Jo vetëm te konkurrenca e meshkujve, tash lëvizjet nga Kosova te Shqipëria kanë nisur edhe te ajo e vajzave.
Në grumbullimin e fundit të kombëtares shqiptare në konkurrencën e femrave e ftuar ka qenë edhe Erjona Emërllahu, e cila njëherësh është edhe motra e futbollistit të CFR Cluj, Lindon Emërllahut.
Ky i fundit, megjithatë e përfaqëson me kombëtaren e Kosovës në arenën ndërkombëtare, madje në ndeshjet e marsit arriti edhe të asistojë në takimin ndaj Islandës, të luajtur në Spanjë.
Erjona në anën tjetër, deri së fundmi ishte po ashtu pjesë e kombëtares së Kosovës, mirëpo tashmë duket se ka vendosur të kalojë te kombëtarja kuqezi.
Erjona kishte debutuar me Kosovën në vitin 2020 ndaj Estonisë në kualifikimet për europianin e vajzave.
Ajo paraprakisht kishte luajtur edhe për Kosovën U19 te vajzat.
Erjona më tutje arriti të luajë në vetëm tri ndeshje të tjera.
23-vjeçarja ishte e ftuar te Shqipëria për ndeshjet e fillim prillit, mirëpo nuk u aktivizua në asnjërën. Shqipëria luajti ndaj Kroacisë në dy ndeshje, duke e mposhtur me shifrat prej 4-0 dhe 2-1.
Emërllahu luan te KFF Mitrovica aktualisht./GazetaExpress/