“Eurot i kam për ata lart” Si zhvati para shqiptarja duke përdorur emrin e ish- ministrit të ndjerë


Gazeta Express
15 Nëntor 2019 15:56

Amarilda Leka, 33 vjeçarja që shihni në foton më lart ra në prangat e policisë sot pasi për 1 vit hetime ajo u zbulua se kishte mashtruar dhe zhvatur 50 mije euro nje qytetari duke i pretenduar se punonte si juriste pranë Gjykatës së Lartë Tiranë dhe me njohjet që ajo kishte do të ndikonte tek trupa gjykuese për të nxjerrë nga burgu një person të dënuar tashmë me 30 vjet heqje lirie, për një vrasje në rrethana rënduese.

“Në ngarkim të kësaj shtetaseje, Njësia Hetimore Qëndrore përcolli në Prokurorinë e Tiranës materiale hetimore dhe Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në bazë të materialeve të referuara regjistroi procedimin penal, për veprën penale “Mashtrimi me pasoja të renda”. Pas gati një vit hetimesh proaktive u bë i mundur dokumentimi me prova ligjore i veprimtarisë kriminale të ushtruar nga kjo shtetase”, bën me dije Policia.

Por, kjo nuk është hera e parë që Amarilda Leka përmendet per te tilla mashtrime.

Ishte viti 2015 kur e reja u vu në pranga pasi u kishte marrë lekë familjarëve të të burgosurve me premtimin se do të ndikonte tek gjyqtarët e prokurorët për lirimin e tyre.

Në mars të vitit 2017 ajo është dënuar me dy vite e gjashtë muaj burg, pasi ishte akuzuar se ka marrë 42.500 euro nga familjarët e të burgosurve, duke premtuar lirimin e tyre, raportonte asokohe “Panorama”.

E pandehura, e cila është ndaluar në vitin 2015 pas denoncimeve ndaj saj dhe është hetuar më vonë në një masë tjetër sigurie, është dënuar nga Gjykata e Tiranës, bazuar në kërkesën e prokurorisë.

Leka ka qenë sekretare e shtabit elektoral të ministres Milena Harito, ndërsa të dëmtuarve u prezantohej edhe si e fejuara e djalit të një ministri. Prokuroria e ka akuzuar Amarilda Lekën se ka kryer veprën penale të “ushtrimit të ndikimit të paligjshëm të personave që kryejnë funksione publike dhe akuzën e kallëzimit të rremë”.

Hetimi ka nisur në datë 01.10.2015 te Prokuroria për Krime të Rënda dhe më pas dosja është transferuar te Prokuroria e Tiranës. Procedimi penal është regjistruar mbi bazën e kallëzimit të shtetases Amarilda Leka dhe të babait të saj.

Kallëzimi rezultoi i rremë dhe autorja doli se ka konsumuar veprën penale “kallëzimi i rremë” dhe “ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”. Nuk është provuar deri tani që paratë e marra prej Lekës të jenë dhënë për ndonjë zyrtar shtetëror. Pikërisht pasi ajo nuk mbaronte punë, personat që jepnin paratë i kërkonin ato pas, edhe duke e kërcënuar.

Nga hetimet ka dalë se në datë 30.09.2015, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë ka bërë kallëzim shtetasja Amarilda Leka, e cila ka studiuar për Drejtësi, në lidhje me kërcënime që i janë bërë nga një shtetas i quajtur Z.Gj., me qëllim marrjen e një shume prej 24.500 eurosh.

MARRJA E 24.500 EUROVE

Rezulton se Leka ka njohje me një shtetase, të identifikuar me emrin “S”, e cila ushtron aktivitet privat si estetiste, në një pallat të ndodhur në rrugën “X”. Fillimisht shtetasja “S” ka ushtruar të njëjtin aktivitet në një ambient të ndodhur në afërsi të restorant “Z”.

Prej pesë vitesh kallëzuesja Amarilda ka qenë kliente e rregullt e shtetases “S”. Në këto kushte të dyja shtetaset kanë krijuar një marrëdhënie të ngushtë me njëra-tjetrën. Rreth fillimit të muajit gusht 2015, shtetasja “S”, për shkak të arsimit juridik të kallëzueses, i ka prezantuar kësaj të fundit një rast të një të afërmi të saj, i arrestuar për veprimtari të paligjshme me lëndë narkotike, të quajtur XH.Gj.

Shtetasja “S” i ka kërkuar kallëzues që të takonte me të afërmit e të arrestuarit për të biseduar mbi çështjen. Ditët e para të gushtit 2015, kur shtetasja Amarilda ndodhej në qendrën estetike të shtetases “S”, kjo e fundit i ka kërkuar që të takojë me të afërmit e saj.

Pasi “S” ka komunikuar në telefon për të organizuar takimin, kallëzuesja e ka takuar me këto persona, të cilët kanë qenë vëllai dhe motra e të arrestuarit. Takimi është zhvilluar në një lokal të ndodhur në rrugën “X”.

Në takim shtetasit “Z” dhe “J” i kanë treguar kallëzueses rrethana mbi çështjen e vëllait të tyre dhe i kanë kërkuar që t’i ndihmojë. Ajo u është shprehur se do ta shihte mundësinë për t’i ndihmuar. Sipas shtetases Amarilda, “S” i ka thënë asaj (kallëzueses) se kishte kliente një gjyqtare dhe do ta bisedonte çështjen me të.

