheshim në një bar të qytetit, më vjen një telefonatë nga Teuta, ku dallohej menjëherë që kishte ndodhur diçka.

– Bamir, ku je?
– Në Poliçan. Pse?, – iu përgjigja i tensionuar për të marrë vesh ç’kishte ndodhur.
– E di çka ndodhur para pak minutash në oborrin e shtëpisë?
– Mos më pyet, por më thuaj shpejt! – ndërkohë që pa kuptuar, kisha krijuar një lloj kurioziteti te miqtë që po më dëgjonin.
– Një helikopter i Ushtrisë është ulur midis ullinjve dhe tani po ngrihet prapë!

Fusha midis ullinjve është brenda mureve rrethues të oborrit të shtëpisë rrëzë malit të Dajtit dhe vetëm 20 m larg banesës, ku në kohën e uljes së helikopterit e gjithë familja ishte aty, duke përjetuar një ankth të vërtetë nga zhurma, dridhjet e të gjitha sendeve në banesë dhe nga veprimet e pakuptueshme të pilotëve të helikopterit të shoqëruar nga persona të tjerë, të cilët filmonin. Veprim i çuditshëm, pasi oborri i shtëpisë sime kishte qenë i hapur vazhdimisht për mediat, të cilat kanë pasur mundësi të filmonin gjithçka, për më tepër që unë dhe familjarët nuk e kemi vuajtur asnjëherë paranojën e filmimit të pronës që buron nga gjyshërit e mi.

– Ruaj qetësinë dhe mundohu të fiksosh sa më shumë gjëra, ndërkohë që unë po nisem menjëherë drejt Tiranës! Mos harro të njoftosh oficerin e ruajtjes së objektit, njeri i Gardës, për të shënuar gjithçka në procesverbal, – pa marrë parasysh që Sali Berisha dhe Garda e Republikës ishin e njëjta gjë!

Pas kësaj bisede u nisa me shpejtësi, duke njoftuar mediat për sa kishte ndodhur. Kur arrita në shtëpi, të gjithë konfirmonin të njëjtën gjë, uljen e helikopterit dhe terrorin e përjetuar në rezidencën e ish-Presidentit, që ende konsiderohej me ligj objekt i rëndësisë së veçantë. Përveç komunikimit me shefin e Shtabit të Përgjithshëm, që më vonë u bë deputet i Partisë Demokratike, të cilit i kërkova hetim të ngjarjes, të nesërmen denoncova incidentin, ku pa dyshim theksova se prapa tij qëndronte urdhri i Sali Berishës për të bërë shantazh në familjen e ish-Presidentit dhe sot kryetar i një partie politike, që ishte në opozitë me të dhe tërë arrogancën e pushtetit të tij. Natyrisht, përgjigjet se çfarë kishte ndodhur i merrja të segmentuara, por u informova edhe nga burime konfidenciale, të cilat më vonë do të konfirmoheshin: nuk kishte asnjë lloj dyshimi, ishte aplikuar një skenar kriminal, i denjë për një film hollivudian.

Rreth pesë vjet më vonë, pikërisht një ditë maji 2018, kur politika e ditës ishte në kulmin e përplasjeve dhe akuzave për konspiracion, pas një takimi privat me një përfaqësues të një organizate të certifikuar në epiqendër të Europës, ngjarja e helikopterit e qershorit 2013 rivjen, por kësaj radhe në mënyrë të përpiktë se çfarë kishte ndodhur atë ditë, cilët ishin personat e përfshirë dhe se nga kush ishin urdhëruar.

Natyrisht, për rrethana të veçanta, personi që po bisedoja kishte informacion të saktë. Ish-komandanti i skuadriljes së helikopterëve të Bazës së Farkës, Sokol Çuni, kishte marrë porosinë, që më vonë mori natyrën e një urdhri, që duhet të fluturonin dhe të uleshin në oborrin e rezidencës së ish-Presidentit. Ndonëse kishte kërkuar arsyet dhe kishte dështuar të merrte urdhër me shkrim nga eprorët, i ishte nënshtruar një presioni të fortë psikologjik, gjendje të cilën ia rrëfeu personit që kisha tashmë në tavolinë, si të vetmit dëshmitar që sipas pilotit do të dinte ta çonte si informacion në vendin e duhur nëse gjërat do të shkonin keq.

Sidoqoftë, të urdhëruar dhe nën presion, Sokol Çuni dhe piloti i ri, Donald Hoxha, i cili do të gjente vdekjen dy vjet më vonë në një aksident ajror mbi liqenin e Shkodrës, u ngritën në fluturim vetëm me një urdhër të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, Edvin Kulluri, si një fluturim rutinë, në një ditë të diel, pa urdhrin me shkrim të komandantit epror, Dhori Spirollari, i cili ndonëse nuk kishte kurajën ta ndalonte këtë aventurë, mbrojti veten duke mos lënë gjurmë me firmën e tij për një fluturim ku gjërat do të komplikoheshin gjatë rrugës.

Jashtë bazës së helikopterëve, pilotët do të uleshin për të marrë persona të tjerë, duke thyer çdo ligj dhe betim ushtarak, duke futur në mjetin fluturues njerëz të paautorizuar dhe për më tepër me një mision antikushtetues, si cuba të vërtetë. Flitej se njëri ishte pjesëtar i strukturave të SHIU-t (Shërbimi Informativ i Shqipërisë), një tjetër biznesmen dhe një këngëtare e njohur publikisht, e cila paguhej në borderonë e Gardës së Republikës.

Sipas informacionit jozyrtar (pasi askush nuk nxirrte këmbët), pas një udhëtimi në ishull Lezhë dhe konsumit të pijeve apo narkotikëve, kthehen për të kryer misionin e përgatitur prej kohësh, i ideuar nga njeriu që e kishte katandisur ushtrinë e një vendi të NATO-s në instrument shantazhi ndaj kundërshtarëve politikë, madje kundër njeriut që zyrtarisht kishte marrë në dorë protokollin e NATO-s ditën e pranimit të Shqipërisë në Aleancë, më 3 prill 2009. Duke ndier që gjërat po komplikoheshin, Dhori Spirollari kishte denoncuar fluturimin në një letër të botuar në shtyp.

Pak ditë më vonë, ideatori dhe urdhëruesi, për të mbyllur si Ponc Pilati këtë skandal që mbante autorësinë me emrin e tij, gjeneralin dhe pilotin Sokol Çuni, i pushuan nga detyra për t’u justifikuar rreth një skandali që mbetet si një nga më të rëndët në biografinë e skandaleve të realizuara nga Sali Berisha apo njeriu antishtet. Në të gjitha akuzat e mia publike, ky njeri nuk pati asnjëherë kurajën të fliste, duke pranuar në heshtje monstruozitetin e radhës me sjelljen e tij prej diktatori. Pas korrikut 2012, Sali Berisha kishte në kontroll të gjithë shtetin. Kjo gjë dihej botërisht, por ne kishim iluzionin që pas zgjedhjeve të 2013-s ai do të largohej nga kontrolli i institucioneve. Ende sot nuk jam i sigurt për këtë. Dikush me eksperiencë në politikë më thotë se personi në fjalë ende i ka ca falanga të kthetrave të tij te fuqia e pushtetit dhe për këtë ka gjetur edhe mirëkuptim te pasardhësi në qeveri.

Te fundit


Kthehu lart