Erotimatologio / Lindita Ahmeti - Gazeta Express
string(29) "erotimatologio-lindita-ahmeti"

Arte

Gazeta Express

25/11/2022 17:34

Erotimatologio / Lindita Ahmeti

Arte

Gazeta Express

25/11/2022 17:34

Lindita Ahmeti (1973). Pas diplomimit nga shkolla e mesme në Shkup, ajo studioi filologji klasike në Fakultetin Filologjik në Universitetin e Shkupit, ku edhe u diplomua. Aktualisht punon në Institutin e trashëgimisë shpirtërore dhe kulturore të shqiptarëve dhe është anëtare e Klubit PEN në Maqedoni.

Shkruan poezi në gjuhën shqipe që nga fillimi i viteve ’90. Merret edhe me përkthime nga gjuhët sllave dhe nga anglishtja në shqip. Poezia e saj është përfshirë në shumë antologji dhe panorama në gjuhë të ndryshme. Jeton në Shkup. Librat e botuar në gjuhën shqipe: 1993: Mjedra dhe bluz; 1996: Ishulli Adular; 2000: Brezi dhe Zonjës; 2004: Vetë përballë Erosit; 2008: Lulja alba (zgjedhje); 2015 Nga mështeknaja e babait, me mallëngjim; 2015 Dhoma pa derën dalëse. Përkthime në maqedonisht: 1998: Камена месечина (Hëna e gurtë); 2002: Син сон (Ëndërr e kaltër); 2007:Призивање во април (Evokime në prill); 2011: Утрешните монети (monedhat e nesërme) dhe në gjuhën bullgare 2008: Пролетен копнеж, ndërkaq poezitë e saj janë përkthyer edhe në gjuhën angleze, serbe, boshnjake dhe polake.

Lexo Edhe:

Libri i parë

Ishte një kohë kur kënga popullore ka qenë kryefjalë e përditshmërisë sonë, ishin vitet e tetëdhjeta të shekullit të kaluar kur im atë më dha një libër me këngë kreshnike. Një pjesë të tyre m’i kishte lexuar dhe diçka nga bota mitike e kreshnikëve dija nga bisedat që bëheshin midis shokëve të babait të cilët o vinin te ne o ne shkonim t’i vizitojmë. Megjithatë unë e mora me kënaqësi  ta lexoj. Dhe, libri më ofroi një kënaqësi të veçantë. Ishte ky libri i parë, po njëherësh ishin edhe hapat e parë në magjinë që e ofron leximi. Bota mitike e kreshnikëve mbeti pjesë e pandashme e ëndrrave të mia, mbeti burim i pashtershëm i frymëzimit dhe i krenarisë sime.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Nuk e di. Mendoj se nuk është shkruar ai libër, ndonëse nuk janë të pakta veprat që më kanë bërë të them se edhe unë do të kisha dashur të shkruaj diçka madhështore  si veprat që i kanë vënë shenjë një kohe. Është vështirë që njeriu të përcaktohet për një libër të tillë, sepse nuk është vetëm një libër për të cilin mund të përcaktohesh. Njëri mund ta ketë gjetjen e temës, tjetri gjuhën në nivel të rrallë krijues, tjetri të mahnit me thurjen dhe kapacitetet krijuese. Veç kësaj libri gjithmonë është hije e autorit dhe askush nuk mund ta arrijë origjinalitetin e tjetrit. Po edhe po të provojë, do të mbetet vetëm një imitues i zbehtë. Do të shkruhen libra të veçantë, por libri i Shekspirit nuk do të shkruhet më nga askush.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri:

Librin të cilin do t’ia propozoja tjetrit ta lexojë është romani “Ali Pashë Tepelena” i Sabri Godosë. Mendoj se është i vetmi roman në të cilin autori i ka arritur të gjitha pikat kulmore që i kërkon romani i suksesshëm i natyrës së romanit me temë biografike e historike, ose më shkurt i romanit që flet për një figurë të madhe historike, siç është Ali Pashë Tepelena.

Libri që jua ka ndryshuar jetën:

Libri që më ka mahnitur kur e kam lexuar është “Perëndesha e bardhë” e autorit Robert Grevs që njëherësh është roman, por edhe gramatikë historike e mitit poetik. Veç tjerash është edhe një ndërmarrje aventuriere e detektive brenda historisë, pastaj është edhe një hulumtim i thellë i shumë mitologjive botërore, është hyrje në poezinë e madhe, kritikë e civilizimit perëndimor, autobiografi e fshehur. “Perëndesha e bardhë”, në veçanti pjesa e titulluar “Beteja e drurëve”, ku flitet për këngën uelsiane nga koha e Mesjetës së hershme, në fakt është  betejë midis alfabeteve. Brenda librit ka edhe shumë bukuri të tjera të cilat duhet t’ua lëmë lexuesve t’i shijojnë vet. Ky është një  prej librave më të rëndësishëm të shekullit njëzet.

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

E di se mikja ime Rita Petro e ka botuar romanin e saj të parë “Lindur së prapthi”. E di se së shpejti do ta kem në bibliotekën time. Do të jetë një kënaqësi kur do ta lexoj, duke i pasur parasysh mundësitë krijuese të Ritës.

Libri  i përfolur që ju ka zhgënjyer

Një libër për të cilin më kanë folur shpesh, një libër aq i përkthyer në shumë gjuhë të botës, një libër të cilin e pret me padurim e që në fund nuk i përmbush pritjet as për së afërmi për mua ka qenë libri i Paolo Koelos – “Alkimisti”. Nuk më ka pëlqyer.

Libri që ju ka befasuar

Lexuesi i pasionuar vështirë se befasohet, sepse lexon shumëçka. Kureshtja e lexuesit të pasionuar nuk njeh kufij. Ajo është në kërkim të vazhdueshëm të shprehjes së re, të stilit të ri, të shkollës së re letrare, të vlerave të reja. Nuk mund të them se ndonjë libër më ka befasuar nga se unë nga çdo libër që marr ta lexoj pres shumë. Shpeshherë pritjet më janë plotësuar dhe më ka ardhur keq që shkrimtarin e kam njohur vonë. Në këtë kuptim do ta kisha veçuar një poet të mrekullueshëm – Amir Or-in. Ai bën pjesë ndër emra e mëdhenj të letërsisë që te ne lakohen rrallë e që lexuesit të poezisë i prin në depërtimin e çuditshëm në pyjet e ëndrrave.

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë:

Libri të cilit i jam kthyer e i jam rikthyer disa herë është “Iliada”. Aty jo që më kthen profesioni, por më kthen magjia e saj. Është një libër i çuditshëm që përjetësisht do ta ruajë bukurinë dhe gjithmonë do të ketë lexues, është në fakt guri i themelit i letërsisë së madhe evropiane që do t’i hapë dyert e mëdha letërsisë evropiane që do të pasojnë ndër shekuj e deri në ditët e sotme. E si mund të mos i kthehem kësaj vepre me gjithë ato personazhe të papërsëritshme si Akil, Hektori, Priami, Kasandra, Andromaka, Parisi, po edhe Helena e Bukur. E kam bindjen se kushdo që i kthehet “Iliadës” për së dyti ose për së treti e shijon sikur po e lexon për së pari herë.

Libri i fundit

Libri i fundit që po e lexoj tash është romani i Xhon Uiliamsit “Augusti”. Ky është një rrëfim i rrallë i shkrimtarit për jetën e themeluesit të Perandorisë Romake – Augustit. Këtë libër e kanë krahasuar me veprat madhore “Unë Klaudi” i Grevsit dhe Menoaret e Hadrianit të Margarit Jursenarit.

/Gazeta Express