Erdogan kërcënon kurdët nëse marrëveshja nuk respektohet


load
Gazeta Express
18 Tetor 2019 19:01

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se Ankaraja do të rinisë operacionin kundër forcave kurde në veri të Sirisë të martën në mbrëmje, nëse ato nuk tërhiqen nga “zona e sigurt”.

Turqia, me këmbënguljen e SHBA-së, u pajtua të enjten për të ndërprerë ofensivën derisa luftëtarët kurdë të tërhiqen rreth 30 kilometra larg kufirit të saj.

“Nëse premtimet mbahen deri të martën mbrëma, zona e sigurt do të zgjidhet. Nëse dështojnë, operacioni do të rinisë sapo të bëhen 120 orë”, tha Erdogan.

Ai shtoi se forcat e armatosura turke do të mbeten në rajon, pasi “siguria e kërkon një gjë të tillë”.

Por, Vëzhguesi Sirian i të Drejtave të Njeriut – grup që monitoron luftën në Siri – tha se sulmet ajrore të Turqisë kanë vazhduar edhe të premten në fshatin Bab al-Kheir.

Sipas Vëzhguesit, 14 civilë janë vrarë.

Turqia e ka nisur operacionin e saj më 9 tetor për të pastruar, siç ka thënë, zonën e saj kufitare nga terroristët.

Turqia i konsideron terroriste milicitë kurde në Siri dhe thotë se ato janë pjesë e Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit – grup ky që ka luftuar me dekada për autonominë kurde brenda Turqisë.

Ofensiva turke, e cila ka zgjatur tetë ditë, thuhet se ka lënë qindra njerëz të vrarë dhe të plagosur, ndërsa ka detyruar mijëra të tjerë të zhvendosen.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha të premten se Erdogan e ka siguruar atë se ai do që armëpushimi me forcat kurde në veri të Sirisë të funksionojë.

Artikull i sponsoruar

Te fundit


Kthehu lart