Eskalon kosovari i kthyer nga ISIS-i në Kosovë: Po të mundesha, do të kthehesha përsëri në Siri


Gazeta Express
14 Gusht 2019 8:36

Fitim Lladrovci i kthyer nga ISIS-i në Kosovë, ka folur për The Economist, ku ka treguar rreth rrugëtimit të tij në Siri. Ai thotë se po të mundej, do të kthehej sërish atje.

Rrugëtimi që e shtyu Fitim Lladrovcin të bëhet pjesë e luftës nisi në tetor të 2013-s, kur ai ishte 23 vjeç. Ai i mori kursimet e tij prej 350 dollarësh, u përshëndet me gruan e tij dhe la Obiliqin, shkruan ‘1843’, revistë që publikohet në The Economist.

Në Prishtinë ai u nis me fluturimin për në Stamboll dhe nga aty u nis në një tjetër fluturim, për në Hatay, provincë në juglindje të Turqisë. Në aeroplan ka takuar një arab të veshur me të zeza, i cili e ka vozitur deri në një shtëpi njëkatëshe e me shtretër një mbi një. Aty ai u befasua kur takoi gjashtë shqiptarë të tjerë.

Lladrovci ka treguar se dy nga ta ishin burra, dy ishin gra, burrat e të cilave kishin kaluar kufirin me Sirinë muaj më parë. Dy ishin fëmijë; një djalë dy vjeç dhe një vajzë gjashtë muajshe, që qante vazhdimisht.

“Vendi dukej i bukur por unë dridhesha gjatë gjithë kohës. Çfarë më frikësonte më së shumti ishte të bija në duar të Bashar al-Assadit”, ka thënë Lladrovci.

Ai udhëtoi qindra kilometra ta luftonte presidentin sirian, Bashar al- Assad. Ndjesia e tij për drejtësi ka filluar në moshën e tij të re, kur shqiptarët u cuan kundër Serbisë dhe me ndihmën e Amerikës, krijuan shtetin, shkruan 1843.

“Arabët na rendisnin si sardele”, ka rrëfyer ai.

Lladrovci u dërgua në Aleppo për trajnime bashkë me burrat e tjerë. Atje tregon të ketë qëndruar në një vend të papastër e ka ngrënë ushqim të njëjtë tri herë në ditë.

Luftëtari i ISIS-it e çoi një vit në fushëbeteja, pastaj u kthye në Kosovë ku u arrestua për gjuhë të urrejtjes por jo që ishte pjesëtar i ISIS-it. Pas tri vitesh ai u kthye në Obiliq.

I vetmi pendim i Lladrovci është pse la Sirinë.

“Do të kthehesha nesër atje, po të kisha mundësinë”, thotë kosovari.

Gazetari e ka takuar katër herë Lladrovcin dhe ka biseduar mbi 10 orë me të, për të cilin thotë se i ndryshonte gjendja.

“Njëherë më tha se e ndjente nevojën që të më priste në qafë, e pastaj tregohej i kujdesshëm aq sa të më pyeste për gjendjen e nënës sime që ishte e sëmurë”, përshkruan gazetari Alexander Clapp.

Lladrovci dhe familja e tij kishin përjetuar tmerrin gjatë luftës në Kosovë. Serbët e kishin torturuar vëllanë e tij, duke e bërë të paaftë për të ecur, ndërsa ata kishin ikur nga Drenica në Obiliq gjatë natës.

“Akoma e kam ndjesinë e lumit të ftohtë kur e kaluam derisa po iknim në luftë”, i kishte thënë Lladrovci gazetarit.

Si u njoh Lladrovci me islamin radikal?

Në vitin 2000 organizatat vahabiste kishin arritur në Kosovë. Komuna e Skenderajt ishin një nga qendrat ku ato operonin. Vajza me emrin Mihane Baleci ishte aktivizuar në to. Në vitin 2010 kushëriri i saj e takoi me Lladrovcin, ata u martuan pas tre muajve. Në atë kohë djali nga Obiliqi nuk dinte pothuajse asgjë për religjionin, por gruaja e tij po i tregonte klerikë fetarë në YouTube.

Më vonë ai kishte filluar komunikimin online me radikalë të tjerë të cilët i quante ‘vëllëzërve’.

Pas një kohe ai filloi të takohej në Prishtinë me një grup të burrave me të cilët ndante pikëpamjet për religjionin. Në 2013-n ai i tha gruas se po shkonte në Siri për një jetë më të mirë për të dytë.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart