Erion Veliaj kërkon të aneksojë Vorën brenda Bashkisë Tiranë


Gazeta Express
21 Nëntor 2019 12:21

Nga Gerard Gega

Kryetari i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj kërkon të rrisë pushtetin e tij duke aneksuar Bashkine Vorë brenda Bashkisë Tiranë.

Ai kërkoi dje ndryshim të hartës së njësive administrative me qëllim përfshrijen e Bashkisë Vorë nën Bashkinë Tiranë. Veliaj e bëri këtë kërkesë gjatë seancës dëgjimore në komisionin parlamentar të Ligjeve ku u diskutua për projektbuxhetin vendor të vitit 2020.

Zoti Veliaj e justifikoi kërkesën me nevojën për investime në zonën e autostradës dhe Rinasit.

“Reforma (territoriale) Fino-Çuçi  ka adresuar 99.99 % të shqetësimeve (të Bashkive) megjithatë duke qenë se ishte voluminoze duhet të ketë një rishikim të korrektimit të kufijve.”

Ai e veshi kërkesën e rishikimit të hartës territoriale me propagandën tipike të imazhit, pemëve dhe “se si duket më bukur” kur u ankua se delegacioneve të huaja që vijnë nga rruga Rinas-Tiranë u duket vendi si Kabul.

“[…] vjen një delegacion të takojë parlamentin dhe nga rruga Rinas-Tiranë shikojnë se si është si Kabul […] por unë nuk investoj dot të bëj pemë, të çoj shërbimet e policisë bashkiake dhe të IMT-së në një territor që nuk është i imi, se është shkelje.”

Por problemet e rrugës të ngritura si shqetësim nga Zoti Veliaj janë justifikime për të marrë nën administrim një nga zonat me përqëndrimin më të lartë të bizneseve të mëdha në Shqipëri.

Me reformën territoriale të vitit 2015, Bashkia Vorë – që fillon nga fshati Domje, krahu i djathtë i autostradës Tiranë-Durrës – përfshiu bashkë edhe 2 ish-komunat Prezë dhe Bërxull. Sot ajo ka të regjistruar rreth 800 biznese të mëdha si fabrika, qendra magazinimi, qendra tregtare, resorte etj.

Lehtësirat fiskale dhe ato të transportit – duke qenë pranë portit Durrës, kryeqytetit dhe aeroportit – kanë bërë që kjo zonë të jetë mjaft e kërkuar nga bizneset. Kompani të ndryshme të industrisë së prodhimit dhe ndërtimit shfrytëzojnë territorin e kësaj bashkie për aktivitetet e tyre.

Për të krijuar ide më të qartë, kompani si Shega Trans, Kastrati, Salillari, Ford, DHL apo qendra tregtare si Megatek, Tirana Business Park e City-Park bëjnë pjesë dhe janë taksapaguese të Bashkisë Vorë.

Por përveçse për të shtrirë ndikim në këtë zonë ekonomike, marrja e Vorës është edhe për politikë. Bashkia drejtohej prej 16 vitesh nga të djathtët. Zgjedhjet me një kandidat të 30 qershorit vendosën kryebashkiak socialistin Agim Kajmaku, tashmë në kërkim nga policia për mashtrim në formularin e dekriminalizimit.

Në këtë situatë propozimet e Veliajt për rishikimin e hartës praktikisht fshehin idenë për të shkrirë Bashkinë Vorë me Bashkinë Tiranë./Exit.al

Te fundit


Kthehu lart