Erotimatologio / Rrahman Paçarizi - Gazeta Express
string(31) "erotimatologio-rrahman-pacarizi"

Arte

Gazeta Express

19/05/2023 16:18

Erotimatologio / Rrahman Paçarizi

Arte

Gazeta Express

19/05/2023 16:18

Rrahman Paçarizi lindi më 3 maj 1972 në Dragobil, në Kosovën Qendrore. Studimet themelore, magjistraturën dhe doktoraturën i kreu në Prishtinë.

Është profesor i rregullt i Psikolinguistikës, Morfologjisë dhe Radiogazetarisë në Universitetin e Prishtinës. Në fushë të letërsisë ka botu dy vëllime me poezi, një roman dhe disa tregime dhe recensione. Në fushën profesionale ka botu tre libra monografikë, dy libra për nevoja të studentëve dhe disa libra shkollorë. Gjithashtu ka botu punime shkencore në revista vendore e ndërkombëtare, ka marrë pjesë në konferenca shkencore ndërkombëtare dhe ka mbajtë ligjërata në disa universitete në vende të ndryshme të Europës. Për katër vjet ka qenë drejtor i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare. Rrahman Paçarizi ka punu gazetar në disa medie të Kosovës dhe në radion amerikane “Radio Europa e Lirë”. Katër vjet ka qenë kryetar i Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës. Jeton në Prishtinë me gruan dhe dy djemtë. Librat: Letërsi: Shiu i vdekjes, poezi, 1994 dhe Prapë vonë, poezi 1997; Shtatë udhë, roman. Gjuhësi: Shqipja standarde në parametrat psikolinguistikë, 2010. Fjalor i termave të Psikolinguistikës, 2012. Konversioni në gjuhën shqipe, 2015 Fjalëformimi ndajshtesor i shqipes, 2020. Gazetari: Radiogazetaria, 2008.

Lexo Edhe:

Libri i parë

 Unë kam nisë më lexu shumë herët, pa hy në shkollë. Paksa çuditshëm për një fëmijë të lindur në fshat. Mirëpo, dhoma ku kam fjetë si fëmijë ka qenë e mbushur me libra. Të dy prindërit e mi kanë qenë lexues pasionantë. Baba, që ndër të tjera ka studiu edhe Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, ka qenë nxitja kryesore – ndoshta ëndrrat e veta i ka projektu tek unë, kohë pas kohe. Librat e parë natyrisht që kanë qenë libra me përralla e ilustrime. Asokohe më kanë bë përshtypje sigurisht, por më pas kam pa që në ato libra gjuha ka qenë e papërshtatshme për fëmijët, pasi autorët nuk kanë pasë kujdes për termat që kanë përdorë.

Jam rritë në ambient kontadiktor – mes librash që thoshin një gjë e rrëfimesh që thoshin diçka tjetër. Për shembull, personazhet negative të librave ishin personazhe pozitive të rrëfimeve dhe për një fëmijë është e vështirë me e gjetë mesin –nuk e dija nëse ballistët ishin negativë a pozitivë, nuk dija nëse partizanët ishin pozitivë a negativë, por asokohe thuhej që personazhet duhet me qenë ose njëra ose tjetra. Mendja e fëmijës e kërkonte një orientim, të cilin nuk e gjente të qartë askund.

Ne jemi rritë në një periudhë të një rilindjeje kombëtare, kur shqiptarët po arsimoheshin. Viti im i lindjes përkon me Kongresin e Drejtshkrimit. Imagjinojeni entuziazmin e njerëzve për atë arritje identitare për shqiptarët e Kosovës, ndërkohë që në atë ambient përveç televizorit dhe librave, varieteti standard nuk gjente përdorim. Baba, që ishte figura-model për mua, e fliste një gegnishte standarde, që ndryshonte edhe nga gjuha që flitej në katund edhe nga gjuha e librave.

