Emini do të testohet edhe njëherë për COVID-19, tregon kur mund t’i bashkohet FC Dritës - Gazeta Express
string(85) "emini-do-te-testohet-edhe-njehere-per-covid-19-tregon-kur-mund-ti-bashkohet-fc-drites"

Emini do të testohet edhe njëherë për COVID-19, tregon kur mund t’i bashkohet FC Dritës

Gazeta Express

25/05/2020 21:33

Futbollisti i Dritës, Izair Emini, nëpërmjet rrjeteve sociale ka njoftuar se ka dal negativ në ri-testimin për koronavirus.

Në testin e parë para pak ditëve futbollisti nga Maqedonia e Veriut kishte dal pozitiv. Ai kishte insistuar të ri-testohet, duke thënë se nuk ka asnjë simptomë të koronavirusit e po ashtu as anëtarët e tij nuk kanë simptoma.

Lexo Edhe:

“Përshëndetje për të gjithë juve shokëve të FB! Dua të ju falënderoj përzemërsisht që më keni dhënë mbështetje gjatë kësaj kohe dhe do t’ju jem mirënjohës gjithmonë! Para dy ditëve bëra testin e radhës dhe me doli si negativ. Faleminderit të gjithëve! Zoti ju ruajt”, ka shkruar Emini në rrjetet sociale.

Emini për Gazetën “Sheshi” ka njoftuar se ri-testimin e ka bërë të premten në spitalin shtetëror dhe rezultati ka dal të dielën.

Ai ka treguar se do të testohet sërish, për t’u konfirmuar se nuk është me COVID-19.

“Nga dita e parë kam besuar se nuk jam i infektuar, pasi nuk kisha asnjë simptomë. Unë do të vazhdoj të qëndroj i izoluar për dy javë siç parashihet me rregulla. Kam kaluar një javë dhe shpresoj t’i bashkohem së shpejti Dritës”, ka thënë Emini.

“Nuk e di se kur do të më bëhet testi i tjetër. Por, për t’u konfirmuar se nuk jam i infektuar me COVID-19, duhet t’i nënshtrohem edhe një testi të tretë”.

Emini ka folur gjithashtu edhe për gjendjen e tij fizike dhe rikthimin e tij te FC Drita.

“Gjendja ime fizike nuk është edhe aq e mirë, pasi që kam një javë që nuk jam stërvitur fare për shkak të izolimit. Shpresoj që shumë shpejtë do të rikthehem dhe do t’u bashkohem bashkëlojtarëve të mi”, shtoi sulmuesi tetovar.

Rikthimi i tij te ‘bardhekaltërit’ pritet që të ndodh për të vazhduar një ‘mision’ për të cilin kishte ardhë në fillim të edicionit.

“Që kur kam ardhur objektivat ishin të qarta, të luftojmë për titullin kampion dhe këtë gjë do ta bëjmë deri në fund”, përfundoi Emini.

Ai u transferua në afatin kalimtar të verës nga Shkëndija e Tetovës te Drita.

Në 17 ndeshje për klubin gjilanas ai ka realizuar pesë gola dhe ka shërbyer dy herë për bashkëlojtarët e tij.