string(45) "epistula-e-javes-capote-per-lyndonin-dy-letra"

Arte

Gazeta Express

02/05/2025 15:13

Epistula e javës/ Capote për Lyndonin, dy letra

Arte

Gazeta Express

02/05/2025 15:13

Truman Garcia Capote (1924 – 1984), romancier, skenarist, dramaturg dhe aktor amerikan. Autor i romaneve ‘Breakfast at Tiffany’ (1958), romanit jo fiksion ‘In Cold Blood’ (1966), tashmë klasikë të letërsisë amerikane. Njihet gjithashtu edhe si një ndër themeluesit e New Journalism, tok me Nroman Mailer, Joan Didion, Tom Wolfe, etj.

LETRA E PARË

Për Andrew Lyndonin, 3 qershor 1949

Forio D’Ischia, Itali

3 qershor 1949

Baby sister-

Kjo që po ndodh me apartamentin është e turpshme: a ta ha mendja se ka ndonjë intrigë aty? E dashur, shpresoj që kjo letër të të vijë para se të nisësh për në Macon – jo që kam ndonjë gjë të rëndësishme për të thënë: pas së gjithash, unë jam ende këtu në Forio me një mori dhish dhe gomarësh. Do të largohemi më datë 14.

A e mban mend materialin për të cilin të pata folur në N.Y. dhe të pata thënë se do të ta nisja nëse do ta gjeja. Mirë pra, kam shikuar këtu dhe ngado nga Venecia në Firence, pa fat. Sidoqoftë, kam gjetur një stof për të bërë një kostum vere (po tallem), por s’ma ha mendja se do ta lësh kokën për të. Jack gjeti një kostum të mirë të qepur, por kjo ndodhi në Napoli dhe unë thjesht s’jam i dhënë pas Napolit – hajnat e Napolit nuk janë thjesht legjendë. A nuk ishe ti këtu gjatë luftës? Qytet i jashtëzakonshëm. Pamë një “show” në një “shtëpi” javën e kaluar. Çdo lloj qirjeje e lejueshme (sic): kishin një arab me një kastravec, besoje ose jo, të gjatë nja 14 inç: i bukur, po ashtu.

Jam shumë i lumtur për arritjet e Phoebe-s – mezi po pres ta shoh tregimin e saj. Më ka shkruar se do të ketë një ndejë më 3 qershor në apartamentin e ri – do të thotë sot, kështu që shpresoj se pikërisht në këtë moment të gjithë ju jeni duke kaluar për mrekulli.

Po mundohem të përfundoj një kapitull para se të largohemi – por ngutia e nisjes më ka mërzitur. Po, e di se do të duam si Bretanjë – veç po mundëm (të gjejmë) një vend të përshtatshëm: do të doja të merrja ndonjë shtëpi dhe ka gjasë ta bëjmë këtë. S’e besoj as edhe për një moment se Newtoni e ka thirrur ndonjëherë Leon: nga çfarëdo këndvështrimi është absolutisht e palogjikshme, a s’mendon edhe ti kështu? Si është shtriga jote? A ke pastruar dhe vendosur në kazanin e botimeve?

Më ke thënë se do të ma dërgosh një kopje. Audeni dhe po miqësohemi prapë. Ai është përnjëmend i këndshëm. Shtëpiakja e tyre është… Phoebe më tha se Nina (Capote) të ka ftuar në një ndejë – do të doja të kishe shkuar, do të argëtohesha të merrja vesh se me çfarë njerëzish shoqërohet – jo që s’e marr dot me mend. Thuaji Phoebet se (Doris) Lully më ka shkruar një letër: jak jak, siç do të thoshte Dorisi. Çkado që të ndodhë me Richard Hunterin – a kanë lundruar ai dhe Tru-Flluska për në Evropë? Evropa këtyre kohëve nuk është fare shik – ndoshta duhet të kthehem në shtëpi: një arsye tjetër, dhe më e mirë, është se gruaja legale e Jack-ut është rrugës për këtu. Ata dy janë bërë për njëri-tjetrin, marrëzisht. Por mos ke frikë, motra jote e vogël është plotësisht e fortifikuar: thjesht lëre atë vajzën prej dy groshësh që këndon dhe vallëzon të vërë putrat e saj në Mah Man dhe do të marrë nga një piskatore për secilën fije nga koozy i saj. Çka ma rikujton një gjë; në orët e mia të ngesë, e kam vrarë mendjen për një mori projektesh komerciale: njëri quhet Kiddie Kits – një Kiddie Kits për një vajzë të vogël do të përmbajë aq artikuj sa edhe një parukë dhipi dhe do të jetë e dobishme për lojëra të rriturish. Për djem të vegjël queer do të ketë një Kiddie Kits Gjithëngrehur brenda, kopilët e vegjël fatlumë do të gjejnë një peshqir turk dhe një kavanoz përplot me gaforre të vërteta të gjalla. Meqë po flasim për këtë, kam një rast të tmerrshëm: çka duhet të kërkoj në farmaci në Paris?

Epo, e dashur, po të lë pas këtij shënimi të shurdhër.

Përcillja dashurinë time Haroldit: s’e ka marrë mundin të ma shkruajë as edhe një fjalë! Më mungon, qengji im i dashur dhe të dua

avec tout mon coeur (e saktë? Oh.)

T

P.S.

Kam edhe një ide tjetër – kjo për një strip: Super-Mbretëresha. Është një zog, është një aeroplan, është… Super-Mbretëresha! Është një fat brenda!

LETRA E DYTË

Për ANDREW LYNDON

British Post Office

Tangiers, Maroc

Africa

[6 korrik 1949]

Më e shtrenjta ime,

I kam shkruar Phoebes rreth udhëtimit përmes Spanjës, kështu që mbase të ka treguar ajo; ishte, me një fjalë, i tmerrshëm. Vend i mrekullueshëm, megjithatë. Bile edhe shkova në një muze: Prado, s’do mend. Por po më lënë mendtë për Afrikën; jeta në kasbah është tamam sipas qejfit tim. Nuk ma merr mendja se Jack e ka aq për zemër; ai thotë se s’ka asgjë të këndshme në të jetuarit në vende ku ke frikë të ecësh rrugëve. Të gjithë njerëzit e dyshimtë janë mbledhur këtu ngase është qytet ndërkombëtar. Njerëzit më të jashtëzakonshëm. Është vendi më eksitues ku kam qenë ndonjëherë. Po të ishit këtu ti dhe Phoebe do të kishim marrë të gjithë së toku një shtëpi në kasbah dhe të jetojmë me tamam si vendasit këtu. Këtu gjendet klubi i natës më hyjnor me emrin Parade – La Pierce-n do ta lënë mendtë. Netët janë bukur të freskëta, por ditët janë fort të gjata, të nxehta dhe pa mushkonja: pak milje më në brendi është 137 farenhajt nën hije – vapa t’i djeg poret e lëkurës. Po jetojmë në një bjeshkë në një shtëpi të vogël me një pamje përrallore mbi Tangier dhe mbi liman. Kësodore do të ulem të filloj të shkruaj. Jackut po i mungon Iskia, por besoj se do t’i pëlqejë edhe këtu.

E pashë George (Davisin) në Paris; mendoj se revista e tij e re është e mrekullueshme. Një letër nga Phoebe dje thoshte se disa gra do të shkonin të aktronin si këshilltare të rreme në Bazaar. Nëse ajo ende s’e di kush është – e di unë: Marian Ives. Po pse Pearl po thotë se është sekret? Apo mos kishin ndarë mendjen të sajonin një sosh.

Jam i kaëluar i tëri nga makthi: po vjen një doktor për dhjetë minuta të 1) të ma japë një injeksion për kolerë dhe 2) të shohë çfarë mund të bëjë me stomakun tim, që është bërë copash: o zot, erdhi.

(Më vonë)

Mirë pra, s’qe edhe aq keq, megjithëse sa s’më ra të fikët kur e pashë gjilpërën – si dhëmb tigri ishte, manjolë. Duhej të ishe këtu ta mbaje dorën time.

Më mungon shumë, zogu i vogël, më duket se ka kaluar një shekull prej se jemi nisur. Do të doja të ma kishe shkruar një letër të gjatë 75 faqe.

Përcillja dashurinë time burrit tënd; imi jua dërgon përshëndetjet më të përzemërta, kush të do?

T të do.

P.S.

E pashë po ashtu edhe (William) Saroyanin në Paris – në një shoqëri bixhozi, i dehur dhe duke humbur me mijëra. Ai e ka një tru të masës së një plumbi b.b. Më tha se i kishte larë duart me Carol. Gjëja e vetme inteligjente që tha.

/Marrë nga Truman Capote, ‘Too Brief a Treat’, Random House, 2004

/Gazeta Express