Fabregas: “Djali” i Sarrit më detyroi të largohem nga Chelsea


Gazeta Express
13 Prill 2019 18:40

Mesfushori spanjoll Cesc Fabregas pretendon se ai u detyrua ta merrte vendimin për t’u larguar nga Chelsea për shkak të transferimit të “djalit” të Maurizio Sarrit, Jorginhos.

Cesc Fabregas vendosi të transferohej në Monaco gjatë afatit kalimtar të janarit, pasi trajneri Maurizio Sarri nuk e aktivizonte atë mjaftueshëm në ndeshjet e klubit londinez, transmeton Gazeta Express.

Spanjolli e kishte shijuar suksesin në Premierligë e në FA Cup gjatë kohës sa ishte me klubin londinez Chelsea, ku i bëri 198 paraqitje dhe e arriti një shifër mbresëlënëse të asistove për bashkëlojtarët e tij.

Transferimi i Jorginhos nga Napoli në vitin 2018 bëri që ai të mos ishte më opsioni i parë për pozitën e mesfushorit, pasi që trajneri i ri Maurizio Sarri preferoi të luante me Jorginhon, me të cilin kishte punuar edhe në Itali.

Fituesi i Kupës së Botës, Fabregas, beson se ai e mori vendimin e duhur për karrierën e vet sepse për të ishte bërë e qartë se nuk do të gjente vend në formacionin e parë të Chelseat.

“Më pëlqen të kem objektiva të reja. Për mua është e rëndësishme që gjithmonë ta kem një qëllim. Isha në Chelsea dhe e kisha rinovuar kontratën për të qëndruar atje”, është shprehur Fabregasi.

“Por, një trajner i ri erdhi me një lojtar që për të ishte si djali i vet. Për mua ishte e vështirë të luaja në çdo ndeshje dhe unë dua të bëj atë gjë. E dashuroj futbollin. Nuk dua që thjesht të jem i lumtur që jam pjesë e Chelseat”.

“Për një arsye ishte e pamundur për mua, apo për këdo tjetër, që të luanim në çdo ndeshje. Për këtë arsye vendosa të vij te një objekt i ri, që ishte ndryshe për mua dhe mendoj se kjo po më jep shumë lumturi”. /Gazeta Express/

Te fundit


Kthehu lart