Bangladeshi po përballet me një situatë alarmante shëndetësore, pasi shpërthimi i fruthit që nisi në muajin mars ka shkaktuar deri tani vdekjen e 344 fëmijëve, ndërsa numri i rasteve vijon të rritet me ritme shqetësuese.
Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Shëndetësore, vetëm në 24 orët e fundit janë regjistruar 11 viktima. Katër prej tyre janë konfirmuar me analiza laboratorike si të infektuar me fruth, ndërsa shtatë të tjerë shfaqnin simptoma tipike të sëmundjes.
Që nga 15 marsi, 65 nga viktimat janë konfirmuar me testime laboratorike, ndërsa pjesa tjetër kanë shfaqur shenja klinike të infeksionit.
Autoritetet shëndetësore raportojnë se brenda një dite janë konfirmuar edhe 282 raste të reja me virusin e fruthit, ndërsa 1,278 fëmijë të tjerë me simptoma janë shtruar në spitale.
Në total, që prej shpërthimit të epidemisë, 49,159 fëmijë kanë shfaqur simptoma të fruthit në vendin e Azisë Juglindore. Prej tyre, 34,909 janë hospitalizuar dhe 6,819 raste janë konfirmuar përmes analizave laboratorike. Mbi 30 mijë fëmijë janë larguar nga spitalet pas trajtimit.
Fruthi është një infeksion viral shumë ngjitës, por i parandalueshëm përmes vaksinimit. Simptomat fillestare përfshijnë temperaturë, kollë dhe rrjedhje hundësh, ndërsa më pas shfaqet skuqja karakteristike në lëkurë.
Përballë përkeqësimit të situatës, në fillim të prillit qeveria e Bangladeshit, me mbështetjen e UNICEF-it, OBSH-së dhe GAVI-t, nisi një fushatë emergjente vaksinimi kundër fruthit dhe rubeolës.
Sipas UNICEF-it, fushata synon të mbrojë mbi 1.2 milion fëmijë të moshës nga gjashtë muaj deri në pesë vjeç në 18 nga 64 rajonet administrative të vendit, si pjesë e një strategjie më të gjerë për rikthimin e mbulimit vaksinal dhe forcimin e sistemit shëndetësor përballë epidemive të ardhshme.