Mes viteve 68 dhe 44 p.e.r., Ciceroni (106 – 43 p.e.r.) i shkroi rreth 396 letra drejtuar Tito Pomponio Atikut, një pasaniku që i përkiste rangut ‘equestre’, njeri me kulturë të lartë, ndjekës i epikurizmit, pra i vendosur të mos marrë pjesë aktive në jetën politike.
CICERONI PËR ATIKUN, II
Shkruar në Romë pak pas datës 23 nëntor 68
Prej tash e tutje nuk do të vihem në gjendjen që të mund të akuzohem për dembeli se nuk po të shkruaj; veç ki mendjen, me gjithë atë kohë që ke në dispozicion, të mos më mbetesh borxh ti pastaj.
Shtëpia në Rabirio në Napoli, ideja e realizimit të planimetrisë dhe mbarimit të ndërtimit të së cilës të miklonte, e ka blerë Marco Fonteio, njëqind e tridhjetë mijë sestercë. Dua që ta dish, nëse rastësisht kjo gjë ndërlidhet ndonjë gjë më projektet e tua.
Vëllai im Quinto, me sa duket, është drejt Pamponisë, në gjendjen shpirtëtore që korrespondon me dëshirat tona: aktualisht është me të në vilën e Arpinos dhe e ka me vete dhe Decimo Turranion, që është person me kulturë të mirë dhe të fortë.
Më 23 nëntor vdiq im atë.
Pak a shumë këto janë të rejat për të cilat doja të të mbaja në dijeni. Bëma një nder, nëse arrin të gjesh ndonjë send artistik me të cilin mund të pajiset gjimnazi1 dhe që mund t’i përshtatet ambientit që ti e njeh, mos e lër të të ikë nga dora. E vërteta është se jam shumë i dhënë pas vilës së Tuskolës, sa më në fund ndihem në paqe me veten vetëm atëherë kur jam aty. Informomë, në mënyrë sa më të përpiktë, për gjithë atë që po bën këto kohë dhe për atë që planifikon të bësh në çdo fushë.
Shënim:
1) Termi, në një kuptim të veçantë, tregon pjesën e shtëpisë luksoze, që rregullohej me shetitore të mbuluar, e pajisur me statuja, tablo, libra dhe përdorej si vend për diskutim dhe takime. Ciceroni i ndërtoi në vilën e tij në Tuskolo dy shëtitore të mbuluara, të emëruara respektivisht Academia, në kujtim të shkollës së Platonit në Athinë dhe Lyceum, homazh për shkollën artistoteliane. Në këtë të fundit gjendej biblioteka e Arpinatit.
/Marrë nga Cicerone: “Epistole. Vol.I.” UTET, 2013
/Përkthimi: Gazeta Express