Erotimatologio / Virion Graçi - Gazeta Express
string(27) "erotimatologio-virion-graci"

Arte

Gazeta Express

24/06/2022 17:52

Erotimatologio / Virion Graçi

Arte

Gazeta Express

24/06/2022 17:52

Virion Graçi (14 shkurt 1968) lindi në Gjirokastër, romancier dhe studiues, doktor i shkencave në studimet letrare. Ai është autor i disa librave me poezi, tregime dhe romane si: “San Valentino” (poezi, 1993); “Të çmendur në parajsë” (roman, 1995); “Shpata e ndryshkur” (roman, 1999); “Bijtë e zotit majmun” (roman,1999); “Babai në shi” (roman, 2000); “Zonja pa emër” (roman, 2005); “Litari dhe lamtumira” (roman, 2011); “Stina e Hijeve” (roman, 2014); “Djali memec” (roman, 2016); “Pëllumbat vrasin natën” (2019); “Dead end (2019); “800 hapa larg Venerës” (2020).

Libri i parë

Lexo Edhe:

Nuk më kujtohet saktësisht libri i parë. Pjesë artistike nga libri i leximit letrar që niste pas festës së abetares, revista e libra të shtëpisë, dëmtuar nga zhvendosjet familjare nga një banesë te tjetra. Librat që ishin të çantës shkollore nuk prisja t’i lexoja kur t’u vinte radha sipas orës përkatëse të mësimit. Gjatë javëve e muajve të parë të vitit mësimor i lexoja deri në fund pjesët nga leximi letrar, librin e historisë si dhe shkoja tërhiqja te biblioteka e shkollës, të shtunave, krahas librave që kishte babai në shtëpi.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Pyetje e zakonshme. Por meqë librat qe do të doja të kisha shkruar janë shkruar tashmë, përmenden e njihen, unë dua te shkruaj librin qe nuk eshte shkruar ende e mund ta shkruaj vetëm unë – diçka autentike me rrënjë  e fizionomi në jetën time – e rrëfyer me respektin dhe delikatesën e merituar. (Për korrektesë po shtoj një libër: “Haxhi Muradi”, i L. Tolstoit.)

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

“Shakespeare – The Invention of the humman” – Harold Bloom.

Libri që jua ka ndryshuar jetën?

Jo libër: një fletë e ngjitur në mur – shpallje zyrtare e seksionit të arsimit Gjirokastër, shtator 1987- Virion Graçi, i miratohet kërkesa për të vazhduar studimet e larta… (Pa këtë fletë-vendim – jeta ime nuk do të ishte kjo që është sot. Librat kanë qenë e do të vazhdonin të ishin në jetën time, por si diçka anësore, si terapi a çlodhje pas përpjekjeve 8 orëshe për bukën e gojës, nëse kuptohet ende ndër ne kjo shprehje figurative.)

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Libra në anglisht ose frëngjisht që kane fituar çmime të rëndësishme e vlerësime ndërkombëtare. Listë e gjatë. Nuk do të kem kurrë kohë për t’i njohur secilin, sigurisht, por me përfaqësim, nga një tek-tuk për ta ruajtur të përafërt përfytyrimin për zhvillimet letrare-kulturore në botë.

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Edhe këta janë shumë, më të shumtë se librat që më kanë befasuar për mirë. Si në jetën e përditshme edhe në art e keqja është mbizotëruese ose shija, mbresa e saj është e hidhur, e pa kapërdishme. Natyrisht, librat janë nga autorë shqiptarë, sajesa butaforike-vulgare të viteve te tranzicionit post-totalitar, sponsorizuar prej qarqesh mediatiko-politike familjare, krahinore.

Libri që ju ka befasuar

Ç’do libër i lexuar deri në fund e çdo libër për të cilin jam shprehur shkurt në rrjete sociale ose jam shprehur gjatë, profesionalisht në revista letrare, në veprimtari shkencore, në studime të mirëfillta për letërsine shqipe ka sjellë për mua befasi e këndellje estetike.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

“Don Kishoti” nuk mbaron se lexuari, Albert Camus është po ashtu autor që e rilexoj me endje për hir të qartësisë, elegancës, natyrshmërisë. Çehovi po ashtu.

Libri i fundit

Tregimet e Mitrush Kutelit, shume prej të cilëve do t’i bënin nder çdo biblioteke të zgjedhur.

/Gazeta Express