Jeta e romakëve të lashtë mund të duket krejt ndryshe nga e jona sot, por grafitet e sapozbuluara në Pompei tregojnë se disa gjëra nuk ndryshojnë kurrë.
Arkeologët kanë zbuluar 79 grafite të panjohura më parë, të gdhendura në muret e një kalimi të ngushtë në Pompei, i cili mendohet se mund të ketë shërbyer edhe si urinore publike. Mesazhet, të shkruara rreth 2 mijë vjet më parë, variojnë nga deklarata dashurie deri te komente për nevojat trupore – dhe do të dukeshin krejt të zakonshme edhe sot, për shembull në një tualet lokali.
Një nga mbishkrimet më intriguese thotë: “Erato amat…” – që përkthehet “Erato dashuron…”. Emri Erato ishte i zakonshëm për skllave apo gra të lira, por identiteti i personit që ajo dashuronte ka humbur me kohën.


Në anën tjetër, një grafit shumë më i shthurur rrëfen historinë e një prostitute me emrin Tyche, e cila u çua “në këtë vend” dhe u pagua për seks nga tre burra.
Grafitet u gjetën në të ashtuquajturin Korridori i Teatrit, një kalim rreth 27 metra i gjatë dhe 3 metra i gjerë, që lidhte dy teatrot e qytetit dhe u ofronte qytetarëve strehë nga shiu në dimër dhe nga dielli i fortë në verë. Gjurmët e kanaleve përgjatë një ane sugjerojnë se hapësira mund të jetë përdorur edhe si tualet i hapur.

Edhe pse grafitet u vunë re për herë të parë gjatë gërmimeve të vitit 1794, teknologjia moderne ka lejuar zbulimin e vizatimeve që më parë ishin të padukshme për syrin e lirë. Studiues nga Sorbona në Paris dhe Universiteti i Kebekut përdorën një teknikë të quajtur Reflectance Transformation Imaging, që ndriçon muret nga kënde të ndryshme për të zbuluar detaje shumë të imta.
Në total, u dokumentuan mbi 300 grafite, përfshirë 79 të reja. Disa janë mesazhe dashurie, si një tjetër shkrim që thotë: “Jam me nxitim; ki kujdes, Sava ime, dhe mos harro të më duash!”.

Një tjetër, më poetik, shkruan: “Methe, skllave e Cominias nga Atella, e dashuron Crestin me gjithë zemër. Uroj që Venusi i Pompeit të jetë i favorshëm për të dy dhe të jetojnë gjithmonë në harmoni.”
Por, si në çdo qytet modern, jo të gjitha mesazhet janë kaq romantike. Një grafit veçanërisht i çuditshëm thotë: “Miccio, babait tënd i është çarë barku duke jashtëqitur; shiko si është, Miccio!”. Emri Miccio shfaqet i gdhendur katër herë në të njëjtën zonë të korridorit.
Përveç shkrimeve, arkeologët zbuluan edhe vizatime – nga doodle të thjeshta deri te ilustrime shumë të detajuara. Një prej tyre paraqet dy gladiatorë në duel, me armë, mburoja dhe parzmore të vizatuara me saktësi të habitshme. Sipas studiuesve, pozat sugjerojnë se autori mund të ketë qenë dëshmitar i një lufte gladiatorësh.


Drejtori i Parkut Arkeologjik të Pompeit, Gabriel Zuchtriegel, thekson se teknologjia po hedh dritë të re mbi botën antike dhe se publiku duhet të njihet me këto zbulime.
Këto gjetje i shtohen mbi 10 mijë grafiteve të zbuluara deri më sot në Pompei – nga slogane zgjedhore e mesazhe inkurajuese, deri te vizatime vulgare dhe forma gjeometrike pa kuptim. Meqë janë krijuar nga njerëz të zakonshëm dhe jo nga artistë të elitës, ato ofrojnë një pamje të rrallë të jetës së përditshme romake.

Një grafit madje ka ndihmuar arkeologët të përcaktojnë më saktë datën e shpërthimit të Vezuvit. Një shkrim, i atribuar një ndërtuesi, përmend një “drekë të shkëlqyer” më 17 tetor, çka sugjeron se shpërthimi nuk ndodhi më 24 gusht, siç mendohej më parë, por më 24 tetor të vitit 79 pas Krishtit.
Grafite janë gjetur edhe në vende të tjera të botës romake. Në fortesën romake të Vindolandës, pjesë e Murit të Hadrianit, u zbulua një gdhendje tepër vulgare me një falus të madh dhe një fyerje drejtuar një personi me emrin Secundinus. Deri më sot, në këtë mur janë gjetur 13 gdhendje falusësh.
Si u zhdukën Pompeii dhe Herculaneumi
Mali Vezuv shpërtheu në vitin 79 pas Krishtit, duke mbuluar Pompein, Oplontisin dhe Stabian me hi dhe gurë vullkanikë, ndërsa Herculaneumin me një rrjedhë balte vullkanike. Vezuvi, në bregun perëndimor të Italisë, është i vetmi vullkan aktiv në Evropën kontinentale dhe konsiderohet një nga më të rrezikshmit në botë.


Rrymat piroklastike – masa gazi të nxehtë dhe materiali vullkanik – lëviznin me shpejtësi deri në 700 km/orë dhe temperatura rreth 1.000°C, duke shkaktuar vdekjen e menjëhershme të banorëve. Numri i viktimave mendohet të ketë kaluar 10 mijë, ndërsa disa vlerësime flasin për rreth 30 mijë të vdekur.
Ironikisht, katastrofa që shkatërroi qytetet i ruajti ato për shekuj, duke u dhënë arkeologëve sot një dritare të jashtëzakonshme drejt jetës romake. Gërmimet vazhdojnë ende dhe çdo vit nxjerrin në dritë zbulime të reja nga qyteti i mbuluar prej hirit. /GazetaExpress/