Familja e çon në Polici drejtorin e shkollës, e akuzojnë për rrahjen e djalit të tyre 10 vjeçar


Gazeta Express
21 Mars 2019 18:05

Një nxënës i klasës së VI nga Shajkovci i Podujevës po pretendon se u sulmua në shkollën ku ndjek mësimet. 10 vjeçari po akuzon drejtorin e shkollës “Hasan Ramadani” se e kapi në qafë dhe e goditi për muri. Por, drejtori po  mohon se e sulmoi nxënësin. Ai thotë se vetëm e largoi nga klasa për shkelje të rregullave të shkollës, derisa thotë me të ka edhe lidhje familjare. Rasti është duke u hetuar nga Policia e Kosovës, si “lëndim i lehtë trupor”, ndërkohë në Drejtorinë për Arsim as që janë të informuar për këtë incident.

Ishte nisur shëndoshë si molla për në shkollë, por u kthye me shenja në qafë për në shtëpi. 10 vjeçarit nga Podujeva, gërvishtjet iu shkaktuan në shkollën “Hasan Ramadani”, ku tash e sa vite ndjek mësimet.

Ai po akuzon drejtorin e shkollës, Bajram Mulollin se e sulmoi fizikisht duke e kapur në qafë dhe goditur për muri.

Por, drejtori Mulolli po e mohon se ai e sulmuar nxënësin.

Ai i ka thënë Gazetës Express se vetëm ia kishte tërhequr vërejtjen 10 vjeçarit për shkelje të rregullave të shkollës.

Mulolli thotë se vetëm e kishte kapur për jakne dhe e kishte larguar nga klasa. Ndërkohë, për gërvishtjet në qafën e nxënësit, thotë se mund t’i kenë mbetur kur e ka kapur për jakne.

“Nuk është e vërtetë se e kam goditë. Unë vetëm ia kam tërhjek vërejtjen pasi që i ka shkelur rregullat e shkollës. E kam larguar prej klasës. Ai ka shku në klasën e nëntë, dhe ka hy aty edhe pse i është tërhjek vërejtja. Prej tutës se mos po e lëndojnë ata se ma të mëdhenjtë, e kam kap për jakne edhe e kam largu prej klasës. Shenjat në qafë ka mujt me i pas prej jaknes”, ka thënë ai.

I pari i shkollës deklaron se me nxënësin ka edhe lidhje familjare. Derisa shton se mbrëmë është takuar me familjarët e tij, dhe se rasti është mbyllur.

“Ai është djalë i familjes tonë. Mulolli ai, Mulolli unë. Djali i mixhës tem, është babai i tij. Është tërheqë aktakuza, ka përfundu ky rast. Mbramë kanë qenë familjarët edhe e kemi zgjidh këtë rast”, ka thënë Mulolli për Express.

Por, ndryshe deklarojnë në Policinë e Kosovës.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Podujevës, Antigona Çitaku i ka thënë Gazetës Express se rasti është raportuar dje në Policinë e Kosovës.

Çitaku ka deklaruar se palët janë intervistuar dhe se rasti është duke u hetuar. Por, ky incident nuk është raportuar në raportin 24 orësh.

“Po, dje është raportuar një rast në Policinë e Kosovës. Po dyshohet se personi i shkollës ka ushtruar dhunë ndaj një nxënësi. Rasti është hap si “lëndim trupor”. Dje, janë intervistuar dy palët, edhe Drejtori edhe prindi i nxënësit. Rasti është duke u hetuar”, ka thënë Çitaku për Express.

Por, për këtë rast nuk janë njoftuar edhe Drejtoria për Arsim në Komunën e Podujevës.

Drejtori për Arsim në këtë komunë, Agim Blakçori i ka thënë Gazetës Express se ai nuk është i informuar për një rast të tillë.

“Jo, ne nuk jemi në dijeni për një rast të tillë. Askush nuk na ka informuar se ka ndodhur ndonjë incident në këtë shkollë”, ka thënë Blakçori.

Ndërkohë, sipas statistikave që ka siguruar Gazeta Express nga Policia e Kosovës, vetëm gjatë dy viteve të fundit në shkolla apo përreth tyre kanë ndodhur më shumë se 1 mijë incidente.

Vetëm gjatë vitit të kaluar, numri i këtyre rasteve shkon në 520. Por, që krahasuar me 2017’ën, numri i tyre është ulur.

Në bazë të statistikave të Policisë, muajt kur kanë ndodhur më së shumti incidente të tilla, po del të jenë nëntori dhe dhjetori. Ndërsa, më së paku incidente po del të kenë ndodhur gjatë pushimit veror, përkatësisht gjatë muajve korrik dhe gusht.

Për të parandaluar incidente të tilla, në Polici thonë se në bashkëpunim me MASHT’in kanë organizuar disa herë aktivitete parandaluese dhe ligjërata vetëdijësuese.

“Vlen të theksohet se aktivitetet janë organizuar nga niveli qendrorë dhe rajonal i policisë varësisht nga nevojat dhe situata e sigurisë në shkollat në kuadër të zonës së tyre të përgjegjësisë”, thuhet në përgjigjet e PK’së drejtuar Gazetës Express.

Ndërkohë, vetëm gjatë këtij muaji Gazeta Express ka raportuar për dy raste të dhunës ndaj nxënësve nëpër shkollat e Kosovës.

Njëri, rast ishte raportuar në Podujevë, ku familja Rama nga Podujeva akuzonin arsimtarin e shkollës “Dëshmorët e Kombit” në Balloc të Podujevës, Shahin Babatinca se e ka sulmuar djalin e tyre, nxënës i klasës së shtatë.

Ndërsa, incidenti tjetër kishte ndodhur në Malishevë. Një mësues i shkollës fillore në fshatin Lladroviq, kishte rrahur nxënësin e tij dhe e kishte larguar nga ora./Gazeta Express

Te fundit


Kthehu lart