Eseja e javës / Berisha: Akademizmi, ky dekor publik postkolonial - Gazeta Express
string(61) "eseja-e-javes-berisha-akademizmi-ky-dekor-publik-postkolonial"

Eseja e javës / Berisha: Akademizmi, ky dekor publik postkolonial

Arte

Gazeta Express

24/03/2023 17:14

Edhe kur nuk ekziston armiku i dukshëm, për “akademikët” organikë, ai i padukshmi “është këtupari”, përherë, madje. Ky është veçse akademizëm pragamatik politik, dmth, një përvojë fatlume e komode e strehimit publik postkolonial

Ibrahim Berisha

Lexo Edhe:

Edgar Moren, duke bartur më tej formulën e Aronit për demokracinë, thekson  se në një proces veprimi urgjent  “aspirata demokratike” mbytet nga “iluzioni demokratik”. Aspirata demokratike e qytetarit, po edhe e intelektualit, mbytet nga transformimi dhe çintegrimi “jotradicional”, po i konzeruvuar në integritetin “famoz” tradicional. Prandaj, në mënyrë të natyrshme, procesi post-autoritar ballafaqon aspiratat me interesat shumëherë të injoruara duke ndikuar në sjelljen “neurotike” dhe  paradoksale te një pjesë e intelektualëve. Këtë e dëshmojnë  praktikat e shoqërive në procesin e ndryshimit, kur për intelektualët, aspirata e dikurshme me shumë ankth dhe ëndërr, ndryshe ai iluzioni demokratik, iluzion i fjalëve shumë të bukura (politike), u kthye në një zhgënjim dhe pakënaqësi reale. Përmasa e zhgënjimit imponon pozicionimin joformal të këtij grupi, o heshtje, një mes as rebelm dhe as revoltë kjo, në njërën anë dhe o ofrim të shansit që  politika të bëhet interes “akademik” profesional dhe moral.

Politikanët kështu fituan shans shumë më të gjerë në tranzicion për të humbur shijuar fetishin që i kishte shoqëruar gjatë, duke mos pasur parasysh strehimin e intelektualëve në “kauza politike”. Kjo politikë-jo rrallë edhe parapolitikë, personifikon së paku në këtë fazë edhe për intelektualin, vetëm  lumturi komoditeti, siç nuk do të ishte e natyrshme të ndodhë, duke ndikuar kështu edhe në  ndryshimin e agjendës së prioriteteve. Aspirata e njerëzve të politikës për të qenë intelektualë, për t’u trajtuar dhe vlerësuar si intelektualë, dhe në anën tjetër, aspirata e intelektualëve për të qenë jo zë racional, por zë moral, i shndërron ata në elementë politikë të ngurtësuar, të identifikueshëm fundamentalisht me “krizë vlerash”.

Çka ndodh në të vërtetë me intelektualët që zbulojnë një cak të ri azili? Disidentët kishin një cak vërtetë të ri. Pjer Bordie shkruan në kontekstin e këtij veprimi se intelektualët paraqesin » kapitalin shoqëror«, mbasi gjithë dijen e vet, e riinvestuan në përpjekjet e opozitës (demokratike). Po a kanë cak intelektualët në periudhën e postdisidentizmit? Nuk është fjala më për substrat të qyetetërimit, një shtyllë e fuqishme e angazhimit të intelektualëve qoftë edhe në politikë. Surealizmi i intelektualëve i orientoi ata të pretendojnë marrjen e rolit madje edhe, të misionarëve. Emra të njohur, duke u bërë pjesë e politikave “historike”,  “u kompromituan seriozisht, njëkohësisht duke rënë në zërin e patosit moral”. 

Nuk është ky inercion vetëm në Kosovë, po është  “një fenomen edhe në shtetet e tranzicionit – në shtetet e Evropës Lindore” .

E vetmja përvojë e e jospekualtive e këtyre viteve, është ajo se, politikës nuk  i duhet dija e intelektualëve, por vetëm herë-herë i duhen intelektualët, sa për të krijuar iluzionin demokratik se elita është në politikë, intelektualët janë “politikanë” dhe kështu edhe politika është “intelektuale”.

Problemi ndërlikohet mbasi një numër intelektualësh  nuk kanë ide politike dhe kështu ata nuk kanë më as shtylla të identifikueshme publike për të cilat luftojnë në tregun e dijes, po bëhen pjesë e luftës së ideve politike të politikanëve duke zbritur në shkallën e shërbyesit ditor (Filandra).

Shpesh shtrohet pyetja, cili është stimuluesi që ndikon në ecjen  e intelektualit me ritmin  e politikës së ditës? Dhe, është problemi tek brishtësia dhe pasiguria e intelektualëve apo tek fortësia dhe mosvlerësimi i politikanëve?

Së, pari nuk është fjala për një njeri më të mirë, që pretendon të jetë intelektuali, por për një njeri më të nevojshëm në politikë, në tregun e politikës. Nëse respektohen skemat, atëherë do pranuar se realiteti politik është evaziv dhe këtë evazion e shton moszhvillimi shoqëror, në njërën anë dhe glorifikimi i pengesave, utopizëm ky, në tjetrën.  Leotar ka vërejtur se utopizimi i intelektualëve është jofunksional. Pazari politik ua shkatërron tregun  e ideve intelektuale dhe kështu ata në politikë, nuk dalin më shumë se utopistë dhe ëndërrimtarë qesharakë.

Pra, intelektualët “vuajnë pasojat e prodhimeve të tyre në politikë”. Jo rrallë, kështu ka ndodhur, kur impulset e ideve të tyre janë marrë në dorë nga teknikët e privilegjeve, burokratët e veshur me petkun e vjetër akademik, injorancë, fanatizëm e arrogancë bashkë, dhe atëherë më, edhe shërbimi i tyre nuk ka pasur vlerë, dhe  ata janë mënjnuar nga ”froni i parë qoftë me qejf qoftë me dhunë” duke lënë mbas shkretëtirën kulturore dhe publike. Po Leotar e arsyeton këtë veprim fare thjesht: Intelektualët nuk janë veçse utopistë, ndërsa vetëvetiu politikanët janë pragamtistë, se nuk merrem me projekte të së ardhmes, por me shfrytëzimin e të tashmes, kryesisht  duke u thirrur në të kaluaren e vështirë apo në rrezikimin e e vazhdueshëm të së ardhmes. Nga kush? Edhe kur nuk ekziston armiku i dukshëm, për “akademikët” organikë, ai i padukshmi “është këtupari”. Përherë, madje. Ky veçse dekor vulgar publik i glorifikuar, prodhuar dhe “mbrojtur me ligje”.  Ky është akademizmi pragmatik dmth, një  praktikë fatlume e strehimit  publik postkolonial.