Kreu i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, nuk është paraqitur sot në SPAK, pavarësisht detyrimit ligjor për të firmosur masën e sigurisë “detyrim paraqitje”, që parashikon paraqitjen në Prokurorinë e Posaçme çdo të hënë të parë dhe të tretë të muajit.
Avokati i tij deklaroi se ish-kryeministri nuk ka mundur të shkojë për arsye shëndetësore, pasi është prekur nga një virozë, çka e ka bërë të pamundur fizikisht për të zbatuar detyrimin.
Ndërkohë, më 30 qershor, Berisha do të përballet për herë të parë me drejtësinë në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku pritet të mbahet seanca e parë për dosjen e ish-klubit sportiv “Partizani”.
Berisha është vënë nën akuzë për korrupsion pasiv, nën dyshimin se ka përdorur funksionin publik për të favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, në procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportiv.