"Express" sjell skandalet më të mëdha të një edicioni në futbollin e Kosovës - Gazeta Express
string(74) "express-sjell-skandalet-me-te-medha-te-nje-edicioni-ne-futbollin-e-kosoves"

Futboll

Gazeta Express

29/05/2023 14:13

“Express” sjell skandalet më të mëdha të një edicioni në futbollin e Kosovës

Futboll

Gazeta Express

29/05/2023 14:13

Të dielën u mbyll edicioni i rregullt 2022/23 në futbollin kosovar, i cili prej fillimit e deri në fund, pati rrjedhojë për “faqe të zezë”.

Skandalet nga më të ndryshmet e kanë përshkuar një edicion të tërë, të cilat në fakt, është e vështirë se prej cilit skandal të fillosh për t’i përshkruar.

Lexo Edhe:

Por, të fillojmë nga xhiroja e fundit, e cila i dha vulë një kampionati të degraduar…

Futbolldashësit dhe opinioni i gjerë mbeti i shokuar nga ngjarjet e djeshme.

Ndeshjet Ferizaj – Dukagjini (2:1) dhe Trepça ’89 – Prishtina (2:1) patën fillim e mbarim të turpshëm e skandaloz.

Këto dy ndeshje ishin vendimtare se cila prej dy skuadrave, Trepçës ’89 dhe Ferizaj, bie nga Superliga, e cila mbetet në barazh.

Ndeshjet duhej të nisnin në të njëjtën kohë në ora 15:00, shkruan “Gazeta Express”.

Por, në Mitrovicë takimi nisi me 7 minuta vonesë, e pastaj u pauzua edhe ndeshja në Ferizaj.

Telashe pati deri në fund.

Ferizaj avanconte 1:0 ndaj Dukagjinit, kurse Prishtina avanconte 1:0 ndaj 89-shit.

Kah fundi Dukagjini barazoi në 1:1, sikurse Trepça ’89 që shënoi për 1:1.

Ndeshjes në Mitrovicë gjyqtari ia dha 9 minuta lojë shtesë, kurse në Ferizaj një gjyqtar kontrovers i dha 17 minuta lojë shtesë!

Dhe, në këto vazhdime, sikurse Ferizaj ashtu edhe Trepça ’89 i realizuan golat e fitores.

Goli i pranuar nga portieri i Dukagjinit, Altik Muhaxhiri, reagimi i tij, u bë viral në rrjetet sociale.

Reagimi i tij në topin e gjuajtur nga Astrit Fazliu i Ferizajt ishte i çuditshëm.

Dyshimet u shtuan për faktin se Dukagjini ndeshjen e kishte nisur me një portier tjetër, Kenan Haxhimusën, i cili ishte zëvendësuar nga Muhaxhiri.

Ky i fundit vite më parë, sa luante te Vëllaznimi i Gjakovës, ishte akuzuar nga tifozët e klubit të tij se ia ka lëshuar lojën Trepçës ’89, gjë që mohohej kategorikisht nga portieri gjakovar.

Në fund, Ferizaj mbeti në barazh, kurse Trepça ’89 e humbi statusin e anëtares së Superligës.

Mitrovicasit e akuzuan FFK-në për përgjegjëse kryesore të skandalit, në të cilit u zhytën edhe vetë ata bashkë me kundërshtarët e tyre të fundit nga Prishtina.

Gjyqtari i njëjtë në dy ndeshje të mëdha brenda 24 orësh

Kur jemi te xhiroja e fundit, lëre që pati fillim e mbarim skandaloz, por edhe u parapri me një skandal.

Për ndeshjen e së dielës mes Ferizajt dhe Dukagjinit gjyqtar kryesor u delegua nga FFK-ja Mervan Bejtullahu, i cili në këtë sezon ishte bërë kontrovers.

Për Bejtullahun çuditërisht ndeshja e së dielës ishte e dyta për të që po e referonte brenda 24 orëve.

Të shtunën i njëjti gjyqtar e referoi ndeshjen me peshë të madhe të barazhit në Ligën e Parë mes Ulpianës dhe Lirisë.

Dhe, fiks pas 24 orësh u pa në krye të detyrës në Ferizaj, shkruan “Gazeta Express”.

Ky gjyqtar gjatë kampionatit e kishte marrë edhe nofkën “refer i Dukagjinit”, shkaku i ndeshjeve të shumta që ia ka referuar klubit nga Klina.

Madje, ai ishte shpallur i padëshiruar për t’iu referuar nga tri klube të Superligës, Ballkani, Malisheva dhe Prishtina.

Pra, 30 për qind e klubeve kishin kërkuar nga FFK-ja të mos ua delegojë Bejtullahun, i cili kohë më parë në FFK e kishte marrë stemën e FIFA-s.

Dyshime për relacionin “Pozitë-Opozitë”

Viteve të fundit në futbollin kosovar është krijuar një “Opozitë” karshi “Pozitës” e cila e udhëheq FFK-në.

Pjesë e kësaj “opozite” ishin edhe gjysma e klubeve të Superligës: Drita, Prishtina, Malisheva, Drenica dhe Trepça ’89.

Drenica dhe Trepça ’89 ranë nga Superliga, Drita e humbi garën për titull, Malisheva me vështirësi mbijetoi, kurse Prishtina mbeti herët jashtë garës për titull, ndërsa së fundmi as nuk u licencua për pjesëmarrje në gara evropiane.

Edhe vetë disa nga këto klube thonë se po ndëshkohen nga FFK-ja vetëm pse ishin kundër kryetarit aktual, Agim Ademi, në procese zgjedhore e statutore të federatës.

Edhe në rrjetet sociale futbolldashësit dhe figura të njohura sportive e kanë akuzuar FFK-në për “hakmarrje” ndaj klubeve “opozitare”.

Ndërrojnë orarin e rregullt të kampionatit për festë!

Derisa Drita, Prishtina, Trepça ’89, Malisheva e Drenica ishin “Opozitë” e FFK-së, Ballkani, Gjilani, Dukagjini, Llapi dhe Ferizaj ishin përkrahëse të mëdha të kryesisë së FFK-së në krye me Agim Ademin.

Madje, si rezultat i zhvillime brenda dhe rreth FFK-së, janë vërejtur edhe “aleancat” apo “afërsitë” dhe “ndasitë” në mes klubeve.

Këtu vjen në shprehje një rast konkret. Ndeshjen e fundit kampionale kampioni i ri, Ballkani, duhej ta zhvillonte në Gjilan.

Por, në këtë rast u tejkaluan rregullat e kampionatit dhe Gjilani vendosi që ndeshjen e vetë si vendas ta zhvillojë në stadiumin e Ballkanit në Suharekë në mënyrë që t’ia mundësoi Ballkanit festimin e titullit para shikuesve të vet.

Por, kështu nuk bëri Kolni me Bayernin në Gjermani.

Bayern ndeshjen e fundit e zhvilloi në Koln, ku edhe u stolis dhe e festoi titullin e kampionit, pasi orari i kampionatit e kishte çuar Bayernin larg stadiumit të vet.

Në dy ndeshje vendimtare të ligës së femrave u lejuan të luajnë edhe futbollistet të cilat në audio-incizime u zunë duke tentuar shitblerje të lojës

Skandali i së dielës që prodhoi dyshime të forta për kurdisje ndodhi vetëm disa ditë pas një skandali që e zbuloi Gazeta Express, e cila raportoi për tentim kurdisje edhe në Ligën e Femrave.

Në atë ligë Mitrovica dhe Hajvalia janë rivale të vetme, të pa konkurrente nga ekipe tjera.

Express kishte publikuar audio-incizime ekskluzive ku një futbolliste e Hajvalisë ndërmjetësonte dhe në emër të pronarit të klubit u ofronte dy-tri lojtarëve të Mitrovicës nga 2500 euro për t’ia lëshuar lojën Hajvalisë.

Pas publikimit të audioincizime, Mitrovica dhe Hajvalia, u takuan edhe dy herë – në finale të Kupës dhe në ndeshjen vendimtare për titull.

Në të dyja ato ndeshje kanë luajtur edhe futbollistet e dyshimta për tentim-kurdisje.

Pra, nuk pati kurrfarë reagimi konkret, përpos një deklarate që e lëshoi FFK-ja në uebfaqen e vet.

Me kurdisje në Kosovë u morën edhe Franca e Interpoli

Rastet e lartpërmendura nuk janë të vetmet që kanë të bëjnë me skandale trukimesh.

Atë që nuk po e bëjnë autoritetet në Kosovë, e kishin bërë autoritetet franceze, duke zbuluar në Francë një skandal trukimesh me origjinë nga Superliga e Kosovës.

Madje, atje ishin arrestuar edhe 9 persona. Mediat franceze kishin thënë se akter i kurdisjes është klubi i Llapit, kurse kishin theksuar se bëhet fjalë për një përfitim prej 360 mijë eurosh nga kurdisja e ndeshjeve në Kosovë, e të luajtura në baste në Francë.

Ky skandal kishte zënë vend edhe në një raport të Interpolit.

Për më tepër, edhe vet kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, kishte deklaruar se me klubin e Llapit po bëhet biznes. 

“Mjegulla” rreth Feronikelit dhe Feronikelit 74: Vetëm pas një sezoni në Ligën e Parë, një klub i posa regjistruar inkuadrohet në Superligë!

Derisa për titull të kampionit të Superligës, Ballkani e kishte rivale vetëm Dritën, një vëmendje të madhe e ka marrë edhe gara se kush bie nga Superliga dhe kush inkuadrohet nga Liga e Parë.

Kur jem tek kjo histori, vjen në shprehje një kapitull interesant i saj, me titullin “Feronikeli 74”.

Pasi kishte rënë nga Superliga, Feronikeli, – kampioni i trefishtë i Kosovës dhe fituesi i tri Kupave shtetërore – as nuk ishte shuar e as nuk shihej në asnjërën prej tabelave të tri kategorive të futbollit kosovar.

Një borxh i klubit prej rreth 1 milion eurosh u kishte shkaktuar problem borxhlinjve, të cilët nuk mund t’i nxirrnin ato.

Klubi ishte fuzionuar me një klub tjetër dhe mori emrin FC Feronikeli 74, i cili u regjistrua nga zero. Por, garoi në Ligën e Parë në vend të Feronikelit.

Ky klub thotë se nuk ka asgjë të përbashkët me KF Feronikelin dhe se nuk mund ta marrë përsipër borxhin.

Kurse, futbollistët e papaguar ankoheshin se nuk po mund t’i drejtohen FIFA-s pasi FFK-ja nuk po ua jep vërtetimet.

Kjo “mjegull” nuk është sqaruar asnjëherë. Por, ajo çka është e qartë, është se, një klub i posa regjistruar me emrin Feronikeli 74, në kohë rekorde, vetëm pas një sezoni, u inkuadrua në Superligë, ku do të garojë në edicionin e ardhshëm.

Po “tremben” shikuesit

Thuhet se futbolli luhet për shikues, por kjo nuk merret fort parasysh në futbollin kosovar.

Derisa Prishtina sërish është detyruar të luajë larg stadiumit “Fadil Vokrri”, i cili nevojitej për ndeshjet e kombëtareve, edhe ndeshje tjera të mëdha janë luajtur pa shikues apo me numër shumë të vogël e të kufizuar shikuesish.

Ndeshjet Drita – Ballkani dhe derbi më i madh dhe më i bukuri në vend, Gjilani – Drita, që kishte efekt të madh në garë edhe për titull, janë zhvilluar me shumë pak shikues sa për të mos thënë pa shikues. Shkak infrastruktura e mjerueshme…

Licencimi i FFK-së dhe dyshimet për korrupsion të Krimeve Ekonomike

Derisa kampionati zhvillohej me të mirat e të këqijat e veta, FFK-ja ishte e fokusuar në diçka tjetër, në problemet e veta.

Me muaj të tërë shtëpia e futbollit kosovar nuk u licencua nga Ministria e Sportit, e cila në një rast kishte kërkuar edhe ta shkarkojë kryetarin e saj, Agim Ademi, pasi në ato kohë ishte i ngarkuar me një aktakuzë.

Kjo kishte shkaktuar kaos financiar në futboll pasi po humbnin miliona euro pasi klubet dhe federata nuk kishin më qasje në benefitet e Ligjit e Sponsorizimit.

Vetëm pas lirimit të kryetarit Ademi nga aktakuza u licencua edhe FFK, e cila megjithatë do të rishqyrtohet sërish për licencim.

Vetëm disa ditë pasi Ademi u shpall nga gjykata i pafajshëm për akuzat që e ngarkonin, në FFK u zhvillua një aksion i madh i Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës për hulumtim rreth korrupsionit.

Zyrtarë të lartë të FFK-së u intervistuan, kurse vet Ademi u ndal në arrest shtëpiak për një muaj. Hetimet rreth korrupsionit në FFK thuhet se po vazhdojnë… /Gazeta Express/