Fama e Wittgenstein-it lidhet posaçërisht me ambientet e Trinity College të Universitetit të Cambridge-t, ku ai studioi dhe bashkëpunoi menjëherë me Bertrand Russell-in, nga viti 1911 deri më 1914 dhe ku u kthye më 1929 për t’i vazhduar hulumtimet e tij.
Për B. Russell, 6.1.1913
IV. Alleegasse 16
Vjenë
6.1.13.
I dashur Russell,
Më vjen shumë keq që ende s’e kam marr asnjë rresht prej teje!!! Jo pse pati ndonjë gjë të rëndësishme në letrën time që do të kërkonte ndonjë përgjigje; por mund t’i kesh rënë në të se ndihem von allen guten Geistern verlassen1 dhe për rrjedhojë më duhet domosdoshmërisht një letër nga ti. Sidoqoftë – mund të mos jem në gjendje të kthehem në Cambridge në fillim të semestrit, meqë sëmundja e tim eti të shkretë po përparon rrëmbyeshëm.
Problemi Kompleks po bëhet më i qartë për çdo ditë dhe do të doja të mund të shkruaja mjaftueshëm qartë që ti të mund të dish çka mendoj për të. Logjika është një sajim njëmend i mirë.
Immer der Ihrige2
Ludwig Wittgenstein
Shënime:
1)Von allen guten Geistern verlassen / i braktisur nga të gjithë shpirtrat e mirë – në kuptimin bisedor: “kundër vetes”, “luajtur mendsh”.
2)Immer der Ihrige – yti përgjithmonë.
Për B. Russell, January 1913
IV. Alleegasse 16
Jan[ar] 1913
I dashur Russell,
Faleminderit shumë për të dy letrat e tua të këndshme! Ende nuk mund të ta them kur do të jem në gjendje të kthehem në Cambridge, duke qenë se doktorët ende janë të pasigurt rreth kohëzgjatjes së sëmundjes së babait tim. Nuk ka ndonjë dhimbje të madhe, por në përgjithësi po ndihet goxha keq, ngaqë ka temperaturë të lartë vazhdimisht. Kjo e bën aq të plogësht sa njeriu s’mund të bëjë ndonjë të mirë veçse të ulet në shtratin e tij, etj. Dhe meqenëse kjo ka qenë gjëja e vetme që kam mundur të bëj ndonjëherë për të, tash jam përsosshmërisht i padobishëm këtu. Prandaj koha e qëndrimit tim këtu varet kryesisht nga ajo nëse sëmundja do të marrë një rrjedhë të rrëmbyeshme, për çka nuk mund të rrezikoj ta lë Vjenën. Shpresoj të mund të vendos për këtë brenda javës dhe ia kam thënë këtë edhe Fletcher-it.
E kam ndryshuar pikëpamjen time mbi komplekset “atomike”: tash mendoj se Cilësitë, Lidhjet (si Dashuria), etj., që të gjitha janë këpuja! Kjo do të thotë për shembull unë e analizoj një subjekt-predikat pre(misë), them «Sokrati është njeri» në «Sokrati» dhe «Diçka është njeri» (çka unë mendoj se nuk është kompleks). Arsyeja për këtë është diçka fare fundamentale: mendoj se këtu s’mund të ketë Tipa të ndryshme të mendimit! Me fjalë të tjera çkado që mund të simbolizohet nga një emër i përveçëm i thjeshtë duhet t’i përkasë një tipi. Më tej: çdo teori e tipave duhet të bëhet e tepërt nga një teori e veçantë e simbolizmit: Për shembull nëse unë e analizoj pre(misën) Sokrati është i vdekshëm në Sokratin, Vdekshmërinë dhe (∃x, y) ε1(x, y) unë dua një teori të tipave që të më thotë se «Vdekshmëria është Sokrati» është e pakuptimtë, ngase nëse unë e trajtoj «Vdekshmërinë» si një emër të përveçëm (siç bëra), këtu s’ka asgjë që të më ndalojë ta bëj zëvendësimin në mënyrë të gabueshme. Por nëse e analizoj [atë] (siç po bëj tash) në Sokratin dhe (∃x)x është i vdekshëm ose përgjithësisht në x dhe (∃x)ϕ(x)* bëhet e pamundshme të zëvendësohet në mënyrë të gabueshme, sepse vetë të dy simbolet tash janë të një lloji të ndryshëm. Ajo për çka jam më i sigurt nuk është megjithatë korrektësia e mënyrës sime të tanishme të analizës, por fakti se të gjitha teoritë e tipave duhet të përfundohen nga një teori e simbolizmit duke treguar se ajo që duket të jetë një lloj i ndryshëm i gjërave është e simbolizuar nga një lloj i ndryshëm i simboleve të cilët nuk mund të zëvendësohen në një vend tjetër. Shpresoj ta kem bërë të qartë mirë!
Isha shumë i interesuar të dëgjoja pikëpamjen tënde në lidhje me këtë, po ashtu nuk mund ta marr me mend mënyrën tënde të punës nga përgjigjja sense-datum. Mach-i shkruan në një stil aq të tmerrshëm sa më vjen neveri ta lexoj; sidoqoftë, jam shumë i lumtur se ti mendon aq shumë për një bashkatdhetar timin.
I juaji krejtësisht, etj.
Ludwig Wittgenstein
Shënime:
* Pre[mis]a të cilat unë dikur i shkruaja si ε2(a, R, b), tash i shkruaj R(a, b) dhe i analizoj në a, b, dhe (∃x, y) R(x, y) – jo komplekse.
Letër e datuar nga Russell.
Fletcher – W. M. Fletcher (1873–1933), më pas Sir Walter, fiziologjist administrator, Anëtari i Trinity College, kohë në të cilën kishte qenë edhe tutor i Wittgenstein-t.
Mach – Ernst Mach (1838–1976) i lindur në Moravia, në atë kohë në Austria-Hungari.
Për B. Russell, 21.1.1913
IV. Alleegasse 16
21.1.13.
I dashur Russell,
Babai im i dashur vdiq dje në mbrëmje. Ai pati vdekjen më të bukur që mund ta imagjinoja; pa as më të voglën dhimbje dhe duke bërë gjumin e fëmijës! Nuk u ndjeva i mërzitur as për një moment të vetëm gjatë gjithë orëve të mbrame, përkundrazi krejt i hareshëm dhe mendoj se e ka jetuar jetën deri në frymën e fundit.
Do ta lë Vjenën të shtunën më të 25-tin dhe do të jem në Cambridge të dielën të mbrëmje ose të hënën në mëngjes. Mezi po pres të të shoh sërish.
I juaji përgjithmonë
Ludwig Wittgenstein
/Marrë nga: Wittgenstein in Cambridge – Letters and Documents 1911–1951, Blackwell Publishing Ltd, 2008
/Përkthimi Gazeta Express