Diku në shkollën fillore i kisha lexu librat e Nazmi Rrahmanit “Malësorja” dhe “Tymi i votrës së fikun”, që të dyja në një gegnishte të kultivuar, pastaj “Njeriu me top” i Dritëro Agollit dhe “Të munduarit” i Hasan Petrelës ma ofronin ambientin e njëjtë, por me gjuhë tjetër. Asokohe, natyrisht se nuk kam ditë t’i bëja këto intepretime, por një pështjellim në kokë ma patën kriju qysh atëherë.

Nga librat e fëmijërisë më kujtohen “Djemtë e rrugës Pal” i Ferenc Molnarit dhe “Aenturat e shegërt Hllapiqit” nga Ivana Brlic-Mazuranic. Mendoj se ato dy librat kanë ndiku pozitivisht në imagjinatën time, pasi ishin më afër me moshën, pasi, duke e pasë pasë bibliotekën në dhomën ku flija, e duke qenë se aty kish libra të papërshtatshme për moshën time, mbaj mend të kisha pasë lexu libra si “Katedralja e Parisit” të Victor Hugos dhe “Sonata e Kreutzerit”  të Tolstoyt që ishin absolutisht jashtë kapaciteteve të mia absorbuese si letërsi e para dhe si letërsi e filozofi e dyta. Këto dhe librat e tilla, natyrisht që i kam rilexu shumë vonu, pasi mendoja se i kisha lexu – në të vërtetë veç i kisha “lexu”, por nuk i kisha lexu.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Janë disa në fakt – Nga letërsia e huaj janë “I huaji” i Albert Camus dhe “Procesi” i Franz Kafkës, si dhe “Zanoret e humbura” i Zjenullah Rrahmanit, “Varrë” i Eqrem Bashës dhe Pashku komplet, pa e harru “Kronikë në gur” të Kadaresë.

Janë disa arsye pse do të kisha deshtë me shkru cilindo apo secilin nga këto libra. “I huaji” kisha deshtë me shkru për mënyrën e ndërtimit të personazhit, pa asnjë huqje, “Procesi”-in kisha deshtë me e pasë shkru për modelimin e shoqërisë dhe individit që i vuan pasojat e saj, për fajin shoqëror. Zanoret e humbura për fuqinë e rrëfimit, tregimet e Pashkut dhe “Varrë”-n për fonetikën dhe gramatikën, për gjuhën në letërsi dhe Kadarenë për reminishencat fëmijënore.

Në romanin tem jam mundu, por vetëm jam mundu me i ribë këto modele – e di që është zor me i ribë, por edhe më vështirë me t’i lexu dikush ashtu siç i ke mendu, si shkrimtar.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Hmm, pak më problematike kjo pyetje. Unë e shoh librin përveç si medium për të marrë informata (kjo nga puna profesionale-shkencore), edhe si medium për fisnikërim, si një mik që ta tregon botën sa e egër është dhe t’i mëson dhiaret kah me ia mbajtë. Prandaj, për secilin karakter do ta kisha pasë nga një libër të ndryshëm që kisha deshtë me e lexu tjetri. Dikujt ia kisha propozu Kafkën, dikujt Hessen a Grassin, tjetrit a tjetrës Camus-n, dikujt ndoshta Chomskyn, e tjetërkujt Pinkerin, Aitchisonin, Crystalin, Fairclough a Haliday-in. Do me thënë, për secilin diçka tjetër, pasi po ta propozoja një libër, do t’i binte si unë që e kam lexu Katedralen e Parisit kur kam qenë 14 vjeç a Sonatën e Krojcerit 13 vjeç.  

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Secili libër ka hy ngapak në jetën time dhe besoj që secili prej tyre ka qenë ajo reja, ajo vranësira që më ka pri. E di që ti do një përgjigje më konkrete: Për mu personalisht, libri që ma ka ndryshu mënyrën e të menduarit ka qenë “Language death” i David Crystal. Jo se është libri më i mirë i gjuhësisë që e kam lexu, pasi më i miri për mu deri më tash është “Language instinct” i Steven Pinkerit. “Language death” apo Vdekja e gjuhës i David Crystal ma ka qartësu pikëpamjen për trajtimin e gjuhës, më ka mësu që secila gjuhë, secili dialekt, secila e folme deri tek idiolekti është gjuhë e mirë, e bukur, e pastër etj. Madje, edhe pixhinet e kreolet janë të bukura, pasi u shërbejnë njerzve për t’u marrë vesh, për të mësu dhe për t’u zhvillu, për ta çu përpara qenien njerëzore. Por, esencëne gjuhës, përfundimisht njeriu e gjen te librat si “Language instinct” i Pinkerit, te “The articulate mammal” i Aitchisonit dhe të “Mimologics” e Genettit. Aty e sheh çka është dhe çka është në gjendje të bëjë gjuha dhe njeriu përmes saj.

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Ende nuk e kam lexu – po pres me dalë. Duket fjali pak arrogante kjo, por jo që pretendoj të kem lexu gjithçka, larg qoftë, mirëpo nuk i kam qejf librat për të cilët flitet shumë. Preferoj me kalu një kohë, me u pashitë pak ajo euforia e cila mund të më bëjë të zhgenjëhem. Kjo sa i përket letërsisë, ndërkaq sa për librat e gjuhësisë besoj që në një masë të mirë i kam absorbu ato që më duhet për interes të studimeve. Së fundi po më intrgon shumë gjuhësia historike dhe historike-krahasimtare. Po përpiqem me ndërtu një hipotezë që i ndërlidh metaforën, fjalëformimin dhe ndikimet ndërgjuhësore edhe në planin dikronik, historik.

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

“Kodi i Da Vinçit” nga Dan Brown. E di që është çmu, ka pasë një histeri leximi. Definitivisht jashtë interesimeve të mia, jashtë pritjeve të mia për letërsinë siç unë e kuptoj. Mund ta kem krejt gabim.

Libri që ju ka befasuar

S’e di çka është befasia. Librat që më kanë zhgënjy më kanë befasu për keq. Preferoj të flas për befasinë për të mirë, jo në kuptimin që nuk kam pritë, por në kuptimin e mahnitjes. Në letërsi dhe në shkencë mahnitja është element shumë i rëndësishëm i leximit dhe i përjetimit të parë. Mua më kanë mahnitë dhe vazhdojnë të më mahnisin librat e punimet studimore të Besim Bokshit e Rexhep Ismajlit. Ndoshta pse kam qenë student i tyre, por përtej kësaj mënyra e shtruarjes së problemeve dhe mënyra e zgjidhjes së atyre problemeve është vërtet e mahnitshme,e dhe pse janë krejt të ndryshëm. Bokshi është matematicient i gjuhësisë, ndërsa Ismajli është enciklopedi e dijes. Mendoj se këto dy elemente janë ato që e befasojnë secilin që i lexon.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Jën disa të tillë, sërish. Mund të them që librat e Nazmi Rrahmanit, pastaj “Njeriu me top” i Agollit dhe “Të munduarit” e Petrelës i kam lexu shumë herë, ashtu siç i kam shiku dhjetra herë filmat si Gladiatori, Troja, Juda Ben Hur, Përftoi me erën…

Natyrisht, shumë herë i kam lexu edhe poezitë e Ali Podrimjes, Azem Shkrelit e Sabri Hamitit, për përmbushje estetike.

Shumë herë u kthehem poezive të Milazim Krasniqit, tregimeve të Ibrahim Berishës, pasi më kujtojnë diçka, më kujtojnë periudha të jetës.

Libri i fundit

“Djemtë e Ballofcit” i Zejnullah Rrahmanit është libri i fundit i letërsisë që e kam lexu, pasi që koha për lexim letërsie po më shkurtohet dita-ditës. Librat nga gjuhësia zor t’i përmend, pasi në shumicën që i lexoj më duhen pjesë të caktuara, kapituj të caktuar e kështu me radhë.

“Djemtë e Ballofcit” është rimodelimi i Biblës në një ambient tjetër, është historia e shqiptarëve, historia e Kosovës, është edhe program politik por edhe sagë familhare, varësisht se nga ç’kën vendos me e lexu. Por, me lexu ia vlen, përfundimisht.

/Gazeta Express