Erotimatologio / Besnik Mustafaj - Gazeta Express
string(30) "erotimatologio-besnik-mustafaj"

Erotimatologio / Besnik Mustafaj

Arte

Gazeta Express

06/05/2022 17:49

Besnik Mustafaj (1958) është shkrimtar, përkthyes, politikan dhe diplomat i njohur shqiptar. Veprat e tij janë të botuara në shumë gjuhë si shqip, frëngjisht, anglisht, gjermanisht, italisht, greqisht etj. Ka fituar çmimin Mesdhetar për letërsi me librin e tij “Daullja prej letre” më 1997. Së fundmi BardBooks ka botuar librin e tij ‘Një roman i pamundur’.

Libri i parë

Lexo Edhe:

Libri i parë që më kujtohet ta kem lexuar është “Pinoku”. Ka ndodhur në fund të klasës së parë, kur i kisha mësuar tashmë të gjitha germat, ose në fillim të klasës së dytë. Edhe sot e kësaj dite mbetet një nga librat e mi më të dashur. Ndërsa libri i parë që kam botuar është përmbledhja me vjersha “Motive të gëzuara”. Titulli nuk është i imi, por i shtëpisë botuese “Naim Frashëri”, e cila në Shqipërinë e asaj kohe luante edhe rolin e zyrës së censurës shtetërore. Nuk ka madje brenda as edhe ndonjë vjershë të caktuar me këtë titull. Unë isha në përfundim të shkollës së mesme. Zyrtarët gjykuan se vjershat e një djaloshi të kohës nuk mund të ishin ndryshe veçse të gëzuara. Dhe ashtu u bë. Unë vetë e zbulova titullin vetëm kur mora në dorë kopjet e para të libërthit.  

Libri që do të doje ta kishe shkruar

Oh, e kam bibliotekën plot me libra, të cilat do të kisha dashur të mbanin mbi kapak emrin tim si autor. Por, ne qoftë se duhet medoemos të veçoj njërin prej tyre, ai mund të ishte “Procesi” i Kafkës. Sa do të kisha dashur ta kisha shkruar unë atë libër!

Libri që në këtë moment do të doje ta lexonte tjetri

Ndër librat e mi do të doja të ishte romani “Autoportret me teleskop”. Ky ka qenë libri i parë që shkrova pasi u largova nga politika. Për shkak të përkushtimit të madh ndaj politikës, kisha afro dhjetë vjet pa shkruar në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Jo vetëm paraprakisht, por edhe gjatë shkrimit të këtij romani, isha gjithë kohën i brejtur nga dyshimi nëse e lidhja ime me gjuhën e rrëfimit letrar kishte pësuar dëme të pandreqshme.

Libri që jua ka ndryshuar jetën

Pa dyshim “Pinoku”, i cili më futi njëherë e përgjithmonë në magjinë e letërsisë. Në fillim e për shumë vite në vazhdim vetëm si lexues. Më besoni, unë kam një fëmijëri pa lodra, pa sport, pa prapësitë e natyrshme të një fëmije. Dhe kjo vetëm pse, sapo kisha një minutë të lirë, ulesha në një qoshe për të vazhduar leximin e librit të radhës. Asnjë argëtim tjetër nuk më tërhiqte.

Libri i përfolur që ende s’e keni lexuar

Me siguri që ka shumë të tillë, të cilët nuk i kam lexuar ende sepse nuk më kanë rënë në dorë. E që shumë prej tyre ndoshta nuk do t’i lexoj kurrë sepse nuk do të më bien në dorë, nuk do të kem kohë ose edhe më keq, do të mësoj se nuk vlejnë. Unë përpiqem t’i ndjek zhvillimet në letërsinë botërore, për të parë çfarë shkruhet dhe si shkruhet në New York apo në Paris. Kështu kam rast të shoh edhe si shfryhen shpesh edhe tullumbacet letrare, të cilat për një çast janë dukur sikur po e pushtonin qiellin e përjetësisë. Por ka edhe shumë libra të përfolur me zulmë të madhe, të cilët mua nuk më kanë zgjuar asnjë kureshtje për t’i lexuar.

Libri i përfolur që ju ka zhgënjyer

Edhe të tillë ka shumë. Nuk shoh ndonjë dobi ta bëj listën e tyre, e cila do të ishte e gjatë. Kjo më ndodh edhe sot e kësaj dite sepse unë vazhdoj të jem një lexues i pangopur. Për pasojë, kureshtja më shtyn drejt librave të rinj, për të cilët dëgjoj lavde të mëdha. Por zhgënjimi me vjen shpejt dhe i braktis pa u shkuar as në gjysmë. Ngushëllohem duke i thënë vetes se nuk humba shumë kohë.

Libri që ju ka befasuar

Meqë po më kërkoni vetëm një, po ju përmend “Komploti kundër Amerikës” i Philip Roth. Ky është një nga shkrimtarët që më pëlqen shumë. Kisha lexuar shumë nga romanet e tij, por ky në fjalë kishte një titull që nuk më tërhiqte fare dhe e kisha shmangur nga droja se do të zhgënjehesha. Nuk doja të kisha një zhgënjim nga Philip Roth. Para disa muajsh vendosa t’i hedh një sy. Dhe nuk e hoqa më nga dora.    

Libri të cilit i jeni rikthyer disa herë

Ka shumë të tillë sidomos nga letërsia klasike. Një shembull është “Frymë të vdekura” i Gogol. Por edhe novelat e tij, veçanërisht “Hunda” dhe “Manteli”.

Libri i fundit

Jam duke lexuar romanin e Olga Tokarczuk “Kaloje plugun mbi kockat e të vdekurve”.

/Gazeta Express