Por, për shkak të lidhjeve fisnore që “S” kishte me shtetasit Z.Gj. dhe të afërmit e tij, ajo i ka kërkuar kallëzueses që të prezantohej kjo e fundit sikur ishte personi i cili kishte njohje me gjyqtaren dhe që do të vepronte për të mundësuar ndihmën e kërkuar.

Në të vërtetë, sipas kallëzimit, shtetasja Amarilda nuk kishte njohje me gjyqtaren, nuk kishte dijeni për personin për te cilin bëhej fjalë, por kishte mësuar nga shtetasja “S” se njëra prej klientëve të saj ishte me funksion gjyqtare.

Amarilda ka pranuar dhe në vijim në takimet me familjarët e të arrestuarit është prezantuar si person që njihte gjyqtaren dhe do të mundësonte ndihmën për personin e arrestuar.

Sipas kallëzimit, në bisedat me “S”, kjo e fundit i ka thënë kallëzueses se kishte biseduar me gjyqtaren dhe se për t’i ofruar ndihmën e kërkuar duhet t’i paguanin shumën 24.500 euro. Kallëzuesja u ka thënë familjarëve të të arrestuarit për këtë shumë, të cilët kanë pranuar.

Shtetasja Amarilda ka vazhduar në kallëzimin e bërë duke u shprehur se në datën 10 ose 11 gusht 2015, shtetasit “Z” dhe “J” i kanë dorëzuar në një zarf shumën 24.500 euro. Dorëzimi është bërë në një barkafe, përballë ambienteve të shoqërisë “A”.

Sipas kallëzimit, Amarilda shumën ia ka dorëzuar “S”. Nga bisedat në vijim shtetasja “S” i ka thënë kallëzueses se ia kishte dhënë paratë gjyqtares. Familjarët e të arrestuarit kanë pritur për një periudhë rreth 3 javë.

Para rreth 10 ditëve, shtetasi Z.Gj. ka filluar të kërcënojë kallëzuesen me shprehje “Do të vras” dhe ka përdorur shprehje ofenduese të ndryshme. Kërcënime të tilla kryheshin një ose dy herë në ditë.

Pas këtyre rrethanave, kallëzuesja ka biseduar disa herë me “S”. Kjo e fundit i ka thënë se kishte biseduar me klienten e saj gjyqtare, ku i kishte kërkuar që t’i kthente paratë. Sipas “S”, gjyqtarja i është përgjigjur se do t’ia kthente paratë për disa ditë. “S” i ka treguar shtetases Amarilda se gjyqtarja që ishte kliente e saj ishte pikërisht personi që kishte marrë shumën 24.500 euro.

RASTET TJERA

Nga këqyrja e telefonit të shtetases Amarilda Leka, në rubrikën e mesazheve janë konstatuar mesazhe të dobishme për hetimin. Konkretisht, përdoruesi i numrit të telefonit 06xxxxxx ka dërguar mesazhe, në të cilat shpreh fjalë kërcënuese, për shkak të një shume prej 8000 eurosh që shtetasja Amarilda duhej t’i kthente.

Në përgjigje shtetasja Amarilda është shprehur se ka shkuar te një njeriu i saj për të marrë paratë dhe për të “mbyllur këtë punë”. Bashkëbiseduesi vijon me mesazh, ku ndër të tjera shprehet “S’kam taksirat që të më bësh ti gol 8 mijë euro”. Gjatë shpjegimit si person nën hetim, shtetasja Amarilda ka pranuar që dhe në një rast të tretë ka marrë një shumë prej 18.000 eurosh për të ndërhyrë në lidhje me një çështje penale me të arrestuar shtetasin A.K., që sipas kallëzueses zhvillohet në Gjykatë të Lartë.

Këtë shumë ia ka dhënë të njëjtës sekretare të Gjykatës së Lartë, të quajtur “X”, e cila ia ka dhënë gjyqtarit të çështjes.

“E REJA E MINISTRIT”

Sipas vendimit të gjykatës, Leka është prezantuar si nusja e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes te Liman K., i cili e kallëzoi 30-vjeçaren për dhënien e një shumë prej 18 mijë eurosh.

Ky i fundit, i cili u gjykua si i bashkëpandehur me Lekën për “ushtrim të ndikimit të jashtëligjshëm”, e kishte gjetur atë përmes një taksisti. Duke iu referuar kallëzimit të Liman K., gjykata shprehej në vendim:

“Ky person në maj 2015 ka njohur shtetasen Amarilda Leka, të prezantuar me emrin Ilda Leka, nëpërmjet shtetasit P.Gj. Ky i fundit është shofer taksie dhe shtetasen Amarilda e ka kliente të rregullt. Në bisedat që janë zhvilluar lidhur me personin e arrestuar, shtetasi P.Gj. i ka thënë kallëzuesit se shtetasja Amarilda është një avokate e zonja. Në këto kushte është bërë dhe prezantimi i kallëzuesit me të ndaluarën.

Kjo e fundit është prezantuar si bashkëshortja e djalit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Luan Hajdaraga. Gjithashtu, ajo i ka thënë kallëzuesit se më parë ka punuar më parë në Vlorë dhe për këtë arsye ka njohje shumë të forta me gjyqtarin e çështjes.

E ndaluara ka marrë përsipër të ndikonte te gjyqtari për të deklaruar të pafajshëm djalin e kallëzuesit. Shtetasja Amarilda Leka fillimisht ka kërkuar të marrë shumën 10 mijë euro, duke e kërkuar këtë shumë si paradhënie për gjyqtarin./Panorama

Te fundit


Kthehu lart