Eskalon muhabeti, Sherifi i përgjigjet Gecajt: Mushkonjat pickojnë veç cofëtina


Gazeta Express
20 Gusht 2019 15:09

Shefi i deputetëve të Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi, në një intervistë për Gazetën Express, ka thënë bllokadat ndaj një subjekti politik mund të bëhen vetëm deri në momentin kur LDK-ja “në interes të vendit” ta thyejë atë bllokadë, duke ironizuar veprimin e partisë së Isa Mustafës, në vitin 2014, ku përkundër që ishin pozicionuar së bashku me opozitën e atëhershme kundër PDK-së, në fund kishin përfunduar në koalicion me këtë parti.

Kjo deklaratë e Sherifit, nuk i ka pëlqyer zyrtarit të LDK-së, Bajram Gecaj, i cili tha se “në ditën ndërkombëtare të mushkonjave, LDK-së i vjen një pickim nga Bilall Sherifi!”.

Kësaj deklarate të Gecajt, i është përgjigjur sërish Bilall Sherifi.

Sherifi në një bisedë për Blic, ka thënë se ai i është referuar një fakti historik që ka ndodhur në të kaluarën.

Sherifi e ka quajtur goditje të ulët deklaratën e Bajram Gecajt, duke thënë se po të lëshohej në deklarimet sikurse Gecaj, atëherë do të thoshte se “mushkonjat i pickojnë cofëtinat”, por ka thënë se ai nuk mund ta bëjë një deklarim të tillë.

“Unë ju kam referuar një fakti historik. Një ndodhie të vërtetë. E Bajramit i paska dhimtë e vërteta. Por nuk eshte faji im qe Bajrami nuk ka arritur ta ndale thyerjen e bllokades me 2014. Kaq sa i perket “thyerjes se bllokadës. Në vend se atë që kam thënë unë ta merr si këshillë falas, Bajrami paska zgjedh që të godet ulët, nën brezë. Unë nuk shkoj shumë poshtë, sikur Bajrami – është zgjedhje e secilit se sa poshtë vendos të shkojë! Po të përdorja mjete te llojit qe paska përdorë Bajram Gecaj, do të thoja se mushkojat pickojnë coftina, por unë nuk e bëjë një gjë të tillë”, sepse dua të qëndrojë ne brez e lartë pasiqë nuk lëvizë në territore në brez e poshtë, ka thënë Sherifi.

Nisma Socialdemokrate është partia e vetme që deri më tani nuk kanë dhënë vija të kuqe ndaj asnjë partie tjetër.

Kjo për shkak se, sipas tyre, shumë parti në Kosovë, përkundër që janë pozicionuar kundër një partie të caktuar, në fund kanë përfunduar në koalicion me atë parti.

Një gjë të tillë e kishte bërë edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, e cila në vitin 2014, ishte pjesë e koalicionit VLAN (Vetëvendosje, LDK, AAK dhe NISMA), por në fund partia e Isa Mustafës, e kishte braktisur këtë koalicion, duke hyrë në koalicion me PDK-në, ani pse në atë kohë vazhdimisht deklaronin se në asnjë mënyrë s’do të ketë koalicion me këtë parti politike.
LDK kishte qenë pjesë e këtij koalicioni me PDK-në, deri në prill të vitit 2017.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart