Charles Pierre Baudelaire (1821 – 1867), poet, prozator, kritik letrar, kritik arti, gazetar, filozof, aforist, eseist dhe përkthyes francez. Njëri prej poetëve më të mëdhenj të shekullit XIX, eksponent kryesor i simbolizmit dhe inovator i shquar i lirikës. Vepra e tij ‘Lulet e s’ keqes’ konsiderohet një prej veprave klasike të letërsisë botërore.
Për Mme Marie1
[1852?]
Madame,
A është e mundshme që s’do t’ju shoh më kurrë? Kjo është çështje e rëndësishme për mua, përderisa kam përfunduar në gjendjen ku zemra ime po e vuan thellësisht privimin nga prania e juaj. Kur mora vesh se po e braktisnit punën tuaj si modele dhe se unë isha shkaku i paqëllimtë i këtij vendimi, ndjeva një pikëllim të çuditshëm. Desha t’ju shkruaj juve, megjithëse nuk jam gjithaq i gatshëm të hedh gjërat me shkrim. Zakonisht pothuajse gjithmonë ndiejmë keqardhje kur e bëjmë këtë. Unë nuk rrezikoj asgjë, sidoqoftë, ngase kam ndarë mendjen t’jua dhuroj veten time përjetësisht.
A e merrni dot me mend sa i çuditshëm qe kuvendimi ynë të enjten e fundit? Pikërisht ai kuvendim i vërtetë më ka hedhur në një gjendje që s’e kam përjetuar kurrë më parë dhe që e ka provokuar këtë letër.
Një burrë që thotë «Ju dua» dhe që lutet – dhe një grua që përgjigjet «T’ju dua? Unë? Kurrë! Veç një burrë e ka dashurinë time. Kushdo që vjen pas atij burri është i dënuar të jetë i palumtur: ai do të marrë vetëm indiferencën dhe përbuzjen time!». Po ky burrë, që të ketë kënaqësinë t’ju shohë sa më gjatë në sytë tuaj ju la t’i flisni rreth burrave të tjerë, ju la t’i flisni vetëm atij, ju la të digjeni për të dhe të mendoni vetëm për të! Rezultati i gjithë këtyre rrëfimeve qe njëmend i çuditshëm: për mua ju nuk jeni më thjesht një grua që e dëshiroj, por dikush që e dua për sinqeritetin e saj, pasioni e saj, freskinë e saj, rininë e saj dhe marrëzinë e saj. Kam humbur shumë rreth këtyre sqarimeve, se ju ishit aq e vendosur sa unë u detyrova të lëshoj pe menjëherë. Por ju, Madame, keni përfituar shumë prej kësaj. Ju më keni frymëzuar të kem respekt dhe vlerësim të thellë për ju. Jini kështu përherë dhe tregohuni e kujdesshme ndaj këtij pasioni që ju bën kaq të bukur dhe kaq të lumtur.
Kthehuni, ju përgjërohem, dhe unë do të jem i sjellshëm dhe modest në dëshirat e mia. E kam merituar përbuzjen tuaj kur ju thashë se do të isha i kënaqur me ca thërrime. Rrejta. Oh, veç sikur ta dinit sa e bukur ishit atë mbrëmje! Zor se kisha guximin t’ju bëja komplimente – sa banale është kjo gjë! Por sytë tuaj, goja juaj, i gjithë personi juaj me gjithë atë gjallëri dhe vitalitet tash më kalon para syve të mi të mbyllur dhe krejt çka di fare mirë është se gjithmonë do të veproj kështu. Kthehuni, po ju përgjërohem i përgjunjur. Nuk do t’ju them se s’do të më gjeni më të dashuruar, por nuk mund ta parandaloni mendjen time të vërtitet përreth krahëve tuaj – atyre duarve tuaja aq të bukura, syve tuaj që janë gurra e vërtetë e jetës dhe gjithë qenies suaj të adhurueshme tokësore. Jo, e di se nuk mund ta parandaloni këtë: por pa druajtje, ju jeni për mua një objekt adhurimi, dhe unë nuk jam i zoti t’ju fëlliq. Prore do t’ju shoh kaq rrezatuese si më parë. E gjithë qenia juaj është kaq e mirë, kaq e bukur, kaq e mrekullueshme sa ta kollofitim! Për mua ju jeni jetë dhe lëvizje, jo saktësisht për shkak të shpejtësisë së gjesteve tuaja dhe dhunës së natyrës suaj sa për shkak të syve tuaj, të cilët mund të frymëzojnë një poet me asgjë më pak se dashurinë e përjetshme.
Si mund t’jua them sa fort i dua sytë tuaj dhe sa fuqishëm e çmoj bukurinë tuaj? Ajo bukuri konsiston në dy hire kundërthënëse, të cilat, sidoqoftë, te ju nuk e kundërshtojnë njëri-tjetrin: hiri i fëmijës dhe ai i gruas. Oh, besomëni kur ju them nga thellësia e qenies sime se jeni për t’u admiruar dhe se ju dua pafundësisht. Ndjenja që më lidh me ju përjetësisht është e virtytshme. Pavarësisht se çka mund t’i thoni ju vetes, tani e tutje ju do të jeni hajmalia ime, burimi i forcës sime. Ju dua, Maria, s’ka si të mohohet kjo, por dashuria që më frymëzoni është dashuria që një i krishterë e ndien për Zotin e tij. Pra kurrë mos i jepni një emër tokësor – një emër zakonisht aq të turpshëm – këtij kulti misterioz, të patrup, këtij atraksioni të dëlirë dhe të ëmbël, i cili i bashkon zemrën time me tuajën, pa i përfillur dëshirat tuaja. Kjo mund të jetë sakrilegj.
Isha i vdekur dhe ju më kthyer në jetë. Oh, ju nuk e dini sa ju detyrohem. Në sytë tuaj engjëllor kam zënë kënaqësi të panjohura; sytë tuaj më kanë iniciuar në lumturinë e shpirtit në gjithë atë që është më e përsosura, më delikatja. Këtej e tutje ju do të jeni mbretëresha ime e vetme, pasioni im, bukuria ime, ju jeni ajo pjesë e qenies sime të krijuar nga një kujdes spiritual. Përmes jush, Maria, do të jem i fortë dhe i madh. Si Petrarka do ta pavdekësoj Laurën time. Jini engjëlli im mbrojtës, muza dhe Madona ime dhe drejtoji hapat e mi në shtegun e të bukurës.
Kini mirësinë të më përgjigjeni me ndonjë fjalë, ju përgjërohem, një fjalë të vetme. Në jetën e secilit ka ditë dyshimi, ditë vendimtare kur një provë miqësie, një shikim, një mesazh i shkarravitur e bën njeriun budalla dhe të marrë. Ju betohem se jam katandisur në këtë derexhe. Një fjalë nga ju do të jetë objekti më i lumtur për ta parë dhe i pranuar me zemër. Veç sikur ta dinit sa fort ju dua! Lërmëni ta sjell veten time te kpmbët tuaja; një fjalë, thojeni veç një fjalë… Jo, s’do ta thoni!
Sa i lumtur duhet të jetë, njëmijë herë i lumtur, burri që keni zgjedhur para të gjithë të tjerëve, ju që jeni aq e pasur në mençuri dhe bukuri, ju që jeni aq e dëshirueshme në talentin tuaj, intelektin tuaj, zemrën tuaj! Cila grua do të mund t’jua zinte vendin ndonjëherë? S’kam guxim t’ju lus për një vizitë; do ta refuzonit. Parapëlqej të pres; do të pres me vite dhe kur ta gjeni veten të dashuruar me këmbëngulje dhe gjithë respekt, të dashuruar në një mënyrë krejtësisht indiferente, do të kujtoheni se keni filluar duke më keqkuptuar mua dhe do ta pranoni se keni vepruar keq.
Me një fjalë, nuk jam i lirë t’i refuzoj goditjet që do ta keni kënaqësinë të m’i jepni, idoli im. Jua ka ëndja të më hidhni përtokë; ju ka ëndja që unë t’ju adhuroj. S’ka ç’të thuhet më shumë.
Shënim
1) Mme Marie – Identiteti i madame Marie nuk është i qartë, megjithëse është menduar të ketë qenë Mile Marie Daubrun.
/Marrë nga ‘Selected Letter of Charles Baudelaire’, Weidenfeld and Nicolson, 1986
/Përkthimi Gazeta Express