Erotimatologio / Fatmir Sulejmani - Gazeta Express
string(31) "erotimatologio-fatmir-sulejmani"

Arte

Gazeta Express

31/03/2023 17:41

Erotimatologio / Fatmir Sulejmani

Arte

Gazeta Express

31/03/2023 17:41

Fatmir Sulejmani (1959), Profesor universitar, studiues i letërsisë, shkrimtar dhe publicist i njohur.

Ka studiuar në Akademinë Pedagogjike të Shkupit, në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe dhe në Fakultetin e Filologjisë në Shkup për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Ka magjistruar në Universitetin e Tetovës me tezën “Faik Konica-eseist” dhe ka doktoruar në Qendrën e Studimeve Albanologjike në Tiranë me tezën “Saga ballkanike e Luan Starovës – një lexim hermetik”.

Lexo Edhe:

Është ndër themeluesit e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptarë të Maqedonisë; themelues dhe drejtues i revistës për art dhe kulturë “Brezi 9” (1995-2007). Shkruan poezi, tregime, satirë, ese, kolumna, intervista, studime, polemika… Është anëtar i Qendrës “PEN” në Shqipëri. Ka publikuar libra me prozë, poezi, studime letrare, ese, analiza politike…, ndër të cilat: “Hamami i kasabasë Tun-batun” (1994), “Gjahu i Qorrave” (2000), “Nënë Tereza për të varfërit” (2000), “Muzgu i mendjes” (2002), “Adem Kastrati” (2006), “Autobiografia e Dr. Jusuf Rexhepit” (2005), “Faik Konica – eseist” (2011), “Lëkura e derrit” (2012), “Saga ballkanike e Luan Starovës – një lexim hermeneutik” (2013), “Të jetosh në shkretishte” (2017), “Përsiatje” (2018), “Gjurmë kohe” (2019), “Për letërsinë” (2020). Ka redaktuar disa nga romanet e shkrimtarit akademik Luan Starova: “Librat e babait” (2013); ”Koha e dhive” (2013); ”Kurbani ballkanik” (2013). Redaktoi vëllimin poetik “Libri mbi të qenit”(2008), të Ali Podrimjes; “Brezi i zonjës”(2000), të Linditë Ahmetit; “Vdes pas gjërave të imta”(1996), të Salajdin Saliut…

Ka botuar studime me vlerë për autorë dhe vepra letrare me rëndësi të veçantë, si: “Mëkatet e Konicës në dioptrinë e studiuesve shqiptarë”, “Historia në romanin Dashuria e Gjeneralit të Luan Starovës”, “Letërsia shqiptare në Enciklopedinë Maqedonase”, “Letërsia në gjuhën e tjetrit”, “Jeronim de Rada – thyes konvencash romantike”; “Histori e shkurtër e zhvillimeve të letërsisë shqipe në Maqedoni”, “Faktorët pengues të letërsisë shqipe në Maqedoni”, “Letërsia shqipe në Maqedoni në vigjilje të demonstrateve të 1968-ës”, “Shkolla shqipe dhe reformimi i sistemit arsimor në Maqedoni”, “ Shpirti shqiptar në petkun e tjetrit”, Letërsia shqipe në gjuhët tjera e parë nga prizmi i receptimit të Sagës ballkanike të Luan Starovës”, Disidenti që rrënoi monizmin titist”, “Nënë Tereza dhe kujdesi shqiptar për emblemat e etnisë”, “Muzeu i kujtesës shqiptare”, Kontributi i mesjetës për Rilindjen evropiane”, “Identiteti shqiptar dhe roli i trashëgimisë kulturore në mbrojtjen e e tij”, Modeli konician i komunikimit kulturor brendashqiptar në dritën e komunikimit të sotëm”, “Tagri i një atdhetarie të pazakontë atdhetare”, ”Lidhja e Prizrenit dhe beteja e Faik Konicës për sendërtimin e programit të saj”, “Ceremonia dhe këngët e dasmës në Malsinë e Tetovës” etj.

Për kontributet e tij dhënë kulturës shqiptare, është fitues i disa çmimeve, titujve, si:

– 2015 – Çmimi “Yjet e Arbrit” për shkrimet më të mira të viti të botuara në Revistën kulturore “Mirdita”, të Tiranës.

– 2017 – Çmimi nga P.E.N. qendra e R. së Shqipërisë për kontribute të shquara në fushën ë shkencave albanologjike.

– 2017 – Plaketa e Shoqatës së Shkrimtarëve “Oeneum” , për kontributet në fushën e kulturës dhe të letërsisë shqipe.

– 2018 – Titulli “Krenaria e Mirditës” për kontributin e dhënē për zhvillimin e kulturës kombëtare.

Libri i parë

Si djali i njërit prej mësuesve të parë të Malësisë së Sharrit, kam pasur fatin të lexoj herët libra. Fillimisht tekste me ilustrime, kurse më vonë libra për fëmijë, të shkruara nga autorë të njohur si: Rexhep Hoxha, Hivzi Sulejmani, Rifat Kukaj Vehbi Kikaj etj. Megjithatë, libri që ka mbetur përjetësisht në kujtesën time e që duhet ta kem lexuar në klasën e pestë apo të gjashtë të shkollës fillore është “Konti i Monte Kristos” iautorit francez Alexandre Dumas, të cilin e kam rilexuar shumë herë gjatë rinisë së hershme, pa u ngopur kurrë me historinë e letrarizuar të heroit fatkeq Edmond Dantesit, që u burgos ditën e martesës me akuzën për tradhëti, të bërë nga ca kriminelë të çartur pas pasurisë dhe gruas së tij të bukur. Romani në fjalë është sagë epike mbi dashurinë, drejtësinë, urrejtjen dhe hakmarrjen, e shkruar me fantazi të bujshme dhe me dialogë të gjallë që e bëjnë për vete lexuesin.

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Unë pëlqej pa masë librat e disa shkrimtarëve shqiptarë dhe “të huaj”, por libri që do të doja ta kisha shkruar është proza parabolike e Faik Konicës “Katër përralla nga Zullullandi”, e cila, për mjerim tonin, do t’i shkonte tamam edhe kohës sonë.

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Pa asnjë dyshim do ta preferoja romanin brilant të Luan Starovës “Polifonistët”, që trajton temën mitologjike të etnogjenezës shqiptaredhe ka për hero këngën polifonike, nëpërmjet së cilës jepet përpjekja e përhershme e Babait (heroit të Sagës ballkanike) për të mbrojtur identitetin e familjes në rrethana egzili. “Polifonistët” është enciklopedia më mbresëlënëse e këngës polifonike – përmendore e madhe e saj, fole e identitetit të shqiptarëve, skenë në të cilën autori sjell të dhëna origjinale mbi të shkuarën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë, histori të panjohura mbi pushtuesit dhe mbrojtësit e saj, mbi titanët dhe prometejët e shpirtit shqiptar… 

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Janë disa libra që kanë ndryshuar pikëpamjet e mia mbi jetën, por meqë kërkoni një prej tyre, po e përmend veprën eseistike të filozofit dhe shkrimtarit francez me prejardhje rumune Emil Cioranit: “Vështrim i shkurtër mbi kalbëzimin”. Po kaq ndikim ka pasur në jetën time edhe vepra “Lavdërim marrisë” e filozofit humanist holandez të shekullit  XV, Erazmo Roterdamit.

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Romani i mjeshtrit të madh të prozës narrative – Zija Çelës ”Lavjerrësi i qytetit”, të cilin jam duke e lexuar/shijuar aktualisht.

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Unë përzgjedh prej vitesh librat që lexoj, por ka pasur dhe raste kur jam zhgënjyer me disa prej tyre. Kjo më ka ndodhur gjatë anarkisë kulturore që përfshiu botën shqiptare në vitet e nëntëdhjeta të shekullit të kaluar, kur libri mediokër u bë dukuri për të cilën shkrova shumë artikuj në revistën për art dhe kulturë BREZI 9, që e kam drejtuar 12 vite të plota. Shi për këtë, nga kjo distancë kohore, s’dua ta veçoj asnjë shëmti të tillë.

Libri që ju ka befasuar

Monografia e akademikut dhe studiuesit pa nja të dytë si vetvetja, Shaban Sinanit: Kodikët e Shqipërisë në “Kujtesën e Botës”, që pasuroi, si rrallë ndonjë libër tjetër, dijet e mia për vlerat e trashëgimisë sonë kulturore, për historinë e dorëshkrimeve të krishterimit të hershëm të ruajtura në Shqipëri…

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Në bibliotekën time ka libra që i kam rilexuar shumë herë. Ndër ta bën pjesë dhe romani “Don Kishoti i Mançës”, i klasikut të letërsisë së përbotshme Miguel De Servantes Saavedra.

Libri i fundit

Libri që kam lexuar së fundmi është “Ismail Kadare – një disidencë letrare” e autorit Jean-Paul Champseix, përkthyer në shqip nga Irena Rambi dhe Bashkim Shehu. Për shijen time, është vepra më interesante që hedh dritën e së vërtetës mbi krijimtarinë poliedrike të autorit më famëmadh në gjithë historinë e letërsisë shqipe, që paradoksalisht përgojohet e fyhet nga askushët me pretekste jashtëletrare e jashtëkulturore.

/Gazeta Express