Erdogan zotohet se do ta çojë deri në fund ofensivën në Siri


Gazeta Express
16 Tetor 2019 14:23

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, është zotuar se forcat turke do ta vazhdojë operacionin ushtarak në pjesën veriore të Sirisë deri në arritjen e qëllimit për krijimin e të ashtuquajturës “zonë sigurie” përgjatë kufirit mes dy vendeve.

Forcat turke e nisën ofensivën për largimin e luftëtarëve kurdë të mërkurën e kaluar, pasi trupat amerikane u tërhoqën nga ky rajon.

Erdogan tha gjithashtu se do t’i shmang bisedimet e drejtpërdrejta me zëvendëspresidentin amerikan, Mike Pence, kur ai të arrijë për vizitë në Turqi.

Presidenti turk tha se Pence dhe sekretari amerikan i shtetit, Mike Pompeo, do të takohen vetëm me homologët e tyre turq, por jo edhe me të, të enjten në Ankara.

“Kur Trump-i të vijë këtu, do të flas me të”, tha Erdogan. Ai kërkoi që luftëtarët kurdë t’i dorëzojnë armët në mënyrë që operacioni turk të marrë fund.

Në anën tjetër, forcat kurde njoftuan të dielën se kanë arritur marrëveshje me qeverinë siriane që t’ua dorëzojnë forcave qeveritare dy qytete të rëndësishme për ta luftuar praninë e ushtrisë turke në territorin sirian, shkruan “BBC”, transmeton Gazeta Express.

Te fundit


Kthehu